Politike

Kriza në vend/ Ristani e thotë hapur: PD dështoi me bojkotin, por Rama do mundet në zgjedhje

Arben Ristani u shpreh se aksioni opozitar, me djegien e mandateve, bojkotin e zgjedhjeve të 30 qershorit dhe protestat e dhunshme, dështoi.
Featured image of article: Kriza në vend/ Ristani e thotë hapur: PD dështoi me bojkotin, por Rama do mundet në zgjedhje Arben Ristani

Arben Ristani, ish-Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, ishte i ftuari i emisionit ‘special’ në “Real Story” të gazetarit Sokol Balla.

Një nga ish-njerëzit më të afërt të Lulzim Bashës disa vite më parë, Arben Ristani ka folur për shumë çështje që lidhen me situatën e krizës politike në vend, por kryesisht me Partinë Demokratike. Ristani u shpreh se aksioni opozitar, me djegien e mandateve, bojkotin e zgjedhjeve të 30 qershorit dhe protestat e dhunshme, dështoi.

Ndaj, sipas tij, tashmë është koha për reflektim, dhe Lulzim Basha duhet të pranojë zgjedhjet, si e vetmja rrugë për të mundur Edi Ramën. Sipas ish-deputetit demokrat, Lulzim Basha duhet të fokusohet te PD dhe të mendojë për hapjen e saj, si Berisha në 2005, që solli më pas fitoren e të djathtëve. Arben Ristani gjithashtu ka folur dhe për çështje të tjera, si 13 tetori, datë për të cilën Rsitani u shpreh se po shkon drejt zhvleftësimit, për shkak të marrjes së mandateve nga të zgjedhurit e rinj në 30 qershor.

Megjithatë, Ristani shtroi propozimin që PD duhet të ulet në dialog, dhe të diskutojë për një datë të re zgjedhjesh me Edi Ramën, në mënyrë që votat e djathta të përfaqësohen në pushtetin lokal.

Më poshtë, pjesët kryesore të deklaratave të Arben Ristanit.

Ristani në “Real Story”: Basha la demokratët të pa përfaqësuar, pasoja të tmerrshme për PD

Arben Ristani ka qenë i ftuari i emisionit ‘special’ në “Real Story” të gazetarit Sokol Balla. Ish-sekretari i PD-së, një nga ish-njerëzit më të afërt të Lulzim Bashës, ka treguar se tashmë askush në Shqipëri nuk është i kënaqur me situatën në vend. Ristani u shpreh se: “Askush në këtë moment nga opozita nuk mund të jetë i kënaqur, por unë shoh që dhe shqiptarët nuk janë të kënaqur sepse nuk jetojnë më në një vend normal. Nuk kanë më një politikë normale, një ekonomi të mirë, po largohen nga vendi çdo ditë. Shqipëria është në krizë dhe do zgjidhje. Patjetër që pesha e madhe sigurisht është e Qeverisë, sepse ajo ka detyrimin kryesor që të sigurojë normalitetin në vend. Por edhe opozita ka pjesën e saj në këtë përpjekje për ta çuar Shqipërinë drejt Europës që kemi ëndërruar prej vitesh tashmë”, tha Ristani.

Lidhur me aksionin e opozitës, Ristani u shpreh se gjithçka ishte e menduar, por ajo që nuk dinin ishte reagimi ndërkombëar. Sipas Ristanit, vendimmarrja e Bashës për të bojkotuar zgjedhjet e 30 qershorit, duhet të kishte informacion se çfarë mendimi kishin ndërkombtarët për këtë. Sipas Ristanit, ajo që rezultoi më pas, ishte se PD rrezikoi të shpallej ‘organizatë e dhunshme’.

“Më pas ky veprim u shoqërua me një vendimmarrje për të mos hyrë në zgjedhje me Ramën kryeministër. Në këto kushte kryetari i partisë ka pasur informacionin më të madh, dhe u besua se diçka e tillë do të ishte dhe e dakordësuar, për të arritur në qëllimin final. Ajo që ndodhi ishte se rrezikuam dhe të shpalleshim organizatë e dhunshme. Si përfundim u krye maskarada e zgjedhjeve, pasi ato nuk ishin zgjedhje. PD tashmë humbi veç pushtetit qendror dhe atë lokal. Jemi përpara një pasoje të tmerrshme në politike. E gjithë e djathta, dhe aleatët, dhe një pjesë e shqiptarëve që besojnë te PD, mbetën të papërfaqësuar, qoftë në pushtet qendror, qoft në pushtet lokal”, tha Ristani.

