Aktualitet

Korça nën dridhjet e tokës, 6 tërmete godasin qytetin, 4 të plagosur e 60 banesa të dëmtuara

Tërmetet terrizojnë banorët e Korçës. 6 tërmete kanë goditur gjatë natës qytetin. Sipas IGJEUM, lëkundja më e madhe u regjistrua në orën 4:26 të mëngjesit me magnitudë 5.3 ballë. Nga lëkundjet e tokës 4 persona janë të plagosur, e 60 banesa janë dëmtuar. Ministria e Mbrojtjes: Jemi duke monitoruar situatën.

KORCE– Korça është zgjuar sot nga lëkundjet e tërmetëve. Gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm, janë ndjerë 6 lëkundje të forta tërmeti, më e forta prej tyre ishte 5.3 ballë.

Sipas IGJEUM, lëkundja e parë u shënua në orën 4:26 të mëngjesit, e cila ishte më e forta, plot 5.3 ballë. Ndërsa lëkundja e fundit u shënua pranë Nikolicës, 4.7 ballë.

Si pasojë e lëkundjeve të tokës, katër persona kanë mbetur të lënduar në kokë dhe në gjymturë për shkak të shembjes së mureve.

Pavarërisht lëndimeve të marra, mësohet se ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Deri më tani, sipas ministrisë së Mbrojtjes, janë dëmtuar 60 shtëpi në dy prej fshatrave që ishin më pranë epiqendrave të tërmetit.

Ndërsa sizmiologu Rexhep Koçi u ka bërë apel banorëve të zonës që të qëndrojnë larg banesave pasi mund të ketë edhe goditje të tjera.

(k.m & a.s/dosja.al)

Shto Koment