Ekonomi

Kompanitë e sigurimeve kanë 56 milionë euro dëme pezull

Dëmet pezull për kompanitë e sigurimit pësuan një rritje të fortë pas tërmetit të nëntorit 2019. Ato arritën pikun në janar, kur vlera e tyre arriti në 8.23 miliardë lekëve ose rreth 66 milionë eurove.
Featured image of article: Kompanitë e sigurimeve kanë 56 milionë euro dëme pezull Foto ilustruese

SHQIPËRI-Dëmet pezull që presin të paguhen nga kompanitë e sigurimeve kanë arritur vlerën e rreth 7 miliardë lekëve ose 56 milionë eurove.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), në fund të korrikut shuma e dëmeve pezull në sigurimet e jo-jetës ishte në nivele ndjeshëm më të larta krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me pothuajse 36% më shumë. Dëmet pezull përfshijnë ato në proces vlerësimi, dëmet e miratuara, por të papaguara, si edhe dëmet që janë objekt i çështjeve gjyqësore.

Dëmet pezull për kompanitë e sigurimit pësuan një rritje të fortë pas tërmetit të nëntorit 2019. Ato arritën pikun në janar, kur vlera e tyre arriti në 8.23 miliardë lekëve ose rreth 66 milionë eurove. Shuma e dëmeve pezull shënoi një rënie graduale gjatë muajve në vijim, por me ritme të ngadalta. Nga janari deri në korrik, kompanitë e sigurimeve e kanë ulur vlerën e dëmeve pezull me vetëm 10 milionë euro.

Mbyllja e ekonomisë në periudhën mars-maj solli ulje të ndjeshme të qarkullimit të mjeteve, duke ndikuar edhe në më pak dëmeve të reja në klasat e sigurimeve motorrike për përgjegjësitë ndaj palëve të treta. Numri i aksidenteve rrugore për 7 mujorin-2019 pësoi rënie me 26%, numri i personave që humbën jetën ra me 23%, ndërsa numri i të plagosurve me 31%. Por, kompanitë e sigurimeve nuk e kanë shfrytëzuar shumë këtë moment për një ulje drastike në stokun e dëmeve pezull.

Sidoqoftë, dëmet totale të paguara nga kompanitë e sigurimit të jo-jetës në 7-mujorin 2020 janë rritur me 53% krahasuar me një vit më parë dhe kanë arritur shumën e 4.27 miliardë lekëve. Ndikimin kryesor e kanë dhënë pikërisht tërmetet e vitit të kaluar. Dëmet e paguara në klasat e fatkeqësive natyrore arritën në 2.3 miliardë lekë ose rreth 54% e gjithë dëmeve të paguara për periudhën në fjalë.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Kjo është ndër periudhat e rralla që kompanitë e e sigurimeve kanë paguar më shumë dëme në sigurimin e pronave, sesa për sigurimin e përgjegjësive ndaj palëve të treta në aksidentet automobilistike.

Në raportimin para Kuvendit të Shqipërisë, në muajin korrik, drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i AMF-së, Ervin Mete, tha se kompanitë e sigurimeve deri në atë kohë kishin paguar rreth 82% të kërkesave për dëme nga tërmetet e vitit 2019. Nga 6200 dëme të raportuara për tregun e sigurimeve në Shqipëri, AMF raportonte të paguara 5150 prej tyre.

Shuma totale e kërkesave për dëmshpërblim nga tërmetet preku vlerën e rreth 4.1 miliardë lekëve ose 33 milionë eurove. Megjithatë, dëmet nga katastrofat zakonisht kompanitë i risigurojnë dhe AMF vlerëson që rreth 90% e shumës totale të dëmeve të tërmeteve do të rimbursohet nga risiguruesit, pa shkaktuar ndonjë goditje serioze për kompanitë shqiptare.

Marrë nga Monitor.al 

Shto Koment