DiasporaRajoni

Kosova pas zgjedhjeve, brenda PDK-së kërkohet përgjegjësi për humbjen e thellë

Anëtari i Këshillit Drejtues të kësaj partie, Lirak Çelaj, thotë se kjo humbje nuk mund të kalojë në heshtje dhe se dikush duhet të marrë përgjegjësi për këtë rezultat. Ai më tej ka përmendur edhe mundësinë për zgjedhje të brendshme të partisë.
Featured image of article: Kosova pas zgjedhjeve, brenda PDK-së kërkohet përgjegjësi për humbjen e thellë Foto ilustruese

KOSOVË- Kosova ka përfunduar numërimin e votave për zgjedhjet, pa përfshirë ato të Diasporës ato me kusht për të cilën nuk është përcaktuar datë se kur do të numërohen.

Brenda Partisë Demokratike të Kosovës po kërkohet përgjegjësi për rezultatin e arritur në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, derisa vlerësohet se reformat brenda partive nuk japin efektet e pritura, transmeton Insajderi.

Anëtari i Këshillit Drejtues të kësaj partie, Lirak Çelaj, thotë se kjo humbje nuk mund të kalojë në heshtje dhe se dikush duhet të marrë përgjegjësi për këtë rezultat. Ai më tej ka përmendur edhe mundësinë për zgjedhje të brendshme të partisë.

Më 14 shkurt, ditë që përkoi edhe me Shën Valentinin, qytetarët e Kosovës por edhe ata që jetojnë jashtë vendit zgjodhën me votë emrat që do të jenë pjesë e parlamentit të ri. Në zgjedhjet në Kosovë garuan 28 subjekte politike për 120 vende në parlament. Në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit, të drejtë vote kishin 1.794.862 qytetarë. Pjesëmarrja në votime ishte 46.90 %, më shumë se në vitin 2019.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Zgjedhjet e Kosovës spikatën kësaj here pasi partitë politike garuan me emra konkretë për postin e kryeministrit, i cili zgjidhet më pas nga Kuvendi. VV kishte Albin Kurtin si kandidat për kryeministër, i cili nuk u lejua të garonte nga KQZ për shkak të problemeve me ligjin. LDK garoi me kryeministrin në detyrë, Avdullah Hotin dhe PDK me Enver Hoxhajn. Synimet janë të forta edhe për postin e presidentit.

Vjosa Osmani është emri i Vetëvendosjes, ndërsa edhe Ramush Haradinaj ka të njëjtën dëshirë për tu emëruar president. Presidenti i ri do të zgjidhet nga parlamenti dhe për zgjedhjen e presidentit në Kosovë duhen 2/3 e deputetëve në sallë dhe zgjedhja mund të arrihet në tri raunde, që në rast se dështojnë atëherë vendi kalon menjëherë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Edhe në rast se presidenti zgjidhet, VV-së i duhen 61 mandate për të krijuar qeverinë e re dhe e ka të nevojshme një parti tjetër në koalicion.

(d.a/dosja.al)