Lënia e mandateve, Ristani: Edhe Murrizi votoi ‘pro’, por s`dinim ç`mendonin ndërkombëtarët

Arben Ristani ishte i ftuari i mbrëmjes në “Real Story” të gazetarit Sokol Balla. Ish-Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, ka treguar një detaj interesant nga vendimi opozitës për djegien e mandateve në muajin shkurt. Ristani, duke treguar se vendimi për të djegur mandatet nuk erdhi rastësisht, por i menduar, u shpreh se deputeti demokrat, Myslim Murrizi, votoi ‘pro’ lënies së mandatit dhe më pas u rikthye në Parlament. “Djegia e mandateve nuk erdhi si dielli në një ditë me shi. Ishte paraprirë nga deklarata të Berishës. Te demokratët ishte një mendim që kishte kohë që rrihej, ka qenë një vendim i marrë me unitet. Vendimi për të vajtur këtu, ishte unanim. Madje edhe Murrizi ka ngritur dorën lart pro vendimit. Pothuajse ka qenë 100% i dakordësuar. Edhe unë kam votuar pro”.

Më tej, në delartën e tij, Ristani u shpreh se ndonëse mendimi për lënien e mandateve nuk erdhi si rrufeja në qiell të hapur, në fakt, anëtarët e kryesisë dhe deputetët, nuk kishin informacion rreth qëndrimeve të ndërkombëtarëve. Sipas tij, ajo çka ndodhi më pas, tregoi se ndërkombëtarët nuk ishin pro këtij vendimi. “Por informacioni që na mungonte ne ishte konsulta me partnerët ndërkombëtarë, që janë ekskluzivitet i liderit. Duhet të ishte diçka e dakordësuar para se të merrej. Fakti që nuk pati mbështetje ndërkombëtare, tregon që nuk ishte dicka e dakordësuar”. Gjithashtu, Ristani shton se tashmë demokratët janë të papërfaqësuar në të gjithë Shqipërinë, duke e cilësuar këtë si momentin e duhur për reflektim nga kreu i PD-së, Luzlim Basha.

“Ky moment është i duhuri për të reflektuar për të parë dhe gjetur se cila është rruga e duhur për t`ia arritur qëllimit. Është kollaj të thuash se Rama ka rënë, ja dhe pak, deri sa të vijnë zgjedhjet e 2021. Zgjidhja duhet gjetur shpejt, ai zullumin e ka bërë të madh, mundësitë për ta mundur janë, çështja është që ne duhet të shohim te vetja për të mundur rrëzimin e Ramës dhe për të ardhur PD në pushtet. Aktualisht kemi demokrat të papërfaqësuar. Kjo është e tmerrshme në demokraci, i një partie që duhet të mbajë mbështetësit e vetë, dhe të bëhet gati për të ardhur në pushtet. Ka vend për të reflektuar, PD është në mundësitë e veta për të qenë forcë fituese”, u shpreh Ristani.

Ristani: Rruga dështoi, zgjidhja vjen prej zgjedhjeve, po a është gati PD?

