Aktualitet

KPA lë në fuqi vendimin për shkarkimin e prokurorit Arben Pasho

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi me shumicë votash të rrëzojë ankimin e kryer nga ish-drejtuesi i Prokurorisë së Gjirokastrës, Arben Pasho kundër vendimin të Komisionit.
Featured image of article: KPA lë në fuqi vendimin për shkarkimin e prokurorit Arben Pasho Aben Pasho

TIRANË – Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA njoftoi të mërkurën vendimin lidhur me ankimin e kryer nga ish-drejtuesi i Prokurorisë së Gjirokastrës, Arben Pasho kundër vendimmarrjes së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, për shkarkimin e tij.

Arben Pasho u shkarkua nga KPK më 16 maj 2019, pasi u gjet në kushtet e konfliktit të interesit dhe në vlerësimin tërësor u konsiderua se ai kishte cenuar besimin e publikut tek drejtësia.

Në njoftim thuhet se trupi gjykues i KPA, i kryesuar nga Ardian Hajdari, me relatore Natasha Mulajn dhe anëtarë Albana Shtyllan, Rezarta Schuetz e Sokol Çomon, me shumicë votash vendosi të rrëzojë ankimin e ish-prokurorit Arben Pasho duke e larguar atë përfundimisht nga sistemi i drejtësisë.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Pasho u penalizua për shkak të marrjes së një shume 14 mijë euro nga biznesmeni I.M., me qëllim pagesën e shkollimit të djalit. Hetimi zbuloi se I.M. ishte hetuar tri herë nga Prokuroria e Gjirokastrës dhe në një rast nga vetë Pasho, ku ishte vendosur pushimi i hetimeve për veprat penale “pastrimi i parave”, “ndërtim i paligjshëm” dhe “shpërdorim i tokës”. Komisioni vendosi se Arben Pasho gjendej në kushtet e konfliktit të interesit në këtë marrëdhënie.

Prokurori Arben Pasho drejtonte Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër që prej vitit 2011 deri në vendimin e shkarkimit të tij nga detyra prej KPK-së. Më parë ai ka punuar si prokuror edhe në Sarandë e në Tepelenë.

Marrë nga Reporter.al 

Etiketa:

Shto Koment