Aktualitet

Koronavirusi mbush të tri spitalet/ Hapet edhe një pavion shtesë, brenda javës gati edhe COVID4, mjeku denoncon: Po iu japim pacientëve oksigjen në makina! (ZHVILLIMET)

Plotësohen kapacitetet e tri spitaleve COVID. Brenda javës do të hapet spitali COVID4. Tek Sanatoriumi raportohet se nuk ka më vende të lira dhe se pacientët po marrin shërbim mjekësor në ambulanca. Qeveria nuk i pranon këto deklarime, ndërsa pohon hapjen e pavionit të tretë tek COVID3.
Featured image of article: Koronavirusi mbush të tri spitalet/ Hapet edhe një pavion shtesë, brenda javës gati edhe COVID4, mjeku denoncon: Po iu japim pacientëve oksigjen në makina! (ZHVILLIMET) Pamje nga spitali Covid 3

TIRANË- Situata me koronavirusin është rënduar në 24 orët e fundit. Numri i viktimave që u raportua pasditen e djeshme ishte 13, ndërsa rastet e reja 737, por situata është rënduar në mbrëmje, referuar denoncimeve në media dhe rrjete sociale. Ishte mjeku i spitalit “Shefqet Ndroqi”, Dritan Koçiaj që shkruante pas mesnate se e kishte gdhirë natën nëpër ambulanca ku kuronte pacientët pasi brenda në spital nuk kishte vende të lira.

Një situatë e ngjashme u raportua në rrjetet sociale edhe nga godina e spitalit Infektiv, ku një grua e sëmurë ende nuk kishte marrë përgjigjien e tamponit dhe po priste në radhë për të marrë shërbim mjekësor. Por qeveria deklaron të kundërtën.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Disa orë pas denoncimeve në rrjetet sociale, zv./drejtoresha e QSUT deklaroi se spitalet kanë vende bosh, dhe konfirmoi hapjen e pavionit të tretë të spitalit COVID3. Nga ana tjetër prej disa javësh opozita bën thirrje për hapjen e spitaleve rajonale që të shërbejnë si spitale COVID, por qeveria deklaron se situata është nën kontroll dhe se fluksi është i përballueshëm, duke argumentuar se ambulanca është njësoj me spitalin. 

(F.g/dosja.al)

  • 13:00

    Hapet pavioni i tretë i spitalit COVID3, zv/drejtoresha e QSUT sqaron nga ERTV: Kemi shtretër, alarmi që janë pakësuar kapacitetet është i pavërtetë VIDEO

    Qeveria shqiptare ka përgënjeshtruar indirekt mjekun Dritan Koçiaj, i cili denoncoi se kapacitetet e spitalit COVID3 “Shefqet Ndroqi” janë plotësuar. Në një deklaratë nga televizioni i kryeministrit Edi Rama, ERTV, Arjana Strakosha, zv/drejtoreshë e QSUT, deklaroi se COVID3 ka ende hapësirë të lirë. Ajo gjithashtu iu bëri thirrje qytertarëve që të ruajnë distancën sociale dhe të respektojnë rregullat anti-covid.

    DEKLARATA E PLOTË E ARJANA STRAKOSHIT: 

    Jemi në spitalin Covid3, në pavionin e tretë apo në sektorin e tretë më mirë, sepse ky spital është i konceptuar në tre pavione të mëdha. Sikurse e shihni kemi kapacitete shtretërish të lirë për t’u shërbyer qytetarëve. Në gjendje të gatshme për të mirëpritur të gjitha llojet e stadeve të sëmundjeve me investimet përkatëse. Alarmi që janë pakësuar kapacitetet spitalore, për momentin apo deri në skenarët aktualë nuk është i vërtete. Sikurse e shikoni edhe vetë janë gati shtretërit në pritje të të sëmurëve.

