LIVE UPDATES
Ekonomi

Kriza e bizneseve ul çmimet e qirave të dyqaneve

9 Gusht 2020, 07:01 Nga DOSJA

SHQIPËRI-Çmimi i qirave të dyqaneve të biznesit të vogël në muajt qershor-korrik u ul me 10-16%. Operatorët e tregut të agjencive imobilare vlerësojnë se kjo tendencë erdhi nga shtimi i bizneseve të mbyllura, si rrjedhojë e krizës së shkaktuar nga COVID-19. Reduktim të çmimit të qirasë me 5-15% pati edhe tek apartamentet. Edhe ky treg, për shkak të pandemisë, po vuan shtimin e ambienteve të lira për banim nga studentët dhe familjarët që kanë humbur vendin e punës. Në dyqanet e qendrave tregtare, kërkesa për ambiente është rritur, kurse çmimet kanë mbetur të pandryshuara.

Nga Dorina Azo

Çmimet e qirave të dyqaneve dhe të apartamente janë ulur pas hapjes së ekonomisë, krahasuar me periudhën para karantinës. Kjo tkurrje është më e dukshme te biznesi i vogël, teksa pronarët, për shkak të reduktimit të xhiros, i kanë lënë të lira këto ambiente.

Agjencitë imobilare në vend pohojnë se pas karantinës, numri i dyqaneve të mbyllura u rrit, ndërsa zgjatja e pandemisë përtej parashikimeve, që ka frenuar konsumin, ishte goditja e dytë pas karantinës dymujore. Kjo situatë ka ndikuar në uljen deri në 16% të qirave të dyqaneve. Agjencitë imobilare thonë se ka pasur ulje deri në 10% edhe në disa nga rrugët kryesore të Tiranës.

Dukuria e rënies së çmimeve të qirave tek apartamentet, me 5 deri në 15% pas periudhës së karantinës, sipas agjencive imobilare erdhi për shkak të tkurrjes së të ardhurave të familjeve, gjë që ka rritur pamundësinë për të paguar qiratë, si dhe largimin e studentëve. Rënia më e lartë është shënuar për apartamentet me çmime mesatare, 30 deri në 35 mijë lekë në muaj.

Operatorët e tregut vlerësojnë se përqindja e hapësirave bosh në ambientet e zyrave është rritur në krahasim me vitin e kaluar, për shkak të shtimit në treg të stokut, por edhe për këto njësi, çmimet kanë mbetur të pandryshuara. Përqindja e hapësirave bosh të dyqaneve në qendrat tregtare është ulur në krahasim me vitin e kaluar, duke treguar një rritje të kërkesës, ndërsa çmimet e qirave nuk ndryshuan.

 

Rënia e çmimit të qirave

Sipas të dhënave të përpunuara nga indeksi privat “Keydata Albania”, i publikuar nga grupi “Çelësi”, çmimet e qirave të dyqaneve ranë me 16% pas 18 majit deri në muajt qershor-korrik, krahasuar me muajt janar – mesi i marsit 2020. Ndërsa çmimet e apartamenteve me qira u ulën 5%.

Ylli Sula, president i grupit “Çelësi”, shpjegon për “Monitor” se rënia më e lartë e çmimeve është vënë re te qiratë e biznesit të vogël. Për bizneset që operojnë për një kohë të gjatë në treg, zoti Sula thotë se qiratë janë ulur rreth 10%.

“Rënia mesatare e çmimit të ambienteve tregtare me qira shkon deri në 16%. Nga të dhënat rezulton se tkurrja më e ndjeshme, edhe mbi 16%, është tek ambientet me qira të biznesit të vogël, sidomos atij që nuk është i konsoliduar. Ndërsa për bizneset e konsoliduara dhe që ndodhen në zonat më të frekuentuara, çmimet e qirave nuk janë ulur më shumë se 10%. Kjo dukuri më shumë ka ndodhur nga pronarët për të qetësuar qiramarrësit, pasi bizneset po ndiejnë vështirësi financiare në pagesat e qirave nga rënia e shitjeve dhe xhiros.”

