Aktualitet

KPK ngre dyshime, a e fshehu prokurori Arben Allajbeu një apartament në emër të vjehrrës

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ngriti dyshime se një apartament i blerë në kryeqytet nga vjehrra e prokurorit Allajbeu mund të ishte pronë e tij, por përfaqësuesja ligjore tha se denoncimi anonim nuk ishte provë dhe mund të kishte ndikuar Komisionin.
Featured image of article: KPK ngre dyshime, a e fshehu prokurori Arben Allajbeu një apartament në emër të vjehrrës Përfaqësuesja ligjore e prokurorit Arben Allajbeu

Prokurori i Prokurorisë së Tiranës, Arben Allajbeu nuk u paraqit në seancën dëgjimore të zhvillluar të martën më 12 janar në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, ku u relatuan gjetjet e hetimit administrativ të kryer në kuadër të procesit të vetingut. Përfaqësuesja e tij ligjore, Antoneta Sevdari shpjegoi në fillim të seancës se prokurori Allajbeu nuk u paraqit për arsye shëndetësore dhe depozitoi pranë Komisionit një raport mjekësor të një dite më parë.

Trupi gjykues që po kryen procesin e rivlerësimit për prokurorin Arben Allajbeu kryesohet nga Xhensila Pine, me relatore Etleda Çiftjan dhe anëtare Pamela Qirkon. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Theo Jacobs.

Arben Allajbeu e ka filluar karrierën e tij si oficer i Policisë Gjyqësore, për t’u emëruar prokuror në Prokurorinë e Beratit në vitin 2014. Në nëntor 2016, Allajbeu u transferua në Prokurorinë e Tiranës, ku e kryen aktualisht funksionin.

Dyshimet për fshehje pasurie

Relatorja Etleda Çiftja tha në seancë se Komisioni ka kryer hetime të hollësishme mbi një apartament në Tiranë, i deklaruar nga prokurori Allajbeu se përdoret prej tij pa pagesë që nga viti 2016. Subjekti i rivlerësimit ka shpjeguar se ky apartament është blerë prej vjehrrës së tij dhe se është ende i parregjistruar në emrin e saj.

Çiftja tha se pasuria në fjalë është përfituar me kontratë premtim-shitje kundrejt vlerës 52 mijë euro që ka paguar vjehrra e subjektit me inicialet H.K. Relatorja bëri me dije se Allajbeu është pyetur se cila ishte arsyeja që vjehrra kishte blerë një apartament, ku nuk kishte jetuar asnjë ditë. Ai ka sqaruar se vjehrra e ka blerë për djalin e saj, i cili jeton dhe punon në Itali prej vitesh.

Bazuar edhe në një denoncim anonim të mbërritur pranë KPK, ku pretendoj se Allajbeu e kishte fshehur apartamentin në fjalë në emër të vjehrrës në momentin që ishte transferuar në Tiranë, Komisioni ka kryer hetim lidhur me mundësinë financiare të nënës së bashkëshortes së subjektit për të shlyer pagesën e kësaj pasurie.

Çiftja tha se nga analiza financiare ka rezultuar se vjehrra e subjektit rezultonte me balancë negative në vlerën 3.5 milionë lekë për blerjen e kësaj pasurie.

“Komisioni ka dyshime se subjekti i rivlerësimit është munduar ta fshehë apartamentin, pasi vjehrra e tij nuk pa pasur mundësi financiare për kryerjen e pagesës 52 mijë euro dhe nuk ka jetuar aty asnjëherë,” tha Çiftja.

Ajo evidentoi faktin se apartamenti është porositur dy muaj para transferimit të prokurorit Allajbeu në Tiranë dhe se ai ka jetuar aty pa pagesë. Çiftja renditi në vijim si indicie për dyshimet për fshehje, faktet se vjehrra kishte blerë vend parkimi në Tiranë dhe në Berat, edhe pse nuk zotëron dhe nuk përdor makinë, dhe se djali i saj nuk ka rezultuar të kishte burime të ligjshme për investimin e kryer.

Avokatja Sevdari tha në seancë se denoncimi anonim ka ndikuar në anën subjektive të Komisionit.

“Gjithashtu çmojmë se denoncimet anonime nuk kanë vlerën e provës,” tha Sevdari, duke argumentuar se subjekti nuk mund të mbrohet në këto kushte.

Sipas Sevdarit, në këtë rast zbatohet prezumimi i pafajësisë së subjektit dhe se KPK duhet të vërtetojë jashtë çdo dyshimi të arsyeshëm dyshimin e ngritur. Avokatja shtoi gjithashtu se legjislacioni shqiptar dhe sugjerimet e Komisionit të Venecias e detyrojnë Komisionin që të jetë i kujdeshshëm në nxjerrjen e konkluzioneve.