Arben Ristani deklaroi në “Real Story” se e vetmja rrugë për të dalë nga kriza janë zgjedhjet. Të parakohshme apo në vitin 2021, sipas ish-Sekretarit të Përgjithshëm të PD, në demokraci ka vetëm një rrugë për të mposhtur kundërshtarin, zgjedhjet. “Ristani: Sigurisht që shtatori nuk është larg. Unë besoj që rrugë për të dalë ka. Në demokraci zgjedhjet janë rruga e vetme për të ndryshuar pushtetutet. Edhe protestat janë forma demokratike, por në përfundim do shkojmë në zgjedhje, normale apo të parakohshme”, tha Ristani, duke shtuar se tashmë është koha që PD të krijojë besim te shqiptarët. “Patjetër që zgjedhjet janë. Demokratët presin që PD t`i fitojë zgjedhjet, dhe në këto kushte, dhe e vetmja mënyrë që të kompensohet qenia jashtë institucioneve, duhet të rritet doza e besimit te lidershipi. Që të rritet besimi, do të duhet, duke u nisur dhe nga një sër sondazhesh, kjo do të thotë që ka probleme me besimin te njerëzit. Pasja e një programi të mirë është pjesë. Ky program i mirë, do dhe njerëzit që do e realizojnë programin. Besueshmëria do duhet edhe te njerëzit që do e realizojnë programin. Ajo që mungon sot është stafet që do realizojnë nesër programin”, u shpreh Ristani.

Megjithatë, për Arben Ristanin, aktualisht Partia Demokratike ka dhe një problem tjetër. Mungesën e një ekipi, i cili do të duhet të prezantojë dhe të bind shqiptarët me një program. Në këtë pikë, Ristani u shpreh se PD duhet që së pari të hapet si parti, duke reflektuar demokracinë e brendshme, në mënyrë që më pas, këtë demokraci ta reflektojë dhe në qeverisje. “Idea ishte që do bëjmë të mundur që “do ketë zgjedhje pa Ramën kryeministër”. Kishte optimizëm, mendohej që do ia dilnim një situate të tillë. Të dyja vendimmarrjet kanë qenë njër pas tjetrës. Sidomos në situata revoltash, është e vështirë të kërkosh dialog. Për tu kthyer te arsyetimi, nga ana tjetër, programi duhet dhe rregullat brenda partisë. PD duhet të reflektojë demokracinë e brendshme, që do e reflektojë në qeverisje. Partia duhet të respektojë dhe funskionojë në bazën e disa parimeve të caktuara. Unë besoj që ka nevojë për tu vënë në pah dhe për tu zbatuar, për të qenë të dukshme për publikun. Ka një punë që ka nisur në PD, por që është në fazat e para. Ekipi i mirë, sigurisht dhe marrëdhëniet me ndërkombëtarët, na duhet patjetër që të kemi mbështetjen e tyre. të gjitha këto, unë besoj që e bëjnë përsëri PD forcë fituese”, tha Rsitani.

Duke u shprehur se Basha ka përgjegjësi për atë që ka ndodhur deri më tani, Ristani u shpreh se tashmë nuk është koha për të diskutuar të keqen që kanë shqiptarët nga Rama, por çështja është se sa e përgatitur është PD për të marrë besimin e shqiptarëve. “Patjetër që lideri i PD ka peshën e vetë të përgjegjësive. Ajo që unë e kam parë me inters, me shumë miratim te zoti Basha, ka qenë ndjesia për të kërkuar ndjesë pas një gabimi. Unë di të them pas zgjedhjeve të 2017, pavarësisht se u ndikuan nga bandat, për ato përgjegjësi që ishin dukshëm të lidershipit të PD, ai ka kërkuar dhe ndjesë. Ajo që nuk duhet të ndodhë është përsëritja e gabimit të 2017. Politikanët kanë demagogjinë e tyre dhe retorikën e tyre për të shprehur mendimin. Unë besoj se koha është për të thënë të vëretën. Nuk mban më retorika që duket sikur u hedhë sy shqiptarëve. E vërteta është kjo; Rama nuk po drejton mirë vendin, që po krijon shumë probleme, për ekonominë, drejtësinë, është e keqe e madhe që shqiptarët e kuptojnë. Çështja është se sa të përgatitur jemi ne për të marrë besimin e shqiptarëve dhe për të fituar zgjedhjet”.

