
KOSOVË– Në të gjithë territorin e Kosovës numërohen rreth 94 persona të infektuar nga koronavirusi, por mes tyre 37 janë shtruar dhe po marrin kujdesin shëndetësor në Klinikën Infektive. Por vetëm 5 prej tyre janë në gjendje më të rëndë dhe kanë nevojë për oksiogjenoterapi, njëri prej të cilëve është duke u trajtuar në Kujdesin Intensiv të Klinikës Infektive të QKUK- së.
Gjithashtu ditën e sotme, mjekët në këtë klinikë janë në pritje të rezultateve edhe për 8 raste të tjera të cilat do të testohen për virusin vdekjeprurës.
“Në Klinikën Infektive të QKUK’së, sot më 30 mars 2020 janë duke u trajtuar 37 pacientë të prekur nga Covid-19.• 32 të sëmurë janë në gjendje stabile; • 5 prej tyre kanë nevojë për oksigjenoterapi, njëri prej të cilëve është duke u trajtuar në Kujdesin Intensiv të Klinikës Infektive.Klinika është në pritje të rezultateve për 8 raste të tjera të cilat do të testohen.”- deklarohet në raportin e bërë nga doktorët e qendrës Infektive së QKUK’së këtë të hënë.
Ndërkohë sipas mjekëve, lidhur me gjendjen shëndetësore të stafit të Klinikës Infektive, përveç infermieres së infektuar me koronavirus e cila është vetizoluar në shtëpi, gjithë të tjerët janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Gjithashtu apeli për qytetarët vijon ende dhe herë pas here Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, u bëri thirrje qytetarëve të mos dalin nga shtëpitë dhe të ndjekin rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.
A.C/Dosja.al