Aktualitet

“Camajn e Koliqi agjentë të huaj”, pedagogu i bashkohet debatit: Mjaft me luftën e klasave, le të fokusohemi te veprat

Pedagogu Erion Kristo është bërë pjesë e debatit për studimin e fundit të studiuesit Auron Tare për shkrimtarët Martin Camaj dhe Ernest Koliqi. Kristo është shprehur se duhet të fokusohemi te veprat e tyre dhe të ndalojmë luftën e klasave.
Featured image of article: “Camajn e Koliqi agjentë të huaj”, pedagogu i bashkohet debatit: Mjaft me luftën e klasave, le të fokusohemi te veprat ernest koliqi, erion kristo dhe martin camaj

TIRANË -Pedagogu Erion Kristo i është bashkuar debatit për studimin e Auron Tares i cili pretendon se dy shkrimtarët Ernest Koliqi dhe Martin Camaj kanë qenë agjentë të CIA-s dhe UDB. Kristo nëpërmjet një postimi në Facebook, është shprehur, se duhet të fokusohemi më shumë tek veprat e Camajt e Koliqit dhe jo te lufta e klasave. Sipas tij, të gjithë kanë dritëhijet e tyre, por duhet t’i mëshojmë më shumë kontributit dhe vlerave estetike.

Postimi i plotë i pedagogut:

Para shumë vitesh shkova në një aktivitet në Durrës, organizuar nga Poeteka në një qendër kulturore. Ishte In Memoriam për Martin Camajn. Nuk e kisha pëlqyer atë. Më dukej i errët dhe i rrëmujshëm. Fshehur pas frazave të kërkuara dhe simbolikave të sajuara. Shkova për respekt ndaj organizatorëve dhe ndaj figurës së tij. Aty mbajti një kumtesë miku im Behar Gjoka. Behari sikur fluturonte, aq shumë gaz po i jepte. Pastaj motra ime, aktore, recitoi disa nga poezitë e Camajt. Isha shumë mosbesues. Duhej një njohje e thellë e gegnishtes për të përcjellë ligjërimin e tij poetik. Nuk ma merrte mendja që një vlonjate, ça bëre, mirëë, ta përkthente estetikën e rrallë të Camajt në emocion recitativ. Aty ishte zbulesa ime e Camajt. Me pak ndihmë nga Behari, ajo shkëlqeu. E pashë ndryshe veprën e tij. Ishte një ngjarje e papërsëritshme, organizuar bukur. Kontributi i Camajt në letërsi dhe albanologji është i pashoq. Mbaj mend gjithashtu që kam mbajtur një kumtesë vetë për Arshi Pipën. Mendje brilante pa asnjë pikë dyshimi. Kam shkuar shpesh te shkolla Ernest Koliqi e Ermal Hasimajt për të folur për letërsinë dhe kam mbetur i befasuar nga nxënësit. Kjo ideja e baltosjes nuk më ka pëlqyer kurrë. Ata pak emra që kemi t’i ruajmë. Mjaft më me luftën e klasave. Le të merremi me veprat. Të mos bëhemi pjesë e luftës botërore të përdhosjes së statujave. Ju se keni idenë sa njerëz hyjnë e dalin nëpër ambasada. Kjo nuk i bën të gjithë negativë dhe antishqiptarë. Njerëz të kulluar as ka, as ka pasur. Ka njerëz me kontribute ose jo. Të gjithë kanë dritëhijet e tyre. Le të shërbejë ky moment për t’iu kthyer kontributit dhe vlerave estetike të secilit. Mos harroni: ne mbetemi xhuxha para kokave të së shkuarës. Ne mund të rritemi vetëm po i lartësuam ata. Etj. Etj.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Pak ditë më parë portali “Peizazhe të fjalës”, publikoi studimin e fundit të Aurton Tares për Ernest Koliqin dhe Martin Camajn. Studiuesi referuar disa dokumentave të shërbimeve sekrete shqiptare dhe të huaja, pretendon se dy shkrimtarët, kanë pasur rol të dyfishtë dhe kanë bashkëpunuar me agjenturat e huaja. Menjëherë pas publikimit të studimit, është ndezur debati publik. Studiuesi Ardian Ndreca e ka quajtur dashakeq dhe të sajuar studimin. Ndërkohë shkrimtari Primo Shllaku ka kërkuar që Akademia e Shkencave të dalë me një qëndrim dhe debati të mos bëhet në Facebook. Së fundmi ka reaguar edhe mbesa e Martina Camajt, Vera Camaj, e cila ka hedhur poshtë të gjithë argumentat.

(g.sh./dosja.al)

Shto Koment