Si ndikoi shtimi i rasteve me COVID-19 te qiratë e dyqaneve

Në treg, sipas të dhënave të indeksit “Keydata”, konstatohet se çmimet e qirave të dyqaneve, deri në rreth 3 javë pas hapjes së ekonomisë, nuk ndryshuan. Zoti Sula thekson se rënia me 16% u reflektua menjëherë pas shtimit të rasteve me COVID-19.

“Ne do të vazhdojmë të ndjekim ecurinë e çmimeve. Tre javë pas hapjes së ekonomisë konstatuam që kërkesa për ambiente me qira ishte e lartë, njerëzit po kërkonin të rikuperonin kohën e humbur nga karantinë. Në muajin maj u pa që çmimet e qirave nuk u përditësuan, u ruajtën të njëjtat nivele, si para karantinës, pasi pronarët e ambienteve me qira, donin të shihnin se çfarë do të ndodhte.

Por menjëherë nga fillimi i muajit qershor, sapo nisën të dilnin shifrat në rritje të të infektuarve: 60, 70 deri 80 raste në ditë, pati “ngrirje” të kërkesës. Rënia e çmimeve deri me 16%, u reflektua pas shtimit të rasteve të prekurve me COVID-19. Kjo ndodhi pasi pronarët e ambienteve me qira u frikësuan dhe nxituan t’i jepnin sa më parë njësitë”, shpjegon presidenti i grupit “Çelësi”.

 

Ulen çmimet e qirave të dyqaneve në rrugët kryesore

Dritan Caka, drejtuesi i një prej agjencive real estate më të vjetra në treg “DevInf”, thotë se pas karantinës, çmimi i qirave të dyqaneve në rrugët kryesore të Tiranës, ra me 10% krahasuar me periudhën para mbylljes së popullatës.

“Gati një muaj pas hapjes së ekonomisë kishte rritje të lartë të kërkesës për ambiente banimi me qira, biznesi dhe shitje-blerje të apartamenteve. Aktualisht ka rënie me 10% të çmimeve të ambienteve me qira të biznesit dhe pandemia është një nga arsyet më të forta të ndryshimit të tyre. Kohët e fundit janë shtuar rastet e të prekurve me COVID-19, duke rritur pasigurinë dhe kjo reflektohet në ekonomi. Për shkak të pandemisë, fuqia blerëse ka rënë. Konsumatori ndihet i pasigurt dhe për rrjedhojë të jetë më i shtrënguar për shpenzime.”

Çmimet e qirave kanë rënë në disa nga rrugët kryesore të Tiranës. Sipas zotit Caka, tre janë faktorët që ndikuan: tërmeti, pandemia dhe vendosja e korsisë së biçikletave. “Në disa nga rrugët kryesore të Tiranës, si p.sh. në rrugën ‘Myslym Shyri’, përveç pandemisë edhe vendosja e korsive të biçikletave ka vështirësuar punën e dyqaneve.

Kjo ka qenë një ndër rrugët më të kërkuara për marrje të ambienteve me qira, por për shkak të hapjes së korsisë të biçikletave, kërkesa ka rënë. Rënia e kërkesës ka ardhur për shkak të uljes së xhiros të dyqaneve, ku faktor kryesor është pandemia. Xhiroja ka rënë gati 50%. Çmimet e ambienteve me qira janë ulur edhe në rrugën që lidh Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë me sheshin “Willson”. Aktualisht konstatohen shumë ambiente të lira, që janë lënë nga biznesit, si p.sh. në rrugën “Sami Frashëri”.

Nëse do të kthehet një valë e dytë e virusit, përfaqësuesi i agjencisë “DenInf” parashikon se do të ndikojë në uljen e çmimeve të qirave të dyqaneve. “Çmimet e qirave të ambienteve për biznes do të ulen, pasi njerëzit nuk do të hyjnë në qendrat tregtare, nga frika e infektimit. Dyqanet në rrugët tregtare do të jenë më të frekuentuara, por pasiguria pritet të ulë më shumë kërkesën për blerje të artikujve, gjë që do të vështirësojë xhiron e dyqaneve. Nëse një dyqan ka vështirësi në shitje dhe xhiro, kjo ndikon te shlyerja e detyrimeve të qirave.”

Një valë e dytë do të ulte më shumë qiratë

“Çmimet e qirave të ambienteve për biznes do të ulen, pasi njerëzit nuk do të hyjnë në qendrat tregtare, nga frika e infektimit. Dyqanet në rrugët tregtare do të jenë më të frekuentuara, por pasiguria pritet të ulë më shumë kërkesën për blerje të artikujve, gjë që do të vështirësojë xhiron e dyqaneve. Nëse një dyqan ka vështirësi në shitje dhe xhiro, kjo ndikon te shlyerja e detyrimeve të qirave.”

 

Rritet numri i bizneseve të mbyllura, do të ndikojë në afat të gjatë

Jonian Antoni, CEO i agjencisë “Century 21”, shprehet se në këtë periudhë është rritur numri i dyqaneve që kanë mbyllur aktivitetin, ndërsa sipas konstatimeve të tij, çmimet e qirave nuk kanë ndryshuar. Arsyeja e mosndryshimit është se pronarët shqiptarë janë në pritje të ecurisë të situatës, në vlerësimin e z. Antoni.

“Sa për bizneset apo pronat komerciale, po shohim gjithmonë e më shumë mbyllje aktivitetesh. Në afat të shkurtër nuk do të kemi ndikim te çmimet e qirave, por besoj se në afat të gjatë do të ketë. Megjithatë, pronarët nuk po i ulin çmimet pasi po presin se si do të jetë ecuria, duke qenë se kjo situatë është e panjohur për të gjithë.”

Tregu i qirave ende nuk është ndërkombëtarizuar. Kjo, për z. Antoni është një tjetër arsye pse çmimet e qirave të dyqaneve nuk kanë ndryshuar. “Shqipëria që nga 1992 nuk ka njohur ndonjë ulje të çmimeve të dyqaneve, me përjashtim të rasteve sporadike për nevoja urgjente shitje. Duke qenë një treg jo shumë i ndërkombëtarizuar, nuk gjykoj se do të ketë rënie të çmimeve të dyqaneve.

Edhe pse duhet thënë: në kriza të ngjashme, pasuritë e paluajtshme janë më të prekurat. Kjo krizë ka shumë të panjohura për të gjithë. Mendoj se momenti më i mirë për të gjykuar do të jetë fundi i 2020, ku do të kuptohen edhe pasojat që ka sjellë COVID-19 në ekonominë tonë”.

 

Nuk ka biznese të reja

Në periudhë pandemie, edhe sipas zonjës Juliana Nela nga agjencia “Remax” konstatohet shtimi i ambienteve të lira për tregti dhe rënie e nismës për të nisur aktivitete të reja. “Një pjesë e konsiderueshme e bizneseve ndihen të pasigurt nga situata dhe janë në pritje për nisjen e aktivitetit. Shumica e pronarëve të ambienteve tregtare që lëshojnë me qira nuk po përditësojnë çmimet, pasi shpresojnë që shumë shpejt, situata e krijuar nga pandemia do të rikthehet në normalitet. Nuk kemi informacion për rënie të çmimeve të qirave të dyqaneve.”

Ndikimi i tregut informal

Ndryshe nga drejtuesit e tjerë të agjencive të pasurive të paluajtshme, Juliana Nela, broker te “Remax” thotë se një ndër arsyet e mosrënies të çmimeve është edhe ndikimi i faktorëve informalë në tregun e qirave. “Teorikisht shtimi i lejeve të ndërtimit tre vitet e fundit duhet të ndikonte tek ulja e çmimeve të shitjes të apartamenteve. Kishte apartamente stok dhe përsëri stoku u rrit, ndërsa çmimet e apartamenteve kërcyen.

Pra, logjika e funksionit të tregut të pasurive të paluajtshme në Shqipëri është e palogjikshme, pasi furnizohet nga tregje informale. Me të njëjtën logjikë ecën edhe tregu i dhënies me qira të ambienteve tregtare. Ekziston edhe një pjesë e pronarëve që lëshojnë ambiente tregtie me qira që kanë bërë kompromisin që të mos lëvizin qiramarrësin, edhe pse po përfitojnë më pak ose aspak të ardhura për momentin. Por tendenca e vërtetë e çmimeve do të shihet pasi këto ambiente të lirohen nga biznesi pas konsumimit të rezervave dhe në pamundësi financiare për të paguar më tej qiranë ose për ta mbajtur qiradhënësin me premtimin e pagesës së ardhshme.”

Mospërditësimi i çmimeve të ambienteve me qira të lëna nga biznesi nga pronarët dhe mungesa e kërkesës janë faktorë të tjerë që kanë ndikuar që çmimet të mbeten të pandryshueshme, sipas zonjës Nela. “Që të konstatohet rënia e çmimeve, fillimisht duhet të përditësohen çmimet e njësive të liruara dhe të ketë kërkesë të re dhe rrjedhimisht, negociata konkrete.

Ne nuk kemi kërkesë të re, ndërsa pak pronarë shqiptarë janë racionalë dhe zbresin çmimet për shkak të ndryshimit të kushteve. Pjesa më e madhe janë me mendësinë që prona të vazhdojë të qëndrojë deri sa situata të përmirësohet. Askush nga ne nuk ka ‘sferën magjike’ që të thotë se çfarë do të ndodhë, qoftë edhe në të ardhmen e afërt.”

 

Ulen çmimet me qira të apartamenteve

Drejtuesi i grupit mediatik “Çelësi”, Ylli Sula thotë se sipas të përpunimit të të dhënave të indeksit “Keydata”, çmimet e qirave të apartamenteve janë ulur 5%. “Në nivel mesatar, për sa u përket qirave të apartamenteve, lëvizja është pothuajse e papërfillshme, pasi ndodhin edhe në momente të tjera të vitit. Mendoj se rënia e çmimit vjen më shumë për shkak të pamundësisë të individëve për të paguar qiratë, pasi shumë qytetarë kanë mbetur 2-3 muaj pa punë, apo kanë humbur vendin e punës, të ardhurat u janë reduktuar”.

Rënia më e lartë e çmimeve të apartamenteve me qira deri në 15% është reflektuar te ndërtesat me çmime mesatare qiraje. Arsyeja e reduktimit të çmimit, sipas përfaqësueses së agjencisë imobiliare “Remax” është për shkak të shtimit të ofertës, rritjes së numrit të apartamenteve të lëna të lira nga studentët, dhe rënies së të ardhurave të familjarëve.

“Për periudhën qershor-korrik është rritur kërkesa për apartamente me qira, pasi shumë individë që u larguan në rrethe në periudhën e karantinës apo mbetën jashtë kufijve në periudhën e pandemisë, po akomodohen sërish në Tiranë. Në këta muaj ka pasur fluks kërkesash pikërisht nga kategoritë e mësipërme, ndërsa çmimi i qirave të apartamenteve racionale pësoi rënie deri 15%.