Ristani: Basha të futet në zgjedhje me Ramën, nëse s`e largon dot ndryshe

Arben Ristani tregoi në “Real Story”, se sipas tij, votat e pavlefshme të 30 qershorit, tregojnë që ka një rrevoltë ndaj qeverisë. Megjithatë, Arben Ristani shprehet se në këto momente është mirë që PD të fokusohet te vetja, duke u futur në rrugën e reflektimit. “Zgjedhjet e 30 qershorit, me votat e pavlefshme, pjesëmarrjen, treguan që ka një rritje të mosdakordësisë, të revoltës, ka vend për ndryshim, por çështja është se a do të jemi ne ata që do të bëjmë ndryshimin?! Në fakt, do të doja shumë që fokusi të ishte te qeveria, por bëjmë mirë që të kthehmi dhe te vetja. PD gjithsesi funksionon si institucion, dhe gjërat zgjidhen brenda mekanizmave që paraqet institucioni. Unë shpresoj që këto që po ndodhin të nxisin frymën e reflektimit”.

Arben Ristani shprehet se ky reflektim duhet të përfshijë edhe Lulzim Bashën, duke pranuar zgjedhjet. “Nuk është përgjegjësia vetëm për veten, por për të gjithë shqiptarët. Besoj që është moment reflektimi, duhet ta bëj dhe Bashën për këtë që po ndodhë. Duhet të kapërcejmë dhe vetveten në këtë. Po përdor një shprehje të Berishës, që i tha Bashës “në këto momente duhet të kalosh dhe detin në këmbë”. Unë besoj që në zgjedhje do shkojmë patjetër, nuk ka rrugë tjetër”, tha Ristani.

Mirëpo problemi është deviza e PD, që me Ramën nuk futet në zgjedhje. Në këtë pikë, sipas Ristanit, PD përsëri duhet të reflektojë, pra të futet në zgjedhje me Ramën, nëse s`ka mundësi për ta larguar atë në rrugë tjetër. “Me Ramën apo jo? Nëse çështja është e realizueshme, dakord, por nëse nuk e arrijmë dot, duhet të futemi në zgjedhje me Ramën, të përballemi. Shembujt i kemi, nuk do shpikim në këtë mes. Është vendimmarrja institucionale e PD është nuk ka dialog me Ramën. Unë besoj që ka nevojë për reflektim, ka nevojë që të mblidhemi ta diskutojmë. Të gjendet mënyra të shkohet në zgjedhje, qoftë dhe në zgjedhje të parakohshme. Shqiptarët të papërfaqësuar sa i përket votave të djathta. Ky rezultat është një rezultat shumë i keq që duhet korrigjuar. Prishen balancat e demokracisë, për mua do duhet të gjejmë mënyrë për të shkuar dhe në zgjedhje të parakohshme”.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Ristani: Koha për reflektim, Basha të tregoj planin që ka

Ish sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani është një nga ato persona që ka pranuar se opozita gaboi me vendimet e saj për djegien e mandatave dhe refuzimin për të marrë pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit. Nga studio e emisionit “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në një puntatë jashtë sezonit, Ristani shfaqet i penduar për vendimin e tij për djegien e mandateve dhe lënien e PD pa asnjë lloj pushteti. Duket parë përfundimet që nuk ishin aspak në favor të PD, Ristani bën thirrje se ka ardhur koha që PD por dhe vetë Basha të reflektojë dhe të gjejnë zgjidhjen e duhur për të dalë nga kjo situatë. Ristani tha se shpreson që Basha ta dijë se çfarë do të bëjë më 1 shtator dhe të mbledhë strukturat politike dhe t’i udhëzojë se cilat hapa duhen ndjekur për arritjen e fitores përfundimtare.

“Duke parë rezultatin e vendimit tonë për djegien e mandateve, mendoj që ndoshta duhet të kishim gjetur një rrugë tjetër. Shpresoj që Basha ta di çfarë do bëjë në 1 Shtator. Është koha për reflektim dhe për të kuptuar qartë se cila është rruga në të cilën do të ecim si do të ndahet ajo rrugë në etapa dhe si do të fitohen etapat njëra pas tjetrës për të arritur tek fitorja e madhe përfundimtare. Pra kemi nevojë për një qartësi të plotë dhe unë shpresoj që ta bluaj me mendjen e vet dhe t’ia bëj prezente edhe strukturave të PD, për ta diskutuar dhe për ta vendosur. Shpresoj shumë që do të ketë një reflektim. Basha duhet të sqarojë këtë konfuzion pasi demokratët kanë nevojë për një qartësim të situatës.” – tha Ristani