    Ndërkohë sikurse të gjithë e dimë, në skenarët e parashikuar është në gjendje për të pritur të sëmurët dhe Covid4 nga spitali tjetër, natyrisht pasi të mbushen gjithë kapacitetet e Covid1, Covid2 dhe Covid3 Nga ana tjetër për të eliminuar pikërisht këtë dyndje të sëmurëve drejt spitaleve u bëj edhe njëherë thirrje qytetarëve të zbatojnë me rigorozitet rregullat. Nuk është sëmundje e lehtë. Nuk është shaka.

    Duhet ruajtur distancimi, duhet të evitohen festat, duhet të evitohen baret, duhet të evitohen ditëlindjet, pra shumë gjëra që tashmë i dimë. Në këtë mënyrë, ne të gjithë luftojmë sëmundjen, edhe e përballojmë Akoma më lehtë, pikërisht edhe fluksin e pacientëve të cilët kanë nevojë për hospitalizim.

  • 12:30

    Kaos para “Shefqet Ndroqit”/ Familjarët të irrituar para ambulancave, momenti i trishtë kur gruaja kërkon nga xhami të afërmin…

    Situata në spitalin Shefqet Ndroqi është e rëndë. Siç edhe mjeku Dritan Koçiaj denoncoi më herët, në radhë qëndrojnë autoambulancat ku iu jepet ndihma mjekësore qytetarëve që kanë nevojë për oksigjen.

    Pavarësisht se kanë kaluar disa orë, ende nuk ka një reagim zyrtar nga Ministria e Shëndetësisë për situatën në të tri spitalet COVID, apo masat që po merren, një lajm i mirë është zbuluar se spitali COVID4 do të hapet javën e ardshme… Por çfarë po ndodh brenda rrethimit të Shefqet Ndroqit? 

    Në pamjet e dala në media, një moment i trishtë është ky që po shihni në këtë foto, kur kjo grua kërkon me sy të afërmin e saj, për të parë gjendjen e tij.

    Gruaja kerkon me sy familjarin
    Ambulanca para spitalit
  • 12:17

    Infektohet me COVID19 zv/drejtori i Policisë Tiranë, Dhimitraq Ziu

    Dhimitraq Ziu, zv/drejtor i Policise Tirane

    Dy ditë pas infektimit me COVID19 të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, sot konfirmohet edhe zv/drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Dhimitraq Ziu.

    Burime për Dosja.al bëjnë me dije se Ziu është në gjendje të stabilizuar dhe është karantinuar në banesë.

    Situata me COVID 19 është e rënduar në Shqipëri, ku kapacitetet spitalore janë thuajse të ezauruara, dhe dhjetra pacientë në të trija spitalet COVID presin nëpër ambulanca lirimin e vendeve për t’u mjekuar.

  • 11:58

    VIDEO/ Situatë e rëndë tek Infektivi, gruaja e sëmurë pret tamponin, i biri: Fjalët e mamit ishin “të lutem shkojmë”, ja targa e ambulancës, 4 orë këtu

    Situatë e rëndë përpara spitalit Infektiv, aty ku të sëmurë me COVID, dhe të tjerë që ende nuk iu ka dalë përgjigjia e tamponit por iu janë rënduar simptomat e virusit, presin me shpresë për të marrë ndihmë mjekësore.

    “JOQ Albania” ka publikuar denoncimin e një djali, i cili ka shkuar me të ëmën e sëmurë përpara godinës së Infektivit, me shpresën se do të mund të trajtohej, por edhe pse kanë kaluar 4 orë, gruaja është larguar në shtëpi.

    Gjithë këto veta këtu, ja shihini, mami të lutem eja këtu. Ja dhe Zotëria. Nuk e fusin, ka 4 orë mami në ambulancë. 4 orë këtu, nuk e fusin mamin për Dializë”-shpjegon i riu, pasi gruaja përveç shenjave të COVID ka edhe sëmundje shoqëruese.