Arsyeja është se ka më shumë ka ofertë, se sa kërkesë ne treg. Kjo ndodh, pasi për shumë individë që marrin apartamente me qira me çmim mesatar 30 – 35 mijë lekë në muaj, të ardhurat kanë rënë nga shkurtimet e vendeve të punës dhe uljes së pagës deri në 50% nga pandemia. Një arsye tjetër e uljes së çmimeve është shtimi i apartamenteve të lira që jepen me qira në këtë periudhë, si pasojë edhe e largimit të studentëve.”

Ecuria e çmimeve të shtëpive me qira në këto momente është e stabilizuar sipas përfaqësuesit të agjencisë “DenInf”. Por, nëse të ardhmen do të rritet numri i kompanive që do të punojnë nga shtëpia, z. Ditan Caka parashikon që kjo dukuri të ndikojë te çmimet e qirave.

“Nuk jemi në stadin e fenomenit që ndodhi në Nju Jork, që çmimet po bien frikshëm për shkak se shumica e kompanive po punojnë nga shtëpia, ndërsa ata individë që punonin në Manhatan tashmë po jetojnë në periferi. Në të ardhmen, nëse pandemia do të vazhdojë, kjo dukuri mund të reflektohet edhe në Tiranë, pasi janë të shumtë punonjësit e administratës dhe të kompanive që jetojnë me qira. Nëse të punësuarit në sektorin privat do të kenë mundësinë të punojnë online nuk ka pse të marrin shtëpi me qira, por ende nuk dihet ecuria në të ardhmen”.

 

 

Tkurret kërkesa për shtëpi të shtrenjta

Një tjetër efekt i pandemisë ka qenë rënia e kërkesës për apartamente me qira, me çmime të shtrenjta. Në këtë tendencë ka ndikuar edhe mbyllja e kufijve nga COVID-19, pasi këto prona me qira në vendin tonë më shumë parapëlqehen nga të huajt.

“Qiradhënia rezidenciale, që po pëson një tkurrje ose më mirë të themi ndalim për momentin, është ajo me prona të kushtueshme, kryesisht me objektiv të huajt që jetojnë në vendin tonë. Duke qenë se prej muajit mars, jemi thuajse totalisht të mbyllur, askush nuk po vjen për t’u shpërngulur në vend, si pasojë për këto prona nuk po shikojmë kërkesë”, pohon CEO i agjencisë “Century 21”.

Ndërsa çmimet e qirave të tjera rezidenciale nuk kanë pësuar ndryshim, sipas Jonian Antoni, pasi qiramarrësit kanë nevojë për strehim dhe kjo nevojë nuk lidhet me pandeminë. “Sa u takon pronave rezidenciale nuk gjykojmë se do të ketë ndryshime të qëndrueshme çmimesh, por luhatje rast pas rasti.”

 

Si kanë ndryshuar çmimet në rrethe

Tendenca e çmimeve me qira në Tiranë ndryshon nga qytetet e tjera të Shqipërisë, siç shpjegon drejtoresha e “Des Real Estate”, Brixhida Kokëdhima. “Des Real Estate” ka tetë zyra në qytetet kryesore të vendit. Sipas zonjës Kokëdhima në Tiranë, çmimet e qirasë së apartamenteve janë ulur, për shkak të shtimit të ambienteve të lira të lëna nga studentët dhe familjarët e larguar.

“Në Tiranë, çmimet e qirave të apartamenteve kanë pësuar ulje të lehtë gjatë negociatave qiradhënës-qiramarrës. Pasiguria e krijuar te njerëzit për ecurinë e pandemisë dhe frika nga riizolimi i mundshëm ka bërë që, qiradhënësit të jenë shumë të hapur për negocim të çmimit të qirasë mujore dhe kushteve të qiradhënies si parapagim, garancia, vonesat e lejuara të pagesës etj.

Kjo ka ardhur edhe për shkak të largimit nga Tirana drejt rretheve të studentëve dhe jo pak familjeve, duke lëshuar shtëpitë me qira të marra më parë, por edhe të rritjes së ofertës të banesave me qira nga ndërtimet e reja të viteve të fundit. Qiratë e ambienteve të biznesit që vazhdimisht nuk janë ulur, por ka pasur negociata midis palëve për fleksibilitet në afatet e pagesave”.

