
ZVICER – UEFA ka hapur një hetim mbi fyerjet raciste ndaj Zlatan Ibrahimoviçit në Beograd, në ndeshjen e parë të Europa League midis Crvena Zvezdës dhe Milanit. Ylli suedez 39-vjeçar, e ndoqi ndeshjen nga pankina e kuqezinjve, e vendosur në tribunat e stadiumit “Marakana”.
Ndërkaq, në tribuna krahas anëtarëve të stafit të klubit serb, menaxhmentin kishte edhe disa “mysafirë” të papërcaktuar të Crvena Zvezdës (ndeshja ishte me dyer të mbyllura), të cilët u bënë protagonistë të fyerjeve diskriminuese kundrejt Ibra, ku në shënjestër ishte origjina e tij boshnjake.
Shfajësimet – Autorët u identifikuan përmes përdorimit të videove. Klubi i Beogradit i kërkoi falje Ibras, duke deklaruar se ishte plotësisht kundër çdo forme diskriminimi dhe nënvizonte, se sjellja e disa individëve nuk duhet ta njollosë emrin e Crvena Zvezdës, si një ekip racist.
Gjithsesi rregulloret e UEFA-s e konsiderojnë klubin vendas përgjegjës për episodet që ndodhin në stadiume, të çdo lloji. Për momentin nuk është dhënë një afat për prezantimin e raportit në Komisionit Disiplinor, edhe pse ndeshja e kthimit, pas 2-2 në Beograd, do të luhet të enjten, në orën 21:00, në “San Siro”.
B.T (Dosja.al)