EditorialPolitike

KOMENT: Përplasjet e dhunshme, pse Rama e bëri të detyrueshëm dekretin e Metës?

Përderisa nuk ka asnjë akt juridik me fuqinë e rrëzimit të dekretit (edhe sikur Kolegji Zgjedhor ta ketë fuqinë e rrëzimit), të gjitha institucionet, përfshirë KQZ, Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit duhet të zbatonin dekretin.
Featured image of article: KOMENT: Përplasjet e dhunshme, pse Rama e bëri të detyrueshëm dekretin e Metës?

Jo vetëm qytetarët, edhe policitë kanë filluar të përplasen. Ministri i Brendshëm kërcënoi se do të shkrijë policitë bashkiake aty ku qeveris PD. Janë duke shkelur ligjin dhe duke prishur zgjedhjet sipas qeverisë.

Ndërkohë që Kryeministri propozon ndryshime në Kodin penal për të trembur kundërshtarët e zgjedhjeve, pro askush nuk e përmend ligjin që shkelin duke zbatuar dekretin e Presidentit.

Kush po e shkel ligjin në fakt? Ata që po e zbatojnë apo ata që nuk po e zbatojnë dekretin?

Dekreti i presidentit u konsiderua i paligjshëm sapo doli. Debati me argumente dhe kundërargumente pushtoi atmosferën e ngarkuar politike.

U nis edhe procedura për shkarkimin e Ilir Metës në Parlament. KQZ bëri një mbkledhje ku e konsideroi nul, pa vendim dekretin, ndërsa mazhoranca publikoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese në vitin 2017, që shërben si precedent tani që Gjykata Kushtetuese nuk ekziston.

Sipas atij vendimi, dekreti është akt administrative dhe rrëzohet nga Gjykata Administrative ose Kolegji Zgjedhor. Pra duhej një padi për ta çuar dekretin në një nga këto gjykata.

Për pretekst u përdor Idajet Beqiri, i cili kërkoi ç’rregjistrim në KQZ me argumentin se zgjedhjet u anulluan nga dekreti i Presidentit.

KQZ nuk e pranoi ç’rregjistrimin dhe Beqiri e çoi kërkesën në Kolegjin Zgjedhor, në respekt të kodit zgjedhor.

Kolegji e la seancën në 24 qershor, 2 javë pas dekretit.

Gjithë sytë ishin tek kjo procedurë e sajuar nga maxhoranca, kur ndodhi nëj lëvizje e papritur.

Dekreti u publikua në Fletoren Zyrtare nga QBZ (Qendra e Botimeve Zyrtare).

Një drejtori që varet nga Qeveria, i dha fuqi dekretit. Publikimi në fletoren zyrtare, e bën atë një akt, jo vetëm të zbatueshëm, por edhe të detyrueshëm.

QBZ kishte kohë deri 2 javë pas dekretit për ta publikuar, që të hynte në fuqi.

Pikërisht në datën 24, kur ishte gjyqi në Kolegjin Zgjedhor, dekreti do të rrëzohej. Publikimi i tij, u dha shkas kryetarëve të bashkive që drejtohen nga opozita të kërkojnë lirimin e ambienteve nga Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ), për shkak të anulimit të zgjedhjeve.

Policitë bashkiake u nisën të zbatonin urdhërat që buronin nga dekreti i Presidentit dhe përballeshin me policinë e Shtetit, që me urdhër të Ministrit të Brendshëm, nuk e njihte dekretin, pavarësisht se vet qeveria e tij, ia dha fuqinë e zbatimit.

Përderisa nuk ka asnjë akt juridik me fuqinë e rrëzimit të dekretit (edhe sikur Kolegji Zgjedhor ta ketë fuqinë e rrëzimit), të gjitha institucionet, përfshirë KQZ, Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit duhet të zbatonin dekretin.

Madje Kryeministri që e ka botuar në fletoren zyrtare, është në shkelje ligjore me vazhdimin e fushatës. Me hyrjen në fuqi të dekretit, në shkelje të ligjit janë ata që nuk po e zbatojnë.

E gjithë kjo përplasje nisi nga qeveria. Ende nuk dihen arsyet pse, Edi Rama, ndërsa e quajti antikushtetues dekretin dhe urdhëroi gjithë institucionet në varësinë e tij mos ta zbatojnë, i dha fuqi anulimit të zgjedhjeve. Kujt i intereson përplasja?

Pse e nxiti Kryeministri? Të gjitha këto pyetje do të mbeten pa përgjigje, ndërsa tensioni vazhdon të rritet.

Një Koment në “KOMENT: Përplasjet e dhunshme, pse Rama e bëri të detyrueshëm dekretin e Metës?

  1. Unë, Dekreti i Presidentit nr.11199, datë 10.06.2019, protestoj sepse ai që ka shkruar artikullin as që më ka parë ndonjëherë. Nëse do më kish parë e lexuar, besoj se do arrinte të kuptonte atë që thotë neni im nr.3: "Ky vendim hyn në fuqi menjëherë", që do të thotë se, