
GREQI-Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ditën e sotme i ka dërguar një mesazh Ankarasë dhe presidentit turk Rexhep Erdogan, gjatë deklaratës që ka bërë para fillimit të Samitit në Bruksel. Ai është shprehur se tashmë ka ardhur koha që Evropa të diskutojë me guxim dhe sinqeritet se çfarë marrëdhënie dëshiron vërtet të ketë me Turqinë.
“Greqia ka provuar në praktikë se dëshiron të ndjekë rrugën e parë. I takon Turqisë të bëjë të njëjtën gjë. Por ajo duhet ta bëjë atë në mënyrë të qëndrueshme dhe me stabilitet,” tha Mitsotakis.
Ndër të tjera kreu i qeverisë greke është shprehur se nëse Turqia nuk ndjek rrugën e dialogut, Evropa do duhet të marrë veprime kundër saj.
“Dy shtigje hapen para nesh: njëra është rruga e dialogut, e diplomacisë, një e dialogut, e cila duhet të bazohet në respektimin e ligjit ndërkombëtar, shmangien e veprimit të njëanshëm dhe rregullat e fqinjësisë së mirë. Rruga tjetër është përshkallëzimi i tensionit. gjë që do të çojë në mënyrë të pashmangshme – herët a vonë – në miratimin e masave nga Evropa kundër Turqisë “, theksoi Kyriakos Mitsotakis.
(A.K.dosja.al)