Opinione

Krimet e Berishës nuk shplajnë dot ato të Ramës

Por, sado që të rikujtoj, sot e gjithë ditën, këto dhe dhjetra bëma të një pushteti, sa personal aq edhe të korruptuar, sërish, pa hezitim, askush nuk ma ndërron dot bindjen se banda e Edi Ramës duhet kundërshtuar me të gjitha mjetet, qoftë kjo edhe me ndihmën e atyre që i ka përlyer e djeshmja.
Featured image of article: Krimet e Berishës nuk shplajnë dot ato të Ramës Andi Bushati

Akti radikal i opozitës, që e kapi në befasi pronarin e vetëm të tepsisë, ka ndërsyer një lukuni përkrahësish të Edi Ramës të nisin një fushatë rikujtimi të të gjitha të zezave të pushtetit të Berishës. Disa përmendin 21 janarin, disa implikimin e të birit të tij në Gërdec, të tjerë zgjedhjet e vjedhura lokale në Tiranë dhe sulmet ad hominem ndaj presidencës dhe prokurorisë.

Pa qenë nevoja të hap arkivën e shkrimeve të asaj kohe, mund të shtoj dhe unë dyfishin e këtyre mëkateve, që fillojnë me zgjedhjet e Ruzhdies, me privatizimet marramendëse të CEZ, ARMO apo Albpetrol, me pronarët e tyre që godisnin klubeve si gangsterë gazetarët, pa u shqetësuar se mediat (të cilave Rama atëhere u bënte “të fala”), do të raportonin për këto gjëma.

Por, sado që të rikujtoj, sot e gjithë ditën, këto dhe dhjetra bëma të një pushteti, sa personal aq edhe të korruptuar, sërish, pa hezitim, askush nuk ma ndërron dot bindjen se banda e Edi Ramës duhet kundërshtuar me të gjitha mjetet, qoftë kjo edhe me ndihmën e atyre që i ka përlyer e djeshmja.

Të pretendosh të kundërtën, pra të pretendosh se ato që kanë bërë demokratët në pushtet, janë të mjaftueshme për të lënë rilindjen në paqe, është njësoj sikur të thoshe dje, pas Gërdecit dhe 21 janarit, se nuk duhej luftuar Berisha, pasi opozita udhëhiqet nga një kryebashkiak që rrëmben milona për leje ndërtimi, që ka mbajtur pushtetin në parti dhe bashki me ndihmën e shokëve banditë, që e ka mbushur grupin parlamentar të së majtës me klientët e tij ndërtues.

Pra, njësoj, si justifikimi se duhej toleruar pushteti i Saliut apo duhet duruar ai i Edit, pasi opozitat e tyre nuk janë moralisht të denja, ka qenë në të dy kohët vetëm alibia e oportunistëve të përhershëm apo e përfituesve nga regjimet që mbretërojnë në dëm të pjesës më të madhe të shqiptarëve.

Por, thënë këtë, vijmë tek një pyetje themelore, që po e ngrenë gjithnjë e më shpesh një numër përherë e më i madh njerëzish: Pse duhej mbështetur Rama në tronditjen e regjimit të Berishës, kur dihej se ç’do të vinte më pas dhe pse duhet ndihmuar opozita sot në destabilizimin me çdo kusht të  rilindjes, kur përfundimi është i njëjtë?

A nuk është një rrahje uji në hava ky riciklim që nuk pjell asgjë të re?  

A nuk është një shpenzim i kotë energjish ky rotacion permanent që asnjëherë nuk prodhon ndryshim?

Zakonisht, këto pyetje logjike i bëjnë të gjithë ata, që shpresën e pakët në fund të tunelit e shohin tek përmbysja e kësaj klase politike dhe tek lindja e forcave të reja. Si një njeri i bindur se kjo është zgjidhja më e mirë e mundshme, madje shpresa e vetme, edhe unë, si shumë kolegë të mij, jam përballur shpesh me këto pyetje: A nuk ka një anomali në angazhimin e mbështetjes për Ramën për të rrëzuar Berishën, njësoj si tek suportimi i Lulit për t’u kthyer po aty ku ishim?

Ky konstatim, që herë bëhet përmes sharjesh dhe ofendimesh në rrjetet sociale dhe herë ngrihet në mënyrë racionale në formë moskuptimi, kërkon një shpjegim.

Po, natyrisht këtu ka një paradoks.

Por në të dy rastet, në kohë të ndryshme, këto qëndrime bashkohen nga e keqja më e vogël, nga barrikadimi për të mos lejuar instalimin përfundimtar të një regjimi. T’i kërkosh llogari atyre që përpiqen të përdorin çdo mjet për ta ndaluar këtë, është njësoj si t’i shesësh moral atij që është duke u rrokullisur në humnerë, për pastërtinë e dorës që shtrëngoi për të shpëtuar nga rrëshkitja pa kthim.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Sepse, si pas 2011 edhe tani në 2019, ajo që po luhet është beteja për të shmangur instalimin e një autokracie të pakthyeshme. Me gykësinë e pamatë dhe më dhunën e skajshme, Berisha tentoi ta arrinte atë, aq sa kundërshtarët e tij u detyruan të tubohen rreth slloganit: “të bëjmë bashkë të gjithë qelbësirat vetëm për ta rrëzuar”.

Edhe sot Edi Rama, po e përsërit historinë.

Ai ka mbledhur rreth vetes të njëjtët oligarkë, propagandën i’a bëjnë të njëjtat media, votat i’a grabisin të njëjtët banditë, partinë e ka kthyer në një sahan servilësh, qeverinë në një kope anonimësh dhe të gjitha institucionet i ka vënë nën këmbë, si në ditët më të këqija.

Prandaj rezistenca ndaj tij është përpjekja e fundit për të shmangur pikën e moskthimit.

Ajo i’a ven të provohet me çdo kosto dhe çmim. Për ta vazhduar atë duhet të injorohen edhe komplekset se po i shërben Lulit apo se ke fshirë nga memoria krimet e Gërdecit dhe 21 janarit.

Vetëm pasi kjo betejë të përfundojë, vetëm pasi ky rrezik të shmanget, mund të rihapim debatin normal për shpresën tek forcat e reja dhe fundin e misionit të kësaj klase politike.

Ndërsa për sa kohë, rrëshqitja në autokraci është prezente, ato ngjajnë si një diskutim për seksin e ëngjëjve.

Pikërisht, hipotezën rrënqethëse të një regjimi personal, po përpiqen të daravisin sot të gjithë mbështetësit e pushtetit që janë angazhuar me mish e me shpirt në evokimin e kohës së Berishës.

Ata, në mënyrë sa perfide po aq edhe mashtruese, po mundohen të trembin publikun me një rrezik që e shmangëm, për të mos parë një risk që na kanoset. Faktin që ata nuk janë, as në mirëbesim as të ndershëm me publikun, e vërteton dhe një element i thjeshtë: Se mbështeten, financohen, duartrokiten nga oborrtarët e dikurshëm të pushtetit të doktorit. Nga ata që edhe dje edhe sot predikonin status quo-në. Nga ai grusht njerëzish që kanë aftësinë e paskrupullt të përfitojnë prej mëkateve që bëhen mbi shumicën.

Pikërisht atyre dhe vetëm atyre i shërben alibia se krimet e Berishës dje mund të shplajnë ato të Ramës sot.

©Lapsi.al

Shto Koment