“Fakti se e ka përdorur këtë apartament pa ndëprerje nuk qëndron, pasi ai nuk e ka përdorur kur ka punuar në Durrës dhe rezulton se e ka kërkuar vetë transferimin në këtë qytet. Kjo e rrëzon dyshimin e Komisionit,” tha Sevdari dhe e konsideroi si paragjykim konstatimin e KPK se apartamenti ishte porositur dy muaj para transferimit të Allajbeut në Tiranë.

“Familja e subjektit nuk erdhi asnjëherë në Tiranë dhe vazhdon të jetë jetojë në Berat, çka tregon se nuk ka pasur interesa për krijimin e pasurive në kryeqytet,” shtoi Sevdari.

Ajo shtoi se djali i vjehrrës jetonte dhe punonte prej 20 vitesh në Itali dhe kishte krijuar të ardhura të mjaftueshme. Në përfundim ajo kërkoi që vjehrra e subjektit të mos konsiderohej si person tjetër i lidhur, pasi nuk ekzistonte interesi pasuror.

Vëzhguesi ndërkombëtar Theo Jacobs e krahasoi lënien e apartamentit në përdorim pa pagesë me një dhuratë. “Subjekti ka jetuar një vit e gjysmë në këtë apartament, duke kursyer një vlerë të konsiderueshme. Përse pretendohet se nuk është person tjetër i lidhur?” pyeti ai.

Përfaqësuesja ligjore u përgjigj se në këtë rast, marrëdhënia ishte në formën e huapërdorjes pa shpërblim dhe se mund të ishte si një kompesim. “Si një kompesim për mbajtjen e fëmijëve,” tha ajo, ndërsa ritheksoi se nuk ka qenë interesi i Allajbeut që të vinte në Tiranë.

Denoncuesi anonim ka pretenduar se kur subjekti i rivlerësimit ishte drejtues prokurorie në Berat, babai i tij është favorizuar me mbylljen e hetimit për ndërtimin pa leje të një shtëpie dy katëshe në këtë qytet. Nga hetimi ka rezultuar se çështja është mbyllur për shkak të amnistisë.

Komisioni e ka hetuar edhe lidhur me mundësinë e prindërve të subjektit për kryerjen e investimeve në banesën dy katëshe në Berat, prej nga ka rezultuar balancë negative në shumën 2.9 milionë lekë.

Sevdari e konsideroi të pasaktë analizën financiare për shtëpinë e ndërtuar në Berat. Ajo pretendoi se vlera totale e investimit ishte 2 milion lekë dhe jo 3 milion lekë sa konkludon Komisioni. Sipas avokates Sevdari, nëna e subjektit kishte ushtruar aktivitet privat dhe kishte të ardhura të konsiderueshme, Ajo tha se të ardhurat e të gjithë familjes ishin shumë më të larta se balanca negative e konstatuar.

Për një apartament të blerë në vitin 2007 kundrejt vlerës 15 mijë euro, prokurori Allajbeu ka deklaruar një kredi, po në atë shumë.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Relatorja Çiftja tha se nga verifikimi i dokumentacionit ka rezultuar se kredia në vlerën 15 mijë euro ishte disbursuar në favor të shtetasit E.K., i cili nuk ishte shitësi i apartamentit, me objekt kthim borxhi. Sipas relatores, subjekti i rivlerësimit kishte shjeguar se shitësi kishte kërkuar vlerën para nënshkrimit të kontratës dhe për këtë arsye, kishte marrë huanë 15 mijë euro tek miku i tij E.K., për pak ditë.

Huaja ka rezultuar e materializuar me deklaratë noteriale të vitit 2007, por është konstatuar se huadhënësi nuk ka pasur mundësi financiare për dhënien e shumës 15 mijë euro prokurorit Allajbeu.

Avokatja Sevdari tha në seancë se huaja ishte marrë për pak ditë dhe se në atë kohë, i mbrojturi prej saj nuk ishte prokuror. Sipas saj, huadhënësi kishte pasur të ardhura të mjaftueshme të siguruara nga puna e tij dhe e familjarëve. “Subjekti nuk ka pasur mundësi të gjejë dokumentet se huadhënësi jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” sqaroi Sevdari dhe konsideroi se mosparaqitja e dokumenteve justifikuese për të ardhurat e huadhënësit ishte për shkaqe të arsyeshme.

Komisioni konstaton se prokurori Arben Allajbeu nuk ka pasur burime të mjaftueshme financiare për dhënien e një huaje në vlerën 10 mijë euro motrës së tij në vitin 2014.