Në rrethe, situata shfaqet pak më ndryshe. Përfaqësuesja e agjencisë imobiliare “Des Real Estate” thotë se në qytetet e tjera të vendit, çmimet e qirave të dyqaneve nuk janë ulur. “Çmimet në qytetin e Korçës, për qiratë e njësive tregtare nuk kanë ndryshuar, edhe pse situata e shkaktuar nga COVID-19 ka bërë që shumë biznese të kenë probleme likuiditeti. Ndërsa çmimet e qirave për shtëpi kanë pasur një rritje të lehtë, sidomos kur pronarët kanë bërë investime në banesë, për të përmirësuar standardin e pronës.

Në Elbasan, Lushnjë dhe Fier, çmimet e apartamenteve dhe ambienteve të biznesit nuk kanë ndryshuar, ndërsa kërkesat kanë ardhur në rritje për shtëpitë private me qira, për rrjedhojë qiradhënësit e tyre nuk negociojnë. Në Himarë dhe në fshatrat e zonës ka shumë kërkesa për shtëpi e apartamente me qira për sezonin veror. Ka pasur shitje tokash për qëllime biznesi, por jo vetëm, por pothuaj 0 dhënie tokash me qira.

Në Vlorë kemi më shumë kërkesë për blerje apartamentesh sidomos në bregdet, por më pak kërkesa për apartamente me qira. Banesat dhe njësitë tregtare të Lungomares janë shumë të kërkuara me qira dhe çmimet pothuajse nuk kanë ndryshuar.”

 

 

Stela Dhami: Rritet kërkesa për dyqane në qendrat tregtare

Pandemia nuk ka ndikuar në uljen e çmimeve të ambienteve me qira të dyqaneve në qendrat tregtare, në rrugët kryesore të Tiranës, por edhe të zyrave, sipas Stela Dhami, drejtoreshë në kompaninë “Colliers International Albania”.

“Deri në këto momente nuk është vënë re ndonjë ndikim i drejtpërdrejtë i COVID-19 në çmimin e dyqaneve dhe zyrave. Nëse shtimi i rasteve vazhdon për një kohë të gjatë, mendoj se ndikimi do të reflektohet më vonë, si në ulje të çmimeve të qirave ashtu dhe në shtimin e hapësirave të lira.”

Nga studimi i fundit i kompanisë “Colliers International Albania” nuk ka rezultuar edhe që të ketë një shtim të ambienteve të lira të zyrave. “Kjo vjen si pasojë se kontratat e zyrave janë disavjeçare, si dhe një pjesë e mirë e punonjësve janë rikthyer në punë. Pra nuk kemi largim për momentin të qiramarrësve, por presim që të kemi një lloj ndikimi për korporatat ndërkombëtare ku strategjia e pasurive të paluajtshme bëhet globalisht”, shpjegon zonja Dhami.

Në këtë periudhë është shfaqur tendenca e shtimit të ambienteve bosh për qira si në qendrat tregtare dhe për ambiente zyre. “Përqindja e hapësirave bosh në qendrat tregtare është ulur në krahasim me vitin e kaluar (nga 6.55% në 4.93%) duke treguar një rritje të kërkesës për qendra tregtare. Përqindja e hapësirave bosh në ambientet e zyrave është rritur në krahasim me vitin e kaluar (nga 8.89% në 24.32%), për shkak të shtimit në treg të stokut të zyrave të “Arena Center” dhe “Forever Green Tower”. Ndërkohë rritja e stokut ka shtuar konkurrencën dhe tashmë qiradhënësve do t’u duhet të jenë më tërheqës ndaj qiramarrësve, duke u ofruar më shumë mundësi bashkëpunimi të drejtpërdrejta.”