  • 23:13

    Kthimi në vendlindje për t’i ndihmuar romët


    Bëri mijëra kilometra që të vijë në Prizren dhe të garojë në zgjedhjet e 14 shkurtit. Orhan Galushi ka 35 vjet që është larguar nga vendlindja dhe jeton në Holandë. Ky 65-vjeçar, që i takon komunitetit rom, punon si gazetar në Amsterdam. Ai dhe partia me të cilën ka garuar në këto zgjedhje, Kosovaki Nevi Romani Partia, nuk ka fituar në zgjedhjet e së dielës së kaluar. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai tregon se përse u kthye në Kosovë. “Ju e dini që romët janë në margjinë këtu në Kosovë, edhe njerëzit në Kosovë duhet të edukohen se si duhet të përdoren elementet e demokracisë. Secili e dimë që edukimi është rruga për të qenë i lirë. Pse romët janë pa shkollë? Çfarë ka ndodhur këtu? Çfarë historie ka? Unë do të bëhem një urë e fortë, e mirë, e bukur, që romët e Kosovës të arrijnë të zhvillojnë aso projektesh që standardi i romëve dhe kosovarëve do të ndryshojë”, thotë Galushi. Lagjja ku është rritur, nuk ka ndryshuar shumë. Kushtet për të jetuar janë ende të vështira. Orhani tashmë ka filluar t’i vizitojë familjet për të parë se çka u mungon atyre. Papunësia te komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas është më e lartë se te komunitetet tjera. Ankesat e banorëve të lagjes së Orhan Galushit, kanë të bëjnë pikërisht me papunësinë. “Burri s’po punon, unë s’po punoj, çika s’po punon. Vetëm me def(dajre) po shkoj. Po të mos ishte defi, unë vdes urie”, thotë një grua rome derisa bisedon me Orhan Galushin. Dëshira e Orhan Galushit, është që t’i ndihmojë të rinjtë e komunitetit rom, të ndjekin ëndrrat e tyre. “Së bashku me ju duhet ngadalë të formojmë një grup, një grup të madh me gjeneratën e re, në mënyrë që studentët që janë, do të zhvillojnë, do të japin kontribut për popullin tonë, për Kosovën sidomos”, thotë Galushi pas takimit me disa të rinj të komunitetit rom në Prizren. Komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptas (RAE), njihen zyrtarisht si komunitete të veçanta në Kosovë dhe sipas kushtetutës gëzojnë të drejtat e barabarta me të gjitha komunitetet tjera. Sipas regjistrimit të popullsisë të bërë në vitin 2011, në Kosovë jetojnë deri në 40 mijë qytetarë të këtyre komuniteteve. Ndërkaq, sipas të dhënave të publikuara në ueb-faqen e Zyrës për çështje të komuniteteve në kuadër të Zyrës së kryeministrit të Kosovës, norma e papunësisë te komunitetet vlerësohet ndërmjet 90 për qind dhe 100 për qind. Sipas të dhënave nga Qendra Dokumentuese për Rom, Ashkali dhe Egjiptas, deri në 80 për qind e pjesëtarëve të këtyre komuniteteve, janë të papunë.Pse fëmijët romë nuk ndjekin shkollimin? Organizatat që merren me mbrojtjen e komuniteteve jo-shumicë në Kosovë, thonë se niveli i përfshirjes së fëmijëve të komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian në edukim, është shumë i ulët. Sofia Toska nga organizata kosovare për edukim tregon për Radion Evropa e Lirë se përse fëmijët dhe të rinjtë e komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian, nuk vijojnë mësimin. “Duke filluar nga nevojat esenciale, si mungesa e higjienës jo të duhur personale, mungesa e veshmbathjeve, nënvlerësimi i shkollimit nga ana e prindërve, mungesa e përkrahjes nga prindërit në këtë drejtim, mungesa e vetëbesimit dhe sigurisë në shkollë, varfëria ekstreme dhe gjendja e rëndë ekonomike”, thotë Toska. Ajo thotë se shteti i Kosovës duhet të bëjë edhe më shumë sa i përket arsimimit të fëmijëve të këtyre komuniteteve. “Ne nuk vërejmë, së paku si OJQ, ndonjë përpjekje më serioze që i ndihmon këto komunitete për një të ardhme më të mirë dhe për hapa më konkretë që do të përmirësonte gjendjen e tyre, por gjithçka po mbetet vetëm në strategji dhe legjislacione, por jo në anën e zbatimit”, shton Toska. Sipas regjistrimit të popullsisë në vitin 2011, në Kosovë jetojnë rreth 9 mijë romë.

  • 22:43

    Kryeministri në detyrë Hoti reagon ashpër për votat e boshnjakëve: Ndërhyrja që duket qartë se ka ndodhur në këto zgjedhje është e papranueshme

    Partitë boshnjake ka marrë shtatë mijë vota më shumë se herën e kaluar, në zgjedhjet parlamentare, edhe në zona kur nuk ka pasur banorë të këtij komunitetit. Sipas Insajder, kjo ka sjell dyshime se Lista Serbe ka ndërhyrë në procesin zgjedhor për ulëset e garantuara, në mënyrë që t’i kontrollojë rreth dy të tretat e deputetëve të pakicave. Në lidhje me këtë ka reaguar dhe kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, i cili ka thënë subjektet politike të vendit asnjëherë nuk kanë pasur tendencë të ndërhyjnë në zgjedhjen e përfaqësuesve të komuniteteve. Sipas tij, duket qartë që ka një ndërhyrje dhe kjo është e papranueshme, sepse bie në kundërshtim me parimet e Kushtetutës. “Përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë duhet të jenë të zgjedhur nga komunitetet përkatëse pa asnjë ndërhyrje, siç ka qenë në legjislaturat paraprake dhe siç e përcakton fryma e kushtetutës. Ndërhyrja që duket qartë se ka ndodhur në këto zgjedhje është e papranueshme, sepse bie ndesh me parimet dhe frymën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Hoti.

  • 21:52

    Zgjedhjet në Kosovë/ Reagojnë 48 OJQ të komuniteteve jo-serbe: Po përpiqen të uzurpojnë vendet e garantuara për boshnjakët se komunitet e tjera

    Përfaqësuesit e organizatave joqeveritare/shoqërisë civile të boshnjakëve të Kosovës kanë shprehur shqetësim për zhvillimet e fundit, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në vend.  Me anë të një postimi në Facebook,  48 OJQ të komuniteteve jo-serbe, kanë thënë nuk i njohin si përfaqësues të tyre deputetët që nuk kanë dal nga votat e tyre. Ata shprehen se po bëhen përpjekje për të hequr vendet e garantuara për boshnjakët dhe komunitetet me shumicë në Kuvendin e Kosovës. “Injorimi i vullnetit të qytetarëve të komuniteteve jo-shumicë dhe uzurpimi i pushtetit nga shumë komunitete dhe lëvizje politike do të përbëjë një precedent të rrezikshëm në praktikën demokratike të Kosovës dhe do të jetë tregues i problemeve shumë më të mëdha në procesin e konstituimit të pushtetit në Republikën e Kosovës”. Anëtarët e komuniteteve jo-shumicë gëzojnë të drejta të veçanta të përcaktuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe në përputhje me rrethanat vendet e garantuara në Kuvendin e Kosovës përcaktohen qartë përfaqësuesit që e marrin legjitimitetin e tyre nga votat në komunitetin e tyre, thuhet në reagim. Sipas tyre, përpjekja për të uzurpuar vendet boshnjake në Kuvendin e Kosovës me vota nga komunitetet e tjera është një veprim flagrant i shkeljes së dispozitave kushtetuese dhe të drejtës së një populli jo-shumicë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre që do të mbrojnë interesat e tyre. “Forma primitive e politikës që po përpiqet të instalohet është e papranueshme dhe synon të vërë nën kontroll komunitetin jo-shumicë në mënyrë që të fitojë pushtet politik brenda Kuvendit dhe të ketë një ndikim më të madh në procesin e konstituimit të pushtetit në Kosovë. Një listë që luftoi për një vend të garantuar për boshnjakët mori numrin më të madh të votave në zonat ku nuk ka fare boshnjakë sipas regjistrimit, ose ka shumë pak prej tyre në krahasim me votat e marra. Superioriteti numerik i një komuniteti nuk duhet të përdoret për të shtrembëruar vullnetin elektoral të qytetarëve të një komuniteti. Sulmet e tilla ndaj vullnetit elektoral të qytetarëve do ta bëjnë procesin zgjedhor të pakuptimtë dhe do të komplikojnë më tej mbijetesën e komuniteteve jo-shumicë në institucionet e Republikës së Kosovës, sepse rezultatet paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk pasqyrojnë vullnetin zgjedhor të Boshnjakët dhe disa komunitete të tjera”, thuhet më tej. Gjithashtu, aty theksohet se nuk do të pranojnë si përfaqësues të tyre ata politikanë që u zgjodhën kundër vullnetit të popullit boshnjak të Kosovës, domethënë u zgjodhën me votat e komuniteteve të tjera.  Po ashtu, ata iu kanë bërë thirrje ambasadave të huaja dhe përfaqësuesve diplomatikë në Kosovë, të reagojnë, pasi po shtrembërohet vullneti i qytetarëve. Ata i kanë kërkuar dhe kryministrit të ardhshëm që të  gjejë një model dhe mekanizma të ri për të mbrojtur komunitetet jo-shumicë nga sulmet e tilla në vendet e garantuara dhe institucionet demokratike të Kosovës sa më shpejt të jetë e mundur. “Prandaj, ftojmë, të gjitha institucionet kompetente për të adresuar seriozisht këto fenomene antikushtetuese anulojnë mandatet e paligjshme sepse ato janë në kundërshtim me garancitë e përfshira në Kushtetutën e Kosovës. Ne u bëjmë thirrje ambasadave të huaja dhe përfaqësuesve diplomatikë në Kosovë që të bashkohen në zgjidhjen e këtij problemi, sepse askush nuk ka të drejtë të shtrembërojë brutalisht vullnetin elektoral të qytetarëve të komuniteteve jo-shumicë”. Ne u bëjmë thirrje përfaqësuesve politikë të komuniteteve jo-shumicë të luftojnë së bashku dhe në një mënyrë të sinkronizuar kundër uzurpimit të vendeve të garantuara, sepse kjo situatë është e lidhur kauzalisht me sjelljen e dobët të politikës në të gjitha nivelet në periudhën e mëparshme. Ne i kërkojmë Kryeministrit të ardhshëm të gjejë një model dhe mekanizma të ri për të mbrojtur komunitetet jo-shumicë nga sulmet e tilla në vendet e garantuara dhe institucionet e brishta demokratike të Republikës së Kosovës sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në fund. Sipas rezultateve paraprake, partitë politike boshnjake morën 7,000 vota më shumë në këto zgjedhje krahasuar me zgjedhjet e mëparshme parlamentare.

     

  • 21:38

    GERMIN publikon rezultatin e numërimit të votave nga diaspora deri më tani, aprovohen mbi 18 mijë, refuzohen mbi 7 mijë

    Pamje e rezultatit

    Organizata jo-qeveritare GERMIN, përmes vëzhguesve të akredituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ka publikuar raportin e verifikimit të zarfeve me fletëvotime nga diaspora nga diaspora. Sipas Gazeta Express, deri më tani janë aprovuar 18,731 vota dhe janë refuzuar 7,670 të tjerë.  Mësohet se KQZ-ja ka hapur 14,930 pako ose 34.36 për qind të totalit të tyre. Nga të gjitha votat e shqyrtuara deri më tani, janë verifikuar 70,95 % e votuesve. Arsyet e refuzimit të këtyre votave janë të ndryshme. Sipas Organizatës Germin, bëhet e ditur se 2 mijë e 805 votues janë refuzuar për shkak se nuk ekzistojnë në periudhën e aplikimit, 2 mijë e 76 votues janë refuzuar në periudhën e aplikimit, 877 janë të pa identifikueshëm, 333 kanë dërguar fletëvotime 2 herë dhe 310 kanë dërguar dokumente jo-të sakta.

  • 16:09

    https://dosja.al/ahmeti-pas-fushates-me-tubime-askush-ska-te-drejte-te-kerkoje-respektim-te-masave-nga-qytetaret/

     

    Shpend Ahmeti

    Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka reaguar pas rritjes së rasteve me koronavirus në vend. Në një postim në Twitter ai ka përmendur tubimet gjatë fushatës zgjedhore. Ahmeti tha se pas fushatë me tubime dhe me turma njerëzish, askush nuk ka kredibilitet moral ti kërkojë qytetarëve respektimin e masave. “Në një situatë hipotetike (larg qoftë por me probabilitet të lartë), ku rastet me Covid arrijnë mbi 800 në ditë – do të nevojiten masa restriktive. Pas asaj fushatë me tubime, si ka kredibilitet moral me kërku nga qytetarët çfarëdo mbyllje”,- shkroi Ahmeti. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK), ka regjistruar sot 398 raste të reja me koronavirus, pas testimit të 2,996 mostrave në institucionet publike dhe ato private. Në 24 orët e fundit, ky Institut ka regjistruar një viktimë të diagnostikuar me COVID-19, i cili ishte një 39 vjeçar nga Drenasi. Në të njëjtën periudhë, këtë sëmundje e kanë mposhtur 228 persona, derisa raste aktive me coronavirus janë 6,639. Prej 13 marsit të vitit të kaluar, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 66,380 persona të infektuar me coronavirus.Prej tyre 1,572 pacientë kanë vdekur.

  • 15:40

    Drejtori i zyrës për Kosovën në Serbi Petkoviç i drejtohet kryetares së LEK-së: Më vjen keq Rado, s’do të mund ta bëni Shqipërinë e madhe me Kurtin

     


    Drejtori i zyrës për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviç, ka reaguar ndaj një postimi të kryetares së Lëvizjes Evropiane të Kosovës, Rada Trajkoviç, duke u shprehur se mbështetja e serbëve në vend për të është një gabim statisikor. Me anë të një postimi në Twitter, duke iu drejtuar Trajkoviçit ai ka thënë se nuk do të jenë në gjendje të bëjnë një Shqipëri të madhe me në krye Kurtin. “Krahasuar me zgjedhjet e 2019, mbështetja e saj është edhe më e ulët në vitin 2021, ndërsa Lista Serbe mori 96,14% të votave serbe. Më vjen keq, Rado, ju nuk do të jeni në gjendje ta bëni një Shqipëri të madhe me Kurtin. Populli dhe historia fituan,”-ka shkruar ai.Më herët Rada Trajkoviç, më anë të një postimi në Twitter, duke iu referuar një deklarate të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se mbase ai nuk mund t’i blejë 95% të njerëzve, por ai mund t’i frikësojë ata. “Është e njëjta gjë në Korenë e Veriut. Dhe ju mund t’i ktheni ato në instrumente të mbijetesës suaj politike në mënyrë që të mund të ndryshoni votat e tyre në Kosovë si fotografi me listat e pakicave të tjera nën kontrollin tuaj,”-ka shkruar ajo.

  • 13:27

    GERMIN: Deri më tani janë refuzuar mbi 6 mijë vota të diasporës

     

    Foto Ilustruese

    Organizata GERMIN, përmes vëzhguesve të akredituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), është duke vëzhguar procesin e verifikimit të pakove me fletëvotime nga jashtë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).Përmes një postimi në Facebook, nga kjo organizatë kanë bërë të ditur se deri sot në mesditë, 21 mijë e 212 votues janë verifikuar, 6 mijë e 401 votues të refuzuar dhe 14 mijë e 811 të aprovuar. Sipas kësaj organizate, një pjesë e zarfeve të refuzuara do të rishqyrtohen edhe njëherë nga KQZ-ja, para se të fillojë procesi i numërimit, raporton Telegrafi. Në QNR aktualisht është duke u zhvilluar procesimi i të dhënave të formularëve të rezultateve të kandidatëve dhe subjekteve politike, skanimi i listës përfundimtare të votuesve dhe procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime të cilat kanë ardhur nga jashtë Kosovës.

  • 11:15

    Demhasaj: Qeveria Kurti e ka të pashmangjshme dialogun, marrëveshja e Washingtonit s’mund të pengohet

     

    Albin Kurti

    Qeveria në ardhje që pritet të drejtohet nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka të pamundur shmangien e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pas formimit të institucioneve ndonëse dialogu nuk është prioritet për Kurtin, transmeton Insajderi. Kështu vlerëson Arton Demhasaj nga organizata ‘ÇOHU’, i cili shprehet se për vazhdimin e dialogut ndaj Kurtit do të ketë presione nga Bashkimi Evropian dhe Washingtoni. “Pa marrë parasysh se çfarë qasje ka Kurti ndaj dialogut është e pashmangshme që do të obligohet në një mënyrë me u marr me dialogun sapo të konstituohen institucionet e Kosovës. Nuk besoj se do të ketë presion vetëm nga Brukseli po edhe nga Washingtoni që sa më parë me u rikthy në procesin e dialogut me tendencë të përmbylljes së këtij procesi shumëvjeçar”,- ka thënë Demhasaj. Për deklaratat e Kurtit se dialogu, s’do të jetë prioritet ka pasur reagime dhe nga Bashkimi Evropian, zyrtarë të së cilës kanë bërë thirrje që ky proces duhet të vazhdojë pas formimit të institucioneve. Sipas Demhasaj është e vështirë të pengohet zbatimi i Marrëveshjes së Washingtonit.

Shto Koment