Aktualitet

KPK shkarkon Sekretaren e Përgjithshme, a do anulohet edhe shkarkimi i gjyqtares Entela Shedula?

Shkarkimi i Sekretares së Përgjithshme është bërë për arsye se KPK duhet të ndëshkonte dikë për mosmarrjen e masave të nevojshme për pjesëmarrjen e një sekretari gjyqësor në seancën publike të dt. 04.06.2020 ora 09.00, e cila zhvillohej në Pallatin e Kongreseve.
Featured image of article: KPK shkarkon Sekretaren e Përgjithshme, a do anulohet edhe shkarkimi i gjyqtares Entela Shedula? Entela Shedula

TIRANË- Pas lajmit të publikuar në media ku Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në shkelje të rëndë procedurale vijoi seancën për shpalljen e vendimit për shkarkimin e subjektit të rivlerësimit Entela Shedula, është prerë edhe “koka e parë”. Burime nga ky institucion bëjnë me dije se është larguar personi që mbante pozicionin e Sekretarit të Përgjithshëm të institucionit. Sigurisht shkarkimi është kamufluar duke u materializuar si një “dorëheqje”.

Shkarkimi i Sekretares së Përgjithshme është bërë për arsye se KPK duhet të ndëshkonte dikë për mosmarrjen e masave të nevojshme për pjesëmarrjen e një sekretari gjyqësor në seancën publike të dt. 04.06.2020 ora 09.00, e cila zhvillohej në Pallatin e Kongreseve.
Çështja qëndron në evidentimin e personit që është realisht përgjegjës për shkeljen ligjore të kryer:

Struktura e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit është miratuar me vendimin nr. 93/2017 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë “Për miratimin e strukturës organizative, organikës dhe klasifikimit të pagave të personelit të komisionit të pavarur të kualifikimit”. Në lidhjen nr. 2 të këtij vendimi është paraqitur në mënyrë skematike struktura organiztive e KPK-së. Sipas kësaj strukture rezulton se Sekretari i Përgjithshëm është në varësinë direkte të Kryetarit të KPK-së, dhe ka nën varësi dy drejtoritë e institucionit: Drejtorinë e Menaxhimit të Çështjeve dhe Marrëdhëniet me Median dhe Publikun dhe Drejtorinë ekonomike dhe shërbimeve mbështetëse.

Në nenin 6 të rregullores “Për organizimin dhe funksionimin e administratës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK)” janë të parashikuara detyrat e Sekretarit të Përgjithshëm që konsistojnë në administrimin e çështjeve që kanë lidhje me administratën, duke i programuar, planifikuar dhe monitoruar ato, me qëllim përmbushjen e misionit dhe objektivave të institucionit.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Mirëpo, ajo që duhet të ketë parasysh Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është që ka një ndryshim midis organizimit të brendshëm administrativ të një institucioni (që sigurisht kryhet nga strukturat përkatëse sipas rregullimeve të brendshme) dhe organizimit të punës së trupave gjykues. Cilido qoftë rregullimi i brendshëm institucional i KPK-së lidhur me mënyrën e caktimit të sekretarit gjyqësor nëpër trupa gjykuese, përgjegjësi të drejtpërdrejtë në drejtimin e seancës mban ekskluzivisht vetëm trupi gjykues. Kryesuesi i trupit gjykues ka përgjegjësi dhe detyrë sipas ligjit për të siguruar mbarëvajtjen e seancës. Moskonstatimi i mungesës së sekretarit gjyqësor është tregues i faktit që detyrat nuk janë përmbushur rigorozisht konformë ligjit nga ky trup gjykues dhe kësisoj, seanca e zhvilluar është absolutisht e pavlefshme. Për pasojë, edhe vendimi i shpallur është në kushtet e paligjshmërisë.

Pra edhe nëse janë marrë masa ndëshkimore ndaj të gjithë strukturave përgjegjëse administrative të institucionit, pyetja është: Anëtaret e trupit gjykues Suela Zhegu, Xhensila Pine dhe Brunilda Bekteshi, çfarë përgjegjësie do të mbajnë në këtë rast? Cilat janë masat konkrete të ndërmarra për të rehabilituar pasojat e një veprimi në kundërshtim me ligjin siç ishte ai i shpalljes së vendimit pa mbajtjen e një procesverbali?

Që nga momenti i krijimit të KPK-së janë konstatuar shpalljet e shpeshta të vendeve vakante për pozicione të ndryshme pranë këtij institucioni. Por ky nuk është largimi i parë. Pak kohë pas krijimit të institucionit, pati një largim të Sekretarit të Përgjithshëm, të një numri të konsiderueshëm të këshilltarëve të njësisë ligjore të këtij institucioni, lëvizje në rradhët e sekretarisë gjyqësore si dhe në rang drejtori të një prej drejtorive të KPK-së. Burime për tirananews bëjnë me dije se zyrtarisht shkaqet e largimit të punonjësve variojnë nga më të larmishmet, por që në të vërtetë lidhen me “mbulimin” e shkeljeve të kryera nga “të paprekshmit”.

(Marrë nga Tirananews)

Shto Koment