Rajoni

Kosova e pushtuar nga COVID, ministri Zemaj: Të hënën testet serologjike do bëhen dhe tek privati, do hapim spital të përkohshëm

Zemaj në reagimin e tij ka paralajmëruar ndërtimin e një spitali portativ vetëm për pacientët e infektuar me Covid-19.
Featured image of article: Kosova e pushtuar nga COVID, ministri Zemaj: Të hënën testet serologjike do bëhen dhe tek privati, do hapim spital të përkohshëm Armend Zemaj, ministri i Shëndetësisë në Kosovë

KOSOVË- Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në një postim në mediat sociale është shprehur se situata e COVID-19, po përkeqësohet. Zemaj në reagimin e tij ka paralajmëruar ndërtimin e një spitali portativ vetëm për pacientët e infektuar me Covid-19.

Nga ana tjetër ai tha se nga e hëna do të fillojë licencimi i spitaleve private për realizimin e testeve serologjike dhe atyre molekluare. “Nga e hëna do të fillojë licencimi i laboratoreve private për realizimin e testeve serologjike dhe atyre molekulare”, shtoi Zemaj.

Ministri po ashtu u shpreh se pas rritjes së rasteve me Covid-19 do të fillojnë me ashpërsimin e zbatimit të masave. “Nga sot në koordinim me Policinë, AVUK-in dhe Prokurorinë e Shtetit, konform legjislacionit, do të fillojmë me ashpërsimin e zbatimit të masave”, ka thënë Zemaj.

REAGIMI I PLOTË

Duke parë numrin në rritje të rasteve dhe mosrespektimin e masave nga qytetarët, jemi të obliguar që t’i ashpërsojmë masat! Kur e kam marrë mandatin si ministër i Shëndetësisë, në kohën kur ka filluar lehtësimi i masave, kam qenë i vetëdijshëm se do të ketë rritje të rasteve me Covid-19. Kam qenë i vetëdijshëm edhe për presionin nga dikastere të ndryshme për hapje. Është krejt ndryshe të menaxhohet pandemia në mbyllje totale, e krejt tjetër kur ke ekonominë në hapje. Por, kemi qenë të vendosur që ta ruajmë shëndetin publik, por paralelisht edhe atë ekonomik e mental. Në vazhdimësi kam bashkëpunuar me ekspertët shëndetësorë dhe institucionet përkatëse dhe bazuar në rekomandimet e tyre, kam ndërmarrë masat për menaxhimin e pandemisë.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Por, pavarësisht masave që kemi marrë, në ditët e fundit kemi parë se ato masa nuk janë respektuar. Derisa Bashkësia Islame e Kosovës ka respektuar masat, për çfarë e falënderoj, në sektorin e gastronomisë dhe nga shumica e qytetarëve ato nuk u respektuan. Mbrëmë, unë vetë isha dëshmitar në terren, por gjithashtu kam marrë mijëra mesazhe nga qytetarët e shqetësuar. Prandaj, nga sot në koordinim me Policinë, AVUK-in dhe Prokurorinë e Shtetit, konform legjislacionit, do të fillojmë me ashpërsimin e zbatimit të masave!

Krahas masave që do t’i marrim menjëherë, jemi duke punuar në lehtësimin e funksionimit të sistemit shëndetësor, me riorganizimin e ambulancave specialistike dhe me krijimin e një spitali portativ vetëm për pacientët me COVID-19, pasi jemi të vetëdijshëm se me ngarkimin e QKUK-së po rritet mundësia e infektimit me COVID-19 edhe e pacientëve që janë aty për trajtime të tjera. Gjithashtu, nga kjo javë do të shtohet numri i inspektorëve në terren, duke rritur kështu mundësinë për zbatimin strikt të masave të caktuara. Ndërsa nga e hëna do të fillojë licencimi i laboratoreve private për realizimin e testeve serologjike dhe atyre molekulare!

Reagimi i ministrit vjen në një kohë kur situata e COVID-19 në Kosovë vijon të jetë alarmante. Gjatë 24 orëve të fundit në vendin fqinj, kanë humbur jetën edhe 10  pacientë, duke e çuar numrin e viktimave në 237.  Po ashtu gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 224 raste pozitive nga 434 testime të kryera.

(A.B. Dosja.al)

Shto Koment