Rajoni

Kosova të hënën me qeveri të re, Mustafa i gëzuar: VV s’do të bëjë rezistencë, do i lëshojë zyrat. Kurti: Gjykata u rreshtua me kapësit e shtetit!

Lajm i mirë ky ka qenë edhe për ish-kryeministrin Ramush Haradinaj. Haradinaj ka bërë thirrje që të formohet sa më shpejt qeveria e Avdullah Hotit, i mandatuar tashmë nga presidenti Hashim Thaçi. Vetë kryeministri i ardhshëm, ka theksuar se është koha që të gjitha palët të bashkohen për të ardhmen e vendit dhe qytetarëve.
Featured image of article: Kosova të hënën me qeveri të re, Mustafa i gëzuar: VV s’do të bëjë rezistencë, do i lëshojë zyrat. Kurti: Gjykata u rreshtua me kapësit e shtetit! Lideret politike ne Kosove

KOSOVE– Një ditë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila vendosi që vendi të mos shkojë në zgjedhje të parakohshme por të krijohet qeveria e re nga Kuvendi, deklaratat kanë vijuar nga të gjitha palët.  Kryeministri në ikje, Albin Kurti e ka cilësuar këtë një “rreshtim” me kapësit e shtetit, ndërsa rivali i tij politik, Isa Mustafa u shpreh optimist se vendimi nuk do të kundërshtohej dhe se qeveria e re do të votohej të hënën në Kuvend.

Lajm i mirë ky ka qenë edhe për ish-kryeministrin Ramush Haradinaj. Haradinaj ka bërë thirrje që të formohet sa më shpejt qeveria e Avdullah Hotit, i mandatuar tashmë nga presidenti Hashim Thaçi. Vetë kryeministri i ardhshëm, ka theksuar se është koha që të gjitha palët të bashkohen për të ardhmen e vendit dhe qytetarëve.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Mbrëmjen e djeshme, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur me votë unanime që vendi nuk shkon në zgjedhje pas mocionit të mosbesimit, por hapet rruga për krijimin e qeverisë së re. Me këtë vendim gjykata i ka dhënë të drejtë presidentit Hashim Thaçi për dekretin e tij që ka mandatuar Abdullah Hotin për të formuar qeverinë e re të Kosovës,e  dakordësuar nga të gjitha partitë përveç Vetëvendosjes që kërkoi zgjedhje por deklaroi se do të respektonte çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese.

(F.g/dosja.al)

  • 14:31

    Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë, Thaçi: Të formohet sa më parë qeveria e re

    Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u ka bërë thirrje partive politike, që të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila  dha të drejtë, Abdullah Hotit, për formimin e qeverisë së re. Në një deklaratë për mediat, Thaçi u shpreh se ka qenë i kujdesshëm, që çdo veprim i tij, të ishte në përputhje me Kushtetutën e vendit.

    Kam qenë i kujdesshëm në çdo hap që e kam ndërmarrë që të jem në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e vendit Kjo u konfirmua edhe mbrëmë me vendim unanim ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Më e rëndësishmja është se Kushtetuesja e konfirmoi se Kuvendi i Kosovës është institucioni më i lartë politik në vend. U konfirmua se vullneti i qytetarëve të përfaqësuar janë të gjitha partitë jo vetëm vullneti i një partie”, tha ai.

    Hashim Thaçi

    Më tej presidenti u bëri thirrje institucioneve, që të formojnë sa më parë qeverinë e re.

    Tani duhet që sa më parë të themelohet Qeveria e re, pasi rrethanat kërkojnë Qeveri funksionale efektive dhe efikase.U bëjë thirrje të gjitha institucioneve, të gjitha partive politike të zbatojnë të gjitha vendimet e Gjykatës KushtetuesePra, të zbatojnë dhe respektojnë vendimin. I ftoj liderët institucionalë dhe partiakë të punojnë së bashku që të kemi një tranzicion të rregullt demokratik. Edhe mediat dhe Shoqëria civile i ftoj që t’i kontribuojnë këtij tranzicioni, forcimit të demokracisë, forcimit të institucioneve dhe respektimit të kushtetueshmërisë në Republikën e Kosovës. Duhet ta ruajmë rendin kushtetues dhe integritetin e sistemit të drejtësisë në Kosovë që po vlerësohet edhe prej qytetarëve por edhe prej të gjithë bashkësisë ndërkombëtare. Ta ruajmë paqen dhe stabilitetin”, përmbylli Thaçi.

  • 12:34

    Qeveria e re e Kosovës, Isa Mustafa: Seanca mund të zhvillohet nesër ose të hënën

    Isa Mustafa, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të mandatuar kryeministrin e ri të vendit. Mustafa ka thënë sot para mediave se seanca për votimin e qeverisë së re mund të mbahet nesër apo të hënën. Para takimit me strukturat partiake, Mustafa ka thënë se nuk besojnë që do të hasin në rezistencë për të liruar zyrat e qeverisë.

    “Mbledhje të kryesisë nuk kemi, ka konsultime lidhur me thirrjen e seancës së Kuvendit. Tani do të shohim edhe me kryetarin e Grupit parlamentar dhe me kandidatin tonë për kryeministër se kur do thirret mbledhja e Kuvendit por edhe me partneret tanë, AAK, Nismën dhe partnerët tjerë… tani ekziston një mundësi që një seancë të mbahet nesër, ekziston edhe mundësia që të mbahet të hënën”, ka thënë Mustafa.

  • 12:02

    Kurti: U rreshtua me kapësit e shtetit, beteja jonë vazhdon!

    Albin Kurti, kryeminister ne ikje i Kosoves

    Kryeministri në ikje i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i marrë dje në mbrëmje që i jep të drejtë dekretin të presidentit Hashim Thaçi, për të evituar zgjedhje të parakohshme në Kosovë. Vendimi që lë pa mundësi zgjedhje Kosovën, duke sjellë një qeveri të zgjedhur nga parlamenti, e Kurti kalon në opozitë. Në një reagim përmes rrjeteve sociale, Kurti thotë se shumica në Kuvend është fiktive. Më tej, ai thotë se: Fatkeqësisht, Gjykata Kushtetuese u rreshtua me kapësit e shtetit.”

    REAGIMI I PLOTË:

    Mbrëmë natën, në orët e vona, morëm njoftimin nga Gjykata Kushtetuese lidhur me Aktgjykimin për dekretin antikushtetues të Presidentit. Le të themi qysh në fillim, se në tekst dhe nëntekst nuk gjendet shumë lidhur me çështjet kushtetuese sa me metodën e pashembullt të shprehjes së parullave disiplinuese-ndëshkuese. Mund të gjenden pak ose aspak raste në botën demokratike kur fituesi i zgjedhjeve dhe vetë qeveria në detyrë janë të gatshëm për zgjedhje të reja dhe kjo ju pamundësohet nga Gjykata Kushtetuese dhe Presidenti duke u thirrur në shumica fiktive në Kuvend dhe duke spërdredhur deklarimet dhe shkaqet objektive siç ishte gjendja e rëndë e pandemisë.

    Në vend se të bëjë interpretim të Kushtetutës, Gjykata duket se kishte këtë qasje: meqë presidenti ka të drejtë, le të përpiqemi ta arsyetojmë. Gjykata ka theksuar se në vitet 2010 dhe 2017, pas mocioneve të suksesshme të mosbesimit, nuk ka pasur vullnet dhe as shumicë në Kuvend për të formuar një Qeveri të re, mirëpo se si e kanë konstatuar këtë nuk dihet, pasi shpërndarja e Kuvendit ka qenë automatike. Është e vërtetë që Presidenti s’ka një të drejtë absolute për të shpërndarë Kuvendin, por, pikërisht për këtë arsye, ajo është e kufizuar në mocionin e mosbesimit si kriter për këtë.

    Gjykata e ka shkruar njoftimin në mënyrë të atillë thua se fituesi i zgjedhjeve nuk ekziston fare, sikur fituesi të jetë inexistent. Ndërkaq, në anën tjetër, Gjykata shlyen dallimin midis shkarkimit dhe dorëheqjes së ekzekutivit. Gjykata paragjykon kur thotë se fituesi jo vetëm që s’ka propozuar një kandidat, por as që ka shprehur interesimin për një gjë të tillë. Kjo nuk qëndron, sepse në vazhdimësi është theksuar nga ne se fituesi i zgjedhjeve nuk po heziton dhe nuk po refuzon. Në disa raste Gjykata në vend të interpretimit është marrë me shkrim e rishkrim të Kushtetutës, psh. në pikat 13 dhe 18.

    Formulimet e llojit ‘… Gjykata thekson se është e vetëkuptueshme, që ky ‘konsultim’ formal, duhet të përmbyllet sa më shpejtë që të jetë e mundur dhe ngërthen në vetvete kërkesën për dinamikë të shpejtë ndërveprimi’, apo, ‘E drejta për të propozuar mandatarin për Kryeministër është edhe përgjegjësi edhe privilegj’ përbëjnë shembuj eklatant të kreativitetit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese në shprehjen e admirimit të tyre ndaj vendimeve të Presidentit të vendit. Një vlerësim të plotë e të hollësishëm nga këshilltarët tonë ligjorë do të mund ta kemi pasi ta marrim tekstin e plotë të Aktgjykimit. Fatkeqësisht, Gjykata Kushtetuese u rreshtua me kapësit e shtetit. Ajo foli për veten, më parë e më shumë sesa për çështjen që trajtoi. Ajo e vulosi veten, ajo e zhvlerësoi veten. Beteja jonë vazhdon, bashkë me popullin e vetëdijësuar, kundër kësaj kaste të korruptuar. Për fund, ne njëmend nuk kemi pasur shpresa të mëdha për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, mirëpo, ky vendim është përtej imagjinatës e nën çdo nivel (logjik e juridik). Si i padrejtë, ai është i papranueshëm. Për hapat tjerë politik do të njoftojmë qytetarët në ditët në vijim.

  • 11:52

    Raportuesja e PE për Kosovën: Nuk ka alternativë tjetër

    Viola von cramon

    Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola Von Cramon, ka kërkuar nga partitë politike në Kosovë, që të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila legjitimoi dekretimin e Abdullah Hotit, nga presidenti Thaçi. Nëpërmjet një postimi në Twitter, ajo është shprehur se palët duhet të presin zgjedhjet e ardhshme, ndëse duan ndryshime. Sipas saj, reagimi nga populli është i kuptueshëm, por nuk i zgjidh problemet.

    “Mbizotërim i ligjit, do të thotë respektimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nuk ka alternativë tjetër. Vetëm zgjedhjet mund të ndryshojnë përbërjen e parlamentit. Tashmë është përgjegjësi e Abdullah Hotit, që të mbledhë shumicën dhe të krijojë një qeveri të qëndrueshme për Kosovën”, shkruan raportuesja e PE.

    Mesazhi në Twitter
  • 09:29

    “Lufta politike është e tillë”, Kreu i grupit parlamentar të LDK-së: Para të hënës do mbahet seanca për Qeverinë Hoti

    “Vendimi është i qartë dhe i pritshëm, sepse ka qenë e qartë kur është shkruar Kushtetuta. Ka qenë e qartë kur është interpretuar kjo çështje në vitin 2014 dhe qëndrimi që ne bashkarisht kemi mbajtur me Vetëvendosjen dhe partitë e tjera në atë kohë të opozitës dhe është i qartë edhe sot. Vullneti i popullit deklarohet në Kuvend dhe Kuvendi përmes vullnetit të popullit vendos për institucionet e tjera”.

    Ai në Klan Kosova ka treguar se kur pritet që të procedohet për thirrjen seanca e jashtëzakonshme për votimin e Qeverisë Hoti.

    “Pasi vendimi është nxjerrë në orët e vona ne akoma nuk jemi konsultuar, por besoj se nesër në mëngjes do të konsultohemi. Procedura është shumë e thjeshtë, duhet vetëm një letër për Kryetaren e Kuvendit nga unë si Kryetar i Grupit Parlamentar ku caktojmë ditën dhe orën kur mbahet seanca, derisa të tjerat janë të përfunduara”.

    Gashi beson se para të hënës do të mbahet seanca për votimin e qeverisë së re.

    Por, a i ka votat kjo qeveri?

    “Unë kam dorëzuar në Zyrën e Parashtresave të Kuvendit kërkesën për seancë me 61 nënshkrime dhe kjo çështje e votave nuk besoj se është më çështje diskutimi. Për formimin e qeverisë duhen të paktën 61 deputetë dhe unë minimumin e nevojshëm për formimin e qeverisë tashmë e kam dorëzuar”.

    Çfarë reagimi pret Arben Gashi nga Lëvizja Vetëvendosje?

    “Vetëvendosja e ka përkrahur këtë opsion kushtetues për Kosovën në vitet 2014 dhe 2017. Besoj se shumë shpejt do ta kalojnë dhe do të vazhdojmë të bashkëpunojmë, siç kemi bashkëpunuar në pushtet dhe opozitë. Lufta politike është e tillë”.

    Marrë nga GazetaExpress

  • 08:54

    Kryeministri i ardhshëm, Hoti: Është koha të bashkohemi për vendin

    Avdullah Hoti

    Avdullah Hoti, i cili pritet të marrë postin e kryeministrit në Kosovë, ka reaguar për vendmin e Gjykatës Kushtetuese. Ai ka theksuar se është koha që të bashkohemi për të ardhmen e vendit dhe qytetarëve.

    “Si mandatar për kryeministër të Qeverisë së Kosovës, mirëpres vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Është koha të bashkohemi për të ardhmen e vendit dhe qytetarëve tanë”, është shprehur Hoti.

  • 08:24

    Kim Mehmeti: Gjykata Kushtetuese ia dorëzoi Kosovën zhvatësve “proamerikanë”

    Kim Mehmeti

    Analisti Kim Mehmeti ka reaguar për vendimin e Gjykatës Kushtetuese në Kosovë, sa i përket qeverisë së re. Nëpërmjet një postimi në Facebook, Mehmeti thekson se me këtë vendim Gjykata Kushtetuese e la vendin në dorë të zhavatësve “proamerikanë”. Ai nënvizon se ky vendim po e çon popullin drejt përçarjeve të mëdha politike.

    “Në vend që Kosovën t’ia kthejë popullit dhe votuesve, Gjykata Kushtetuese atë ua dorëzoi zhvatësve të saj ‘proamerikanë’ të dalë nga ‘Strofulli i Gjarprit’! Me çka mbase me vetëdije popullin e çon drejtë përçarjeve të mëdha politike!”, shprehet ai në një postim në Facebook.

  • 07:59

    Nënkryetari i LDK Agim Veliu: Vendimi është i pranueshëm

    Agim Veliu

    Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese rreth dekretit të presidentit të vendit, Hashim Thaçi, për mandatarin për kryeministër.

    Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur me votë unanime që vendi nuk shkon në zgjedhje pas mocionit të mosbesimit, por hapet rruga për krijimin e qeverisë së re.

    Gjykatësit kanë marrë vendim edhe sa i përket afatit që ka mandatari për krijimin e qeverisë, por pro kësaj kanë votuar 7 gjykatës, 2 kanë dalë kundër. “Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, sikurse edhe vendimet tjera të kësaj gjykate, është i pranueshëm”, ka deklaruar Veliu. “Ne vazhdimësi, edhe para vendimit, LDK ka deklaruar se e pranon çfarëdo vendimi të Kushtetueses”, ka thënë Veliu në një prononcim për Gazetën Express.

  • 07:34

    “Kundër mafias ballkanase”/ Burri i Albulena Haxhiut: Do të luftojmë deri në fund kundër diktaturës

    Burri i ministres në detyrë të Drejtësisë, Albuena Haxhiut – Alban Krasniqi, përmes një shkrimi ka thënë se nuk do ta pranojë diktaturen dhe se do të luftohet deri në fund për t’i mbrojtur, siç i cilëson ai, të drejtat e tyre, demokracinë, shtetin dhe të ardhmen e fëmijëve. Ky reagim erdhi pasi sot Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur me votë unanime që vendi nuk shkon në zgjedhje pas mocionit të mosbesimit, por hapet rruga për krijimin e qeverisë së re. Tutje, Krasniqi shkroi “Mjaft mbështetje të krimit, korrupsionit dhe mafisë ballkanase”.

    Reagimi i Alban Krasniqit
  • 07:30

    Ministrja e Drejtësisë në Kosovë kundër Gjykatës Kushtetuese: I dha një grusht vullnetit të popullit

    Albulena Haxhiu

    Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka quajtur skandaloz vendimin e Gjykatës Kushtetuesese që qeveria e re të formohet nga kuvendi aktual. Haxhiu përmes një postimi të shkurtër në Facebook, ka deklaruar se Kushtetuesja i dha një grusht vullnetit të popullit.

    “Gjykata Kushtetuese i dha grusht vullnetit të popullit! Vendim skandaloz!”, ka shkruar Haxhiu në rrjetet sociale. 

  • 07:24

    Ramush Haradinaj: Të formohet sa më shpejt qeveria Hoti, Kosova nuk ka kohë për të humbur

    Ramush Haradinaj

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka bërë thirrje që të formohet sa më shpejt qeveria e Avdullah Hotit. Në një postim në Facebook, Haradinaj thekson se çdo ditë e humbur ka kosto për ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve.

    “Përshëndes aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili i hap rrugë formimit të Qeverisë së re. Ftoj të gjitha palët që ta respektojnë këtë vendim dhe të veprojnë konform tij. I mandatuari për krijimin e Qeverisë së re, Avdullah Hoti, duhet që sa më parë të kompletojë ekipin dhe Kuvendi pa humbur kohë të caktojë seancën për votimin e Qeverisë. Në rrethanat e krijuara, çdo ditë e humbur ka kosto për ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve. Kosova nuk ka kohë për të humbur”, shprehet ai.

Shto Koment