    Për më shumë ndiqni videon: 
    https://www.facebook.com/watch/?v=167314511772496

     

  • 11:38

    Humbi nga COVID dy vëllezër brenda ditës, pedagogu Afrim Osmani thirrje Ramës: Kjo s’është krizë e mjekëve, por e juaja! Manastirliu nuk ka zotësi, Çomo nuk di të drejtojë! Ju dëgjova me vëmendje por… (SHKRIMI I PLOTË)

    Pedagogu Afrim Osmani, i cili humbi të dy vëllezërit e tij brenda ditës për shkak të komplikacioneve me COVID19, i ka dërguar një thirrje publike kryeministrit Edi Rama për reflektim. Në një shkrim në rrjetet sociale, Osmani thotë se kriza nuk është e mjekëve, por e drejtuesve që iu është lënë në dorë menaxhimi i pandemisë COVID19. Osmani thotë se ministrja Ogerta Manastirliu nuk ka zotësi për të përballuar një krizë si kjo, ndërsa mjekja Najada Como, po bën një lidership të gabuar. Më 12 nëntor, pedagogu njoftoi se dy vëllezërit e tij, Astrit dhe Arjan Osmani ndërruan jetë për shkak të komplikacioneve nga COVID19. Ata ishin të shtruar të dy në spitalin Infektiv, por nuk mundën që t’ja dilnin.

    POSTIMI I PLOTË: 

    Z. Kryeministër! Kjo nuk është kriza e profesionistëve, as e doktorëve, as e infermierëve..
    Kjo është kriza e menaxherëve dhe jo e menaxherëve te nivelit të ulët dhe nivelit të mesëm, por e menaxherëve te nivelit të lartë. Janë menaxherët e nivelit të lartë që përgjigjen për veprimet strategjike, për rrugët e daljes nga kriza, që organizojne dhe udhëheqin daljen nga kolapsi. E gjithë kjo situatë e jashtëzakonshme është lënë në dorë të Ministres Ogerta Manastirliu dhe Dr. Najada Çomo.
    – E para më vjen keq ta them, që perveç një perkushtimi njerezor, nuk ka as zotësitë minimale për të perballur një krizë të ketij niveli.
    – E dyta po bën një lidership të gabuar në kurriz të një zgjidhjeje, që do te ishte shume më e mire dhe më me rezultat për pacientët.
    Në gjithë historinë e lidershipit në kohë të veshtira krizash, apo stuatash të ngjashme ka zakonisht dy zgjidhje:
    – Ose ju duhet të zbrisni vetë dhe të përvishni mëngët;
    – ose delegoni personat e duhur të cilët me njohuritë por edhe vizionin e tyre do të mund të bëjnë bashkë dhe angazhojnë rreth një qëllimi, stafin e përgjithshëm të mjekëve dhe stafin tjeter mjekësor për përballimin dhe administrimin me humbje minimale të situatës. Eshtë një gabim i madh kur duam ta justifikojmë situatën në vendin tonë, duke marr për shembull vendet e tjera. Ne jemi një vend i vogël, me një numër ende relativisht të vogel pacientësh që rrezikojnë jetën dhe kemi përveç të tjerash edhe potencial solidarizimi. Ju degjova me vemendje në fjalen tuaj, jam nje adhurues i publicistikes dhe i narracionit tuaj, por shikoj që kjo armë e juaja e fortë nuk ndihmon fare në perballimin e kësaj situate, perkundrazi e keqëson atë. E perseris, është një krizë menaxheriale dhe jo një krizë e profesionistëve. Doktorët dhe infermieret janë punonjës jo menaxherialë, për rrjedhojë në rastin konkretë kane shumë pak në dorë për përmrësimin e situatës edhe pse jetët e njerëzve shpëtohen nga duart e tyre. Ju siguroj që nëse do të vendosni njerëzit e duhur në drejtim, ndryshimi i gjendjes do të jetë me ditë dhe jashtëzakonisht i dukshëm. Take action, not reaction!

  • 11:38

    Fluks pacientësh/ Shterojnë kapacitetet e tri spitaleve, brenda javës së ardhshme pritet të hapet spitali COVID4!

