Editorial

Kreu i Venecias: Nga mungesa e gjykatës Kushtetuese përfiton qeveria

Presidenti i Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio thotë se në Shqipëri aktualisht mungon gjykata Kushtetuese, e kjo sipas tij, është në favor të qeverisë.
Featured image of article: Kreu i Venecias: Nga mungesa e gjykatës Kushtetuese përfiton qeveria Gianni Buquicchio, president i Komisionit të Venecias

BRUKSEL- Kryetari i Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio e sheh me skepticizëm ecurinë e Reformës në Drejtësi në Shqipëri. Gjatë një dëgjese në Bruksel që u zhvillua ditën e djeshme, Buquicchio tha se në Shqipëri aktualisht mungon gjykata Kushtetuese, e kjo sipas tij, është në favor të qeverisë.

Gjykatat Kushtetuese duhet të jenë të pavarura, në mënyrë që ata të mbrojnë sundimin e ligjit, duke vënë në dukje se politikanët janë të prirur t’i sulmojnë këto gjykata, kur nuk u pëlqen gjykimi. Aktualisht, Shqipëria nuk ka një Gjykatë Kushtetuese funksionale. Kjo ka rezultuar në situata ku ligje antikushtetuese, nga të cilat përfiton qeveria janë miratuar pa pasur mundësi për ankimim, në dëm të vendit dhe sundimit të ligjit.

Gianni Buquicchio, president i Komisionit të Venecias

Më tej, ai foli edhe për rëndësinë që ka sundimi i ligjit në vendet aspirante për t’u bërë pjesë e BE.

“Ne kemi nevojë për një qasje shumë të sofistikuar. Duhet të gjejmë një ekuilibër ndërmjet pavarësisë dhe llogaridhënies, dhe një ekuilibër mes standardeve ndërkombëtare dhe situatës. Përveç kësaj, ne duhet të vazhdojmë të japim mbështetje për shtetet e kandidatëve. Mendoj se sundimi i ligjit duhet të jetë një element kyç për të vendosur nëse një vend do të pranohet si pjesë e BE. Nga njëra anë, BE duhet të shtyjë reformat në vendet kandidate. Nga ana tjetër, perspektiva e anëtarësimit duhet të mbetet e besueshme. Vendet kandidate duhet të reformojnë bazën ligjore jo vetëm për procesin e pranimit në BE, por edhe për përfitimet e popullit të tyre “, përfundoi Buquicchio.

(f.g/dosja.al)

Shto Koment