Aktualitet

Koronavirusi në Shqipëri/ Epidemiologu Ilir Alimehmeti: Të rritet numri i testimeve për Covid-19, çdo informacion është aleat kundër tij

Epidemiologu klinik, Ilir Alimehmeti shkruan se sëmundja po përhapet në mënyrë të fshehtë te shumica dërrmuese e personave por që vetëm një pjesë e vogël po sëmuret.
Featured image of article: Koronavirusi në Shqipëri/ Epidemiologu Ilir Alimehmeti: Të rritet numri i testimeve për Covid-19, çdo informacion është aleat kundër tij Foto ilustruese

TIRANË– Epidemiologu klinik, Ilir Alimehmeti ka kërkuar rritjen e numrit të testimeve për koronavirus. Duke sjellë shembullin e SHBA-ve, Alimehmeti shkruan se sëmundja po përhapet në mënyrë të fshehtë te shumica dërrmuese e personave por që vetëm një pjesë e vogël po sëmuret.

“Shpesh, për arsye sekreti të shtetit raportimet e sëmundshmërisë në forcat e armatosura nuk pasqyrojnë të vërtetën dhe në raportime mbi sëmundje të tjera, sëmundshmëritë zakonisht janë të nënraportuara, pra ndoshta numri i të infektuarve mund të jetë edhe më i lartë se 12,5%. Megjithatë, çdo informacion që grumbullohet e shton gjithnjë e më tej njohurinë mbi koronavirusin dhe është aleat kundër tij!,”-shkruan ai.

Postimi i plotë:

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Miqtë e mi! “Vetëm ai që e ka mposhtur frikën e tij është me të vërtetë i lirë.” Cit. Aristoteli. Duhet të kuptojmë që sa më shumë fillojmë dhe njohim shtrirjen e vërtetë të epidemisë, aq më shumë ridimensionojmë qëndrimet tona ndaj saj! Një tjetër studim i kryer në një komunitet të tërë, këtë herë mbi efektivët e marinës së SHBA në bordin e aeroplanmbajtëses “Theodore Roosevelt”, na jap të dhëna të tjera kyçe mbi COVID-19. Shkurtimisht: U testuan të gjithë personat në bord, 4800 persona;  600 persona dolën pozitivë me COVID-19,12,5% e totalit; 1 person kishte vdekur me COVID-19, 1/600 = 0,17%; 5 ishin të sëmurë rëndë, 5/600 = 0.83% dhe  60% e personave me COVID-19 ishin pa simptoma. Kjo tregon se sëmundja përhapet dhe kalon në mënyrë të fshehtë te shumica dërrmuese e personave dhe vetëm një minorancë shumë e vogël sëmuret rëndë apo pëson fatalitet. Këto të dhëna mund të jenë shumë të rëndësishme për politikëbërësit për ridimensionimin e masave në moshat aktive, pasi ky është momenti që shumica e shteteve po mendojnë si dhe kur të rihapen. Gjithashtu na rikonfirmon idenë se duhen kryer testime në grupe të popullatës për të kuptuar me të vërtetë shtrirjen e sëmundjes. Faktikisht, siç epidemiologët e kanë të qartë, aleati më i fortë i shpërndarjes së kësaj sëmundjeje është pikërisht aftësia e saj për të mos dhënë shenja në shumicën e popullatës. Shifra 60% e asimptomatikëve është shifra më e lartë në SHBA deri më sot, pasi në këtë shtet ende nuk janë kryer teste të gjera të popullatës apo të komuniteteve në veçanti, dhe as studime të popullatës. Ndërkohë CDC e SHBA-së deklaron se asimptomatikët janë 25-50% e të infektuarve. KUJDES: ky interval kaq i gjerë tregon pikërisht mungesën e të dhënave të sakta që nuk disponojnë zyrtarët shëndetësorë të SHBA-së. Kujdes mbi disa pika kyçe:  Popullata e ushtarakëve është në moshë relativisht të re;  Popullata e ushtarakëve është më aktive dhe e fuqishme;  Shpesh, për arsye sekreti të shtetit raportimet e sëmundshmërisë në forcat e armatosura nuk pasqyrojnë të vërtetën dhe në raportime mbi sëmundje të tjera, sëmundshmëritë zakonisht janë të nënraportuara, pra ndoshta numri i të infektuarve mund të jetë edhe më i lartë se 12,5%. Megjithatë, çdo informacion që grumbullohet e shton gjithnjë e më tej njohurinë mbi koronavirusin dhe është aleat kundër tij! Dr. Shk. Ilir Alimehmeti Epidemiolog Klinik.

Ndërkohë,  ditën e sotme ministria e Shëndetësisë bëri me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar vetëm 14 raste të reja me COVID-19 dhe numri total i të prekurve ka shkuar në 562. Harta e rasteve të reja zgjerohet në Krujë, Tiranë dhe Shkodër. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 36 pacientë, ndërsa betejën me COVID-19 e kanë fituar 314 persona.

(k.m/dosja.al)

Shto Koment