Ristani në “Real Story”: 13 tetori? Jo pa dakordësinë e palëve

13 tetori, data e re e zgjedhjeve të dekretuara nga Presidenti Meta, Arben Ristani e cilësoi si të pamundur dhe të pavlefshme nëse palët nuk bien sa më shpejt dakord .“Nuk mund të ketë 13 tetor nëse nuk ka dakordësi mes palëve” tha Ristani nga studio e emisionit “Real Story” duke shtuar gjithashtu se sa më shumë ditët kalojnë pa arritjen e një marrëveshje aq më i vështirë dhe i pamundur bëhet 13 tetori. Ristani cilësoi se dialogu dhe reflektimi sa më shpejt mes palëve politike është gjëja e duhur për kthimin në normalitet të vendit.

“Për momentin politika është kapur pas datës 13 tetor që sigurisht pas arritjes me dakordësinë e palëve mund të ketë një 13 tetor. Kjo nuk do të ishte një çudi e madhe, megjithëse gjërat kanë shkuar larg tashmë. Mbase pasi të dal nga loja edhe 13 tetori do të shtrohet ndryshe, por unë shpresoj më shpejt tek një reflektim për situatën. Këtu kaosi është prezent, këtu çuarja e shtetit në një absurditet është i prekshëm, të gjithë e shohim dhe e dimë, ne ecim mbi mina në rrugë tonë dhe shpresoj shumë që mendjet të ndriçohen dhe njerëzit të ulen në bisedime dhe të gjejnë gjuhën për të mirën e këtij vendi. Unë besoj se vendi duhet futur në rrugën e vet normale dhe në të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe shqiptarët të vendosin se si dhe nga kush duan të drejtohen.” – tha Ristani

Ristani ka komentuar edhe vendimet e ndryshme të gjykatave për konfirmimin e mandatit të Kryetarëve të rinj të Bashkisë, duke cilësuar se kjo ndodh për shkak të mungesës së Gjykatës Kushtetuese. Por shtoi se sa më shumë njihen mandatet e kryetarëve të rij, aq më i pamundur bëhet 13 tetori si një datë reale.

“Ka pasur vendime të gjykatave që kanë konfirmuar mandatet e kryetarëve të bashkive, por ka pasur edhe një vendimmarrje tjetër nga gjykata. Sa më shumë kalojnë ditët, sa ma shumë vendimmarrje për njohjen e mandateve të kryebashkiakëve aq më e vështirë dhe i pamundur behet 13 tetori të jetë një datë reale. Kjo vjen në kushtet kur nuk ke Gjykatë Kushtetuese që mund ta kishe futur në lojë për të kërkuar pavlefshmëri të vendimmarrjeve të marra deri tani, kështu që nuk ka zgjidhje tjetër. Por gjithsesi mundësitë janë po të ulen dhe të bien dakord palët.” – tha Ristani

Ristani: Gabuam me djegien e mandateve, duhej gjetur një rrugë tjetër

Arben Ristani ka bërë një rikthim në vendimet e marra nga Partia Demokratike në lidhje me djegien e mandatave. I pyetur nëse po të kthehej në kohë do ta miratonte sërish djegien e mandateve, Ristani tha në “Real Story” se ky ishte një vendim i gabuar edhe pse për momentin u dukë si i drejtë. Ish sekretari i përgjithshëm i PD deklaroi se duke parë rezultatin final duhej gjetur një rrugë tjetër për të kërkuar largimin e Ramës dhe largimin e krimit nga qeveria. Madje Ristani shtoi se nëse PD do të ishte futur në zgjedhje mund edhe të kishin fituar duke shfrytëzuar skandalet e qeverisë.

Nëse virtualisht do të riktheheshit në shkurt do t’i digjnit mandatet dhe të mos merrni pjesë në zgjedhje? Ju vet si qëndroni në këtë histori?