Si burim të krijimit të kësaj shume, Allajbeu ka deklaruar të ardhurat nga pagat e tij si oficer i policisë gjyqësore dhe pagat e bashkëshortes si mësuese për periudhën 2005-2014. Nga analiza financiare e kryer prej KPK ka rezultuar balancë negative në shumën 2.2 milionë lekë.

Avokatja Sevdari kërkoi që analiza financiare të shtrihej edhe për periudhën 2002-2004. Ajo shtoi se Komisioni kishte përfshirë në analizë një shpenzim në apartamentin e Durrësit, që nuk ishte kryer kurrë dhe kërkoi zbritjen e kësaj vlere financiare.

Jacobs solli në vëmendje se prokurori Arben Allajbeu nuk kishte deklaruar kursime në vitin 2004 dhe se analiza për periudhën 2002-2004 nuk mund të sillte rezultat ndryshe.

Allajbeu ka rezultuar në pamundësi edhe për dhënien e një huaje në shumën 7000 euro prindërve të tij në vitin 2017. Si burim krijimi të kësaj vlere, subjekti ka deklaruar të ardhurat nga shitja e një makine në vitin 2016. Komisioni ka gjetur se mjeti është shitur në shumën 161 mijë lekë më shumë nga çmimi i blerjes, ndërkohë që nuk është vërtetuar pagimi i tatimit të fitimit.

Çiftja tha se si pasojë e moskonsiderimit të të ardhurave nga shitja e mjetit, ka rezultuar se prokurori Allajbeu ka qenë me balancë negative në vlerën 436 mijë lekë në momentin e dhënies së huasë.

Sevdari e kundërshtoi edhe këtë gjetje të KPK dhe kërkoi që në analizën financiare të përfshiheshin të ardhurat e përfituara nga shitja e makinës.

Nga analiza financiare e kryer gjatë periudhës 2005-2014, kur Allajbeu ka ushtruar detyrën e oficerit të policisë gjyqësore ka rezultuar balancë negative në vlerën totale 2.2 milionë lekë.

Komisioni e ka shtrirë hetimin edhe gjatë periudhës kur subjekti ka mbajtur funksionin e prokurorit, prej nga janë konstatuar balanca negative për secilin vit.

Sevdari evidentoi se bazuar në legjislacionin për vetingun, KPK nuk kishte kompetencë për ta shtrirë hetimin administrativ edhe pas plotësimit të deklaratës veting nga ana e subjektit dhe solli në vëmëndje edhe qëndrimet e KPA-së.

“Të ardhurat e familjes së subjektit janë të ligjshme dhe mbulojnë të gjithë pasurinë dhe shpenzimet e kryera,” tha Sevdari.

Figura dhe profesionalizmi

Relatorja Çiftja shpjegoi se DSIK kishte dorëzuar dy raporte, ku në të fundit kishte konstatuar papërshtatshmërinë e prokurorit Allajbeu për vazhdimin e detyrës. “Duket se ka informacione për përfshirjen e subjektit të rivlerësimit në veprime të kundërligjshme që cenojnë figurën e magjistratit”, tha Çiftja, por nuk paraqiti konkluzion të KPK-së.

Sevdari vuri në dukje se Komisioni nuk i kishte kaluar subjektit barrën e provës për kriterin e pastërtisë së figurës, edhe pse i kishte kërkuar shpjegime. “Kur nuk paraqiten provat, si do mbrohet subjekti dhe si do të mundet të japë shpjegime për prova që nuk i njeh,” tha ajo, ndërsa insistoi se në këto kushte nuk mund të merrej masë disiplinore për figurën.

Për kriterin e profesionalizmit, u relatua lidhur me një rast kur gjykata kishte prishur një vendim pushimi të prokurorit Allajbeu dhe kishte urdhëruar kryerjen e veprimeve hetimore.

Sevdari shpjegoi se subjekti kishte dhënë dorëheqjen nga kjo çështje dhe se prokurori tjetër e kishte pushuar sërish, vendim që ishte gjetur më pas i drejtë edhe nga gjykata.

Çiftja pohoi se ndaj Allajbeut ishte depozituar vetëm denoncimi anonim dhe risolli në vëmendje se hetimi ndaj babait të subjektit për ndërtimin pa leje të shtëpisë në Berat ishte pushuar për shkak të aministisë.

Në përfundim të seancës, avokatja Sevdari tha se prokurori Arben Allajbeu kishte arritur nivel të besueshëm për kriterin e pasurisë dhe pastërtisë së figurës, si dhe aftësi të mira për profesionalizmin. Ajo kërkoi konfirmimin e Allajbeut në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 14 janar, ora 09:30.

Marrë nga Monitor.al

Shto Koment