Politike

Krimet e Rënda e marrin zyrtarisht të pandehur/ Tahiri: Nuk lejoj të bëhem kurban, jam ende ministri kampion (VD)

Pasi Krimet e Rënda vendosën që të vijojë gjykimi ndaj ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, ky i fundit është shprehur jashtë ambienteve të Gjykatës se nuk do të pranonte të bëhej kurban. Sipas Tahirit, gjatë 8 orëve seancë Prokuroria nuk i tregoi se cila ishte shkelja e tij ligjore.

TIRANË– Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi gjykim e dosjes së përgatitur nga Prokuroria për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahirin. (Lexo këtu)

Jashtë ambienteve të Gjykatës, Tahiri tha për mediat se drejtësia nuk e bënte gjithmonë punën e saj por megjithatë ai nuk do ta pranonte kurrë që të ishte kurban i saj.

I pyetur nga gazetarët e pranishëm lidhur me mungesën e tij në Kongresin e socialistëve Tahiri u shpreh se kishte vendosur që nuk do të merrej me politikë deri në përfundimin e çështjes së tij.

Në fund ai u largua me premtimin se shumë shpejt do të fliste lidhur me padrejtësitë që sipas tij Prokuroria ka bërë gjatë procesit.  

Fjala e plotë jashtë Gjykatës: 

Tahiri: Ajo që vjen para është më e rëndësishme se ajo që shkoi. Tani shkojmë në gjykim dhe ky është një shans për mua për të treguar atë që kam thënë gjithmonë. Nuk dua të merrem me llojin e seancës apo të akuzës. Unë jam rezervuar gjithmonë të komentoj drejtësinë, qoftë prokurorinë apo gjykatën. Nuk dua ta bëj tani në respekt të një sistemi ku kam kontribuuar edhe unë deri diku.

Përse kërkuat gjykim të shkurtuar?

Unë kërkova që gjykimi të mos jetë një histori zvarritje e pafund. Prokroria pretendon atë që pretendon. Unë kam shumë më shumë për të pretenduar atë që pretendon prokuroria. Do t’ju lutesha juve kur të citoni dhe të saktësoni që unë do të vazhdoj deri në fund të argumentoj që nuk kam pikën e lidhjes me këtë çështje. Do ta shohim në gjykim. Drejtësia prandaj është e bukur pavarësisht se në shumicën dërrmuese nuk bën drejtësi. Por në ato pak raste kur bën drejtësi ia vlen. 

Si ishte të qëndronit 8 orë në gjykatë? Dosja juaj ka shkuar me karrocë sot në Gjykatë.

Tahiri: Kam pak zor të flas për veten në rastin kur gjendem në këto pozita. Do të ndjek me përpikëri çdo seancë. Kur kjo ndodh me mua, merre me mend për njerëzit. Nuk jam ndonjë hero i heshtur dhe as më pëlqen pozita e njeriut me poza heroike por di të them që realisht më vjen keq për njerëzit që vuajnë nga ky sistem drejtësie dhe nuk flasin dot përpara jush.

Keni kontaktuar me bashkë të akuzuarit?

Asnjë kontakt, jo!

Cilat ishin provat konkrete?

Tahiri: Ajo që keni dëgjuar. Unë i kërkova prokurorisë të bëjë një akuzë të saktë dhe të qartë. Siç e parashikon ligjin. Prokuroria duhet të tregonte cilin veprim kam bërë unë që kam shkelur ligjin. Shumë e thjeshtë. Prokuroria nuk u përgjigj. Ndërkohë që nga sot e tutje keni folur vetëm ju, sot e tutje do të flas edhe unë. Në Gjykatë dhe për publikun. Ky nuk mund të jetë më një proces i mbyllur. As një proces kur provat trafikohen. Ka kohë për të gjitha. Ky proces i ka kapërcyer nivelet e një maskarade. Por unë jam mësuar me këto dhe them që do t’ja dal. 

Çfarë shpresonit nga Gjykata?

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Çfarë të them unë tani?! Për sa kohë unë i drejtohem Prokurorisë dhe Gjykatë dhe i them: Ore më tregoni ku e kam shkelur ligjin? Dhe nuk më thonë dot një gjë çfarë të them unë.

A është Gjykata e varur apo e pavarur?

Nuk di ta them këtë. Prandaj thashë se drejtësia është e bukur. 

A bëri drejtësi Gjyqatarja sot?

Nuk dua ta komentoj se kam konflikt interesi. 

Mungesa juaj në Kongresin e socialistëve, hera e parë që nuk ishit?

Nuk kam asnjë koment! Është vendimi im për të mos bërë politikë deri kur kjo çështje që më hapi politika të mbyllet.

Ndjeheni i bërë kurban?

Nuk e ndjej veten por di të them që drejtësia i ka shumë borxhe njerëzve dhe në këtë vend në 25 vjet kanë qeverisur njerëz që kanë vjedhur dhe kanë vrarë. Unë s’kam vjedhur kërkënd dhe as kam vrarë njeri. Çdo kusuri do t’ja dal. Nuk është aq e kollajt të jem unë kurbani.  

Keni pengje? Nga një ish-ministër kampion, tashmë jeni një i pandehur zyrtar.

Jo jo unë jam prapë ministri kampion. Atë që kam bërë për Policinë e Shtetit nuk i kthehm kurrë prapa.

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, akuzohet për trafik të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Ai akuzohet se ka kryer veprat penale ‘Trafikimi i narkotikëve’, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, ‘Grup i strukturuar kriminal’ dhe ‘Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kirminal’ parashikuara nga nenet 283/a/1, 28/4/ dhe 333/a/2 të Kodit Penal.

Në maj të vitit 2018 Tahiri dorëzoi dhe mandatin e deputetit dhe u vu në dispozicion të drejtësisë. Pas kësaj organi i akuzës kërkoi sërish arrestimin e tij, por Gjykata vendosi që ta linte vetëm në masën “arrest shtëpie”. Prokuroria ka kërkuar disa herë arrestimin e tij, por Gjykata nuk ka pranuar pasi nuk ka qenë e bindur nga provat e dorëzuara.

(k.m./dosja.al)

  • Përfundon seanca për Tahirin, Gjykata kalon dosjen për gjykim të shkurtuar
  • Shto Koment