Në tregun e qirave, sipas zonjës Dhami ka pasur lehtësime në shtyrje apo reduktim pagesash për muajt e karantinës nga ana e qiradhënësve, sidomos në qendrat tregtare, por çmimet e qirasë vazhdojnë që të jenë të njëjta me ato të para karantinës. “Vetëm çmimet e rrugëve tregtare kanë pësuar ulje të lehtë nga viti i kaluar, por jo prej COVID-19. Në rrugët tregtare është vënë re edhe një lirim i hapësirave tregtare, pra përqindja e zënies së rrugëve tregtare është ulur, gjë që tregon largim të qiramarrësve të vegjël rë cilët janë ndikuar direkt nga ulja e konsumit në periudhën e mbylljes së ambienteve tregtare”.

Përfaqësuesja e kompanisë vlerëson se në tregun e qirave të dyqaneve dhe zyrave, ndikimi i pandemisë pritet të jetë më i madh në periudhën e fundvitit të 2020-s dhe fillim të vitit të ri. “Atëherë do të reflektohen edhe ndryshimet në politikat e pasurive të paluajtshme të kompanive ndërkombëtare. Disa zinxhirë markash të huaja do të mbyllin dyqane, ndërsa në sektorin e zyrave, me ndryshimin e mënyrës së punës në atë kryesisht të punës nga shtëpia, po shikohen hapësira zyrash që ofrojnë më shumë fleksibilitet në kontrata qiraje.

Vetë si kompani kemi klientë ndërkombëtarë, të cilët prej COVID-19 kanë ndryshuar strategjinë e real estate dhe janë në kërkim të atyre që quhen “co-working spaces” ku mund të zgjerohen dhe të zvogëlohen, sipas kërkesave të biznesit me kosto më të ulët financiare”.

Marrë nga Monitor

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

ekonomi ekonomi kriza e covid-19 ulen çmimet e qirave të dyqaneve kriza e covid-19 ulen çmimet e qirave të dyqaneve

Sondazh

Poll

VIDEO-VIRALE/ Po fliste në Rrugën e Salës, demokrati 'kapet mat' nga gruaja

VIDEO-VIRALE/ Po fliste në Rrugën e Salës, demokrati 'kapet mat' nga gruaja

"Injoranca nuk është argument" Nuk i pëlqeu pyetja, Rama prek në faqe gazetaren Ambrozia Meta

Del VIDEOJA, Elia godet Princ Lekën: Familja ime të ka mbajtur me bukë

VIDEO/ Noka i jep Spiropalit pankartën, Ministrja ofrohet ta mbaj para fytyrës

Publikohen pamjet nga brenda bazës ajrore të Kuçovës, Komandanti: E gatshme për stërvitjen e trupave

Tempulli 2/ Me kanabis gati për shitje dhe shuma parash, arrestohen 4 të rinj në Tiranë

Dalin pamjet nga kasollja ku u vra 50-vjeçari në Durrës

Kontrabandonin ilaçe dhe telefona, arrestohen dy persona në Tiranë, sekuestrohen 47 iPhone

I vunë flakën eskavatorit me vlerë 150 mijë euro, arrestohen 2 autorët e ngjarjes

Reshjet e shiut dhe borës në vend, policia: Moderoni shpejtësinë e mos kryeni parakalime të gabuara

Kampioni Alvin Karaqi mes lotësh: Për besë u ndjeva si Gjergj Kastrioti kur mora flamurin

'Dokumentar horror'/ Berisha publikon pamjet: Do ju paraqes terrorin që Bajrajt ushtruan më 14 maj

Krimi në Bulqizë/ Fqinji: Po hante bukë në banesë kur erdhën dy makina!

