Rajoni

Kosova dhe SHBA-ja dakordësohen për përshpejtimin e investimeve amerikane/ Çfarë shkruhej në marrëveshjen Kosovë-Serbi të firmosur në Prishtinë (DOKUMENTI)

Grenell tha se popullit të Kosovës i janë bërë shumë premtime dhe ajo që Amerika po mundohet të bëjë është premtimi se zbatimi i marrëveshjes është ajo që do të ndodhë.
Featured image of article: Kosova dhe SHBA-ja dakordësohen për përshpejtimin e investimeve amerikane/ Çfarë shkruhej në marrëveshjen Kosovë-Serbi të firmosur në Prishtinë (DOKUMENTI) Richard Grenell në Kosovë

KOSOVË– Kosova dhe Shtetet e Bashkuara kanë nënshkruar një deklaratë ku zotohen për realizimin e projekteve që burojnë nga marrëveshja për normalizim ekonomik me Serbinë e nënshkruar më 4 shtator në Uashington.

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe Adam Boehler, kryeshef ekzekutiv i Koorporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA (DFC) nënshkruan një deklaratë të përbashkët përmes së cilës ata mirëpresin “përfundimin e shpejtë të një Marrëveshjeje të Re për Nxitjen e Investimeve Kosovë-SHBA”.

“Marrëveshja e Investimeve Kosovë-Shtetet e Bashkuara parashikohet të sigurojë qasje në gamën e plotë të mbështetjes për investime nga Korporata Ndërkombëtare e Financave e Zhvillimit të SHBA-së. Pas normalizimit historik ekonomik midis Serbisë dhe Kosovës të rënë dakord më 4 shtator, Kosova dhe SHBA-ja synojnë të avancojnë negociatat, pas datës së hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së re për Nxitjen e Investimeve Kosovë-SHBA, në lidhje me projekte të rëndësishme”, thuhet në dokument.

Pjesë e delegacionit të qeverisë amerikane i cili po qëndron në Prishtinë ishte edhe i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell.

Ai tha se “popullit të Kosovës i janë bërë shumë premtime dhe ajo që ne po mundohemi të bëjmë është të bëjmë premtimin se zbatimi i marrëveshjes është ajo që do të ndodhë”.

“Ne shpresojmë se zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të punës do të ndryshojë pejsazhin politik të rajonit. Presidenti Trump me tha shko dhe arrije një marrëveshje që bazohet në krijimin e vendeve të punës”, tha Grenell.

Ai tha se në muajt e ardhshëm, nga Shtetet e Bashkuara, do të vijë një ekip për të krijuar dy studime fizibiliteti për krijimin e vendeve të punës.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha e marrëveshja e nënshkruar tregon seriozitetin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump në realizimin e marrëveshjes së arritur më 4 shtator.

“Kishim bisedë të gjerë dhe detajizuar për gjitha pikat e marrëveshjes. Do të lëvizim shpejt për realizimin e kësaj marrëveshjeje”, tha Hoti, sipas të cilit projektet që do të realizohen do të krijojnë mijëra vende të reja pune do ta shëndrrojë Kosovën dhe rajonin në rajon më të integruar në infrastrukturë dhe ekonomi.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Adam Boehler, kryeshef ekzekutiv i Koorporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA (DFC) tha se vizita e delegacionit amerikan në Kosovës është e pa shembullt, për shkak të përbërjes së tij, me përfaqësues të gjashtë agjencive amerikane.

Kjo vizitë në Kosovë ndodhë pak javë pas nënshkrimit të marrëveshjes për normalizim ekonomik në mes të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpine e Bardhë në Uashington më 4 shtator, në prani të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Grenell, të dielen mbrëma, përmes Twitterit ka deklaruar se “zbatimi i marreveshjes mes Kosovës dhe Serbisë është prioritet i administratës së presidentit Trump”.

Në marrëveshjen e nënshkruar më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, ndër të tjera, është arritur pajtueshmëri që Kosova dhe Serbia, të punojnë me Koorporatën Ndërkombëtare të SHBA-së për Zhvillim Financiar dhe EXIM, në memorandumet e mirëkuptimit, për të operacionalizuar autostradën e paqes, lidhjen hekurudhore Prishtinë-Merdare, lidhjen hekurudhore Nish-Prishtinë, sigurimin e financave për mbështetjen e kredive që kërkohen për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, projekte shtesë dypalëshe dhe prani e plotë ndërkombëtare në Beograd, e DFC-së.

Nga Prishtina, delegacioni amerikan pritet të udhëtojë në Beograd, ku DFC do të hapë zyrën e vet. Më pas delegacioni do të vizitojë Greqinë dhe Izraelin.

Para fillimit të ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka ndarë Medaljen presidenciale të Meritave, të dërguarit të Shtëpisë së Bardhë për dialogun, Richard Grenell, për “meritat e tij të veçanta në arritjen e marrëveshjes historike mes Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar në Uashington”.

Teksti i plotë i dokumentit:

“Ne, Avdullah Hoti, kryeministër i Republikës së Kosovës dhe Adam S. Boehler, kryeshef ekzekutiv i Korporatës Financiare amerikane për zhvillimin ndërkombëtar, e përshëndesim përmbylljen e shpejtë të marrëveshjes së re Kosovë-SHBA për nxitjen e investimeve. E ndajmë dëshirën që kjo marrëveshje të nënshkruhet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të hyjë në fuqi në të ardhmen shumë të afërt, pas përmbylljes së procedurave tona të brendshme.  Marrëveshja e re Kosovë-SHBA për nxitjen e investimeve pritet që të ofrojë qasje në gamën e plotë të përkrahjes në investime, ofruar nga Korporata Financiare amerikane për zhvillim ndërkombëtar, ashtu si dhe të përcaktojë veprimet lidhur me mbështetjen e korporatës për projektet në Kosovë dhe trajtimin e tyre nga ana e Kosovës.  Pas normalizimit historik ekonomik Serbi-Kosovë, për të cilën u arrit marrëveshja më 4 shtator 2020 në Uashington, Kosova dhe Serbia synojnë të avancojnë negociatat pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes së re Kosovë-Serbi për nxitjen e investimeve, lidhur me projektet e rëndësishme brenda Kosovës, përfshirë projektet për të cilat ka marrëveshje të jenë pjesë e normalizimit ekonomik mes Serbisë dhe Kosovës.  Kosova dhe SHBA synojnë të zbatojnë me besnikëri marrëveshjen e re Kosovë-SHBA për nxitjen e investimeve. Duke e zbatuar besnikërisht këtë marrëveshje, të dyja shtetet pritet t’i identifikojnë projektet që fuqizojnë më tej integrimin ekonomik dhe zhvillimin në rajon. Mirëpresim këto arritje si dëshmi konkrete të fuqisë së raporteve mes dy vendeve tona.

Prishtinë, 21 shtator 2020”

Marrë nga REL 

Shto Koment