    Mbushja e kapaciteteve pritet të sjellë hapjen e spitalit COVID4. Burime për Dosja.al bëjnë me dije se brenda javës së ardhshme është marrë vendimi për të hapur godinën e COVID4, e cila ka në dispozicion 100 shtretër. Fluksi në të trija spitalet COVID është i lartë, ndërsa edhe spitali COVID3 tashmë është drejt plotësimit të plotë. Sot është hapur pavioni i tretë i spitalit COVID3, me një kapacitet prej 50 shtretërish.

  • 08:59

    DENONCIMI I RËNDË/ Mjeku tek Senatoriumi: Pacientët rrinë në autoambulancë, i bëj thirrje kryeministrit të hapë spitalet rajonale, ju lutem zgjohuni nga gjumi… ora 3 e natës, ndërrojmë bombolat e oksigjenit në makinë (E PLOTË)

    Mjeku Dritan Koçiaj ka denoncuar në rrjetet sociale se kapacitetet spitalore janë plotësuar. Në një thirrje të fortë, dërguar kryeministrit Edi Rama, Komitetit të Ekspertëve, Ministres Ogerta Manastirliu, Koçiaj thotë se në spitalin COVID2, janë 6 autoambulanca plot me pacientë në orën 3 të mëngjesit. “Vende në urgjencë dhe në pavione nuk ka“,-thotë mjeku.

    DENONCIMI I PLOTË I MJEKUT DRITAN KOCIAJ: 

    Thirrje publike. Drejtuar komitetit te eksperteve, ministres se shendetesise, kryeministrit te vendit. Ju lutem zgjohuni nga gjumi. Eshte ora 03 e mengjesit sot dt 22 nentor eshte ftohte dhe kam 3 ore e gjysem me pacient ne autoambulance ne deren e spitalit Shefqet Ndroqi. Porsi une jane dhe 6 autoambulanca te tjera me paciente. Vende ne urgjencen pritese po keshtu dhe ne pavione nuk ka. Vazhdojme t’i nderrojme bombolat e 02 autoambulancave por kjo nuk eshte zgjidhje. Nderkohe me bindje jua them se ne linjen e 127 kush e di sa jane ne pritje. Ju lutem zgjohuni nga gjumi hapni syte dhe shikoni te verteten ne sy. Ju lutem zgjohuni dhe hapni Covid 4 qofte edhe me infermiere per oksigjenimin e pacienteve me saturime te uleta. Ju lutem zgjohuni dhe angazhoni shtreterit ne spitalet rajonale sadopak qofshin ato. Ju lutem zgjohuni se neser do jete vone. Po kolapsohet sistemi. Cdo jete vlen. Dhe cdo jete e humbur do jete ne ndergjegjet tuaja jo te ne mjekeve apo infermiereve qe punojme e do vazhdojme te punojme. Dritan Kociaj mjek.

    Foto e postimit

    Më tej, në një tjetër koment të orës 07:15 e mëngjesit, mjeku thotë se situata është po e njëjtë, dhe se pacientët vazhdojnë të jenë në autoambulanca.

    KOMENTI I MJEKUT: 

    Sa per sqarim edhe tani pra 07.15 pacienti ( pacientet) vazhdon ne makine. Zbritem nga senatoriumi ne qsut per te nderruar turnin. Persa i perket pjeses se “panik” mesazhi ishte shkruar pas 3.5 ore qendrimi kohezgjatje e mjaftueshme per reagimin e strukturave . Te garantoj se dhe familjarin tim ta kisha me shume s’kisha cfare beja . Thirrja kish te bente me zgjidhjen e problemit te atyre qe ishin ne autoambulanca dhe te tjereve qe gjate stacionimit te mjeteve prej 7 oresh ishin duke thirrur per ndihme. Dhe per t’i vene kapak kujdo qe ti ndodhe dicka e tille pamvaresisht fuqise ekonomike nuk ka ku e zgjidh pervec se ne shtet apo Turqi sepse privati nuk i pranon.

Shto Koment