Dosja "Gjici"/ Zv.kryetari i bashkisë së Kukësit shkon në SPAK

Newsroom 11 |XAMA: LAJMI I FUNDIT FAKE QË PASHË, ISHTE PËR MUA

Newsroom 11 |XAMA: KËSHILLË QYTETARËVE- MOS LEXONI VETËM NJË BURIM

Newsroom 11 | XAMA: GAZETARËT NUK SHKRUAJNË ME EMËR, KJO S'ËSHTË ETIKE

Xama në Newsroom: Lajmet e rreme përhapin panik! Më akuzuan se kisha marrë para për një shkrim

Muka në Newsroom: Në Shqipëri ka portale gjobaxhie, u bëjnë shantazh njerëzve

Xama në Newsroom: Fake News shpërndahet më shumë në Facebook e Tik Tok! Gazetarët të shkruajnë emrin

Newsroom 11 |Kush prodhon lajme të rreme në Shqipëri

Newsroom 10 |SENJA: NE S'REAGOJMË NDAJ GJUHËS SË URREJTJES

Newsroom 10 |HAZIZAJ: 'ÇOHU ENVER', PJESË E GJUHËS SË URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ KEMI MARRËVESHJE PËR TË MBROJTUR 'VIKTIMAT'

Newsroom 10 |HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES KA SHKAKTUAR DHE KRIME

Newsroom 10 |GAZETARI: GJUHA E URREJTJES, PJESË E SHOQËRISË

Newsroom 10 |HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES, E FRIKSHME NË SHQIPËRI

Vidhnin në banesa duke përdorur çelësa të klonuar, vihet në pranga 1 person,nje tjeter në kërkim

Newsroom 10 |GJUHA E URREJTJES PËRDORET NGA POLITIKA, AMA TË KONTROLLOJË GJUHËN E URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ: STEREOTIPET NXISIN GJUHËN E URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES LUFTOHET ME EDUKIM

Newsroom 10 | Gjuha e urrejtjes në media, si dhe kush e shpërndan?

Ndryshimet në PS/ Gjiknuri: S'është fundi, por fillimi i diçkaje të re.

Inceneratorët/ S’kam dhënë asnjë kontratë pa garë, ato janë publike!

Ndihet 'i shitur' nga Rama? Gjiknuri: Nuk ndjej braktisje, kam komunikim me të prej 20 vitesh

Klosi: Kemi primare reformimin e partisë, PS synon mandatin e katërt

U shkarkua si Sekretar i Përgjithshëm, Gjiknuri: PS edhe kur fiton, refekton!

Digjet shtëpia në Shkodër, në banesë ndodhej një i moshuar, përfundon në spital

Vazhdon përplasja në PD! Basha kërkon mbledhjen e Komisionit të Etikës për të, Bardhi: Shenjë humbje

Vrasja e Jetmirës/ Autori u dënua me 28 vite burg, nëna e viktimës: Duhet dënim përjetë!

Newsroom 9 | Kallanxhi: Threads? S`besoj se do zgjasë shumë

Newsroom 9 | Eksperti i IT: Mos merrni për bazë asgjë thuhet në rrjet

Newsroom 9 | Gazetarja: po ndodhin vrasje nga tik tok

Newsroom 9 | Eksperti i IT: Fake News dallohet vetëm po të jemi kritikë

Newsroom 9 | Kallanxhi: Shqiptarët besojnë gjithçka shohin në rrjet

Newsroom 9 | Eksperti i IT, Tomi Kallanxhi: Tik Tok ka "fake news" sepse s'ka censurë

Newsroom 9 | Gazetarja: Shqipëria do kohë të përshtatet me Tik Tok

Newsroom 9| Eksperti i IT: Çdo rrjet është i përkohshëm, duhet të kujdesemi për vlerat

A mund të mbyllet TikTok për Shqipërinë? Flet për Newsroom eksperi i IT

Fëmija mbyllet brenda në shtëpi, nëna e alarmuar njofton zjarrfikësit, NDËRHYRJA nga ballkoni