Ristani: Unë mendoj se nuk ka qenë zgjidhja e duhur. Mendoj se PD do të kishte bërë mirë të gjente mekanizmat dhe të krijonte patjetër mbështetjen ndërkombëtare për sa i përket diskreditimit të qeverisë dhe lidhjet e saj me krimin dhe përdorimin e parave të pista dhe të mobilizonte partinë për të marrë pjesë në zgjedhje. Jam i bindur se ne mund t’i ishim afruar më shumë fitores në rast se do të kishim hyrë në zgjedhje. Duke u nisur nga sondazhet , duke u nisur nga goditjet e disa grupeve kriminale që besoj shumë se mund të kishim një rezultat tjetër. Dhe tek e fundit do të kishim pasur një shpresë më të madhe brenda partisë demokratike për tu përballuar më pas në zgjedhjet e përgjithshme, që afërmendsh mund të ishin edhe të parakohshme.

Pse nuk e morët mandatin në listë kur sot thoni se ishte gabim?

Ristani: Ju thash që me ndërgjegje kam votuar për djegien e mandateve dhe kam qenë pro, kam djegur edhe mandatin tim. Kjo do të thotë se kam qenë i bindur në atë moment për atë vendim që është marrë. Sot duke parë rezultatin po mundohem të reflektojë dhe të them që ndoshta mund të kishim ndjekur një rrugë tjetër. Unë dua të rris fëmijët në një vend normal. Kam besim se PD e ka drejtuar vendin më mirë në këto vite të demokracisë dhe kam besimin se ajo forcë do të duhet ta drejtojë përsëri për ta bërë më të mirë këtë vend.

Ristani: Basha të hap partinë, aleatët t’i shoh rrugës

Arben Ristani ka komentuar edhe marrëdhëniet me aleatët e PD duke thënë se tani është koha që PD të fokusohet tek vetja, të reflektojë dhe të gjejë zgjidhjen që i duhet për t’u ringritur dhe arritur fitoren përfundimtare që kërkon. Për sa i përket marrëdhënies që PD krijon apo lidh ne aleatët e tjerë ato do i shoh rrugës. Nga studio e “Real Story” Ristani tha se PD është një parti që ka si shtyllë fondamentale vlerat parimore dhe duhet të për qëndrohet tek to, ndërsa aleancat mund t’i shoh edhe në mënyrë pragmatizmi, por fillimisht duhet të forcojë rolin brenda vetës, pasi të bësh pragmatizmin “duhen këllqe të forta”

“ Unë do preferoja që në këto kohëra pragmatizmi është një gjë, por mbështetja mbi parime është një shtyllë fondamentale e një partie. Në këtë kuptim unë jam që të përqendrohemi më shumë tek vetja dhe aleancat i sheh gjatë rrugës, mund ti përdorësh edhe në mënyrë pragmatiste gjatë rrugës, por së pari duhet të kesh këllqe të forta në partinë tënde.” – tha Ristani

Në lidhje me përfaqësimin e figurave publike të PD, Ristani tha se Basha duhet të ndjek shembullin e Berishës në 2005 dhe të hap partinë drejt figurave të reja dhe atyre që kanë qenë kontribuues në PD. Ristani theksoi se e gjithë kjo përvojë që ka pasur PD, nuk mund të shkoj dëm.

“Berisha në 2005 erdhi një numër të rinj dhe sigurisht edhe vlerat. Nuk ka parti politike pa u mbështetur tek vlerat. Një vendim nuk mund të bazohet vetëm në ligj por edhe në zemër. Kjo pjesa e zemrës ka të bëj pak me përvojën jetësore që kultivon njeriu. Në këtë kuptim e gjithë kjo përvojë që ka pasur Partia Demokratik nuk mund të shkoj dëm. Duhet ribashkuar dhe rithithur një numër i madh kontributorësh të PD që e kanë dashur dhe e duan dhe janë të lidhur edhe me strukturat e saj. Militantëve duhet t’u flasësh , por që t’u flasësh duhet të kesh edhe çfarë u thuash dhe t’u transmetosh. Po nuk transmetove, po nuk i njohe, po nuk ishe në hallet e tyre, në këtë kuptim ka shumë për të bërë dhe duke e konsideruar shumë të rendë daljen nga sistemi, duhet të veprojmë më idealizmin dhe besimin dhe ndërthurje të njerëzve.”- tha Ristani./Realstory.al/

(k.m.dosja.al)

Shto Koment