Politike

Kosova 12 vjet shtet/ Bushati: Gjenerata e re e udhëheqësve të çojë para ëndrrën e atyre që dhanë gjithçka për këtë shtet

Bushati është shprehur se gjenerata e re e udhëheqësve në Kosovë duhet të çojë me vendosmëri para ëndrrën e atyre që dhanë gjithçka për Kosovën shtet, pa vendosur në diskutim arritjet e mëdha historike.
Featured image of article: Kosova 12 vjet shtet/ Bushati: Gjenerata e re e udhëheqësve të çojë para ëndrrën e atyre që dhanë gjithçka për këtë shtet Ditmir Bushati

Tiranë- Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka uruar 12-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se gjenerata e re e udhëheqësve në Kosovë duhet të çojë me vendosmëri para ëndrrën e atyre që dhanë gjithçka për Kosovën shtet, pa vendosur në diskutim arritjet e mëdha historike.

Në një urim në rrjetet sociale, Bushati thotë se “nuk duhet ta harrojmë për asnjë çast se Kosova shtet është produkt i sakrificës për liri dhe rendit ndërkombëtar të bazuar mbi respektin për të drejtat e njeriut”, duke u shprehur se 17 shkurti 2008 shënoi realizimin e dëshirës së hershme për një Kosovë të lirë dhe të pavarur.

Reagimi i plotë:

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Kosova si shtet i pavarur lindi nga sakrificat, mundi dhe mençuria e disa gjeneratave. Ajo u ngrit në këmbë nga gjaku i dëshmorëve dhe dhimbja e popullit, i cili e pati në krahë mbështetjen e SHBA-ve dhe të aleatëve tanë në NATO. 17 shkurti i vitit 2008 shënon realizimin e dëshirës së hershme për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe të drejtë që respekton dinjitetin e qytetarëve të saj, që garanton barazinë, që synon mirëqenien dhe që është e hapur për marrëdhënie të mira e bashkëpunuese me të gjitha shtetet, sidomos në rajon.
Në këto 12 vite rrugëtimi jo të lehtë, Kosova ka shënuar hapa përpara në procesin e shtetndërtimit demokratik. Këtë e treguan edhe zgjedhjet e mirëorganizuara parlamentare të 6 tetorit, të cilat u vlerësuan edhe nga organizatat ndërkombëtare. Gjenerata e re e udhëheqësve të Kosovës dhe qytetarët e saj duhet të çojnë me vendosmëri përpara ëndrrën e atyre që dhanë gjithçka për Kosovën shtet, pa vendosur në diskutim arritjet e mëdha historike.
Ne shqiptarët nuk duhet ta harrojmë për asnjë çast se shteti i Kosovës është rezultat i sakrificës për liri dhe rendit ndërkombëtar të bazuar mbi respektimin e të drejtave të njeriut. Ndaj, sot është dita gjithashtu që të shprehim mirënjohjen për SHBA-të dhe aleatët tanë në NATO! Gëzuar jetë e mot Pavarësinë Kosovë!

Sot Kosova feston 12-vjetorin e Pavarësisë. Më 17 shkurt të vitit 2008, Kosova u njoh si shtet nga  116 vende të botës.  Kosova do të shënojë këtë përvjetor të Pavarësisë me një qeveri të re të udhëhequr nga Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e cila është në koalicion qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Nuk ka munguar edhe një urim i kryeministrit Edi Rama, i cili është shprehur:“i përjetshëm qoftë kujtimi i atyre që dhanë jetën për këtë ditë”.

J.V/Dosja.al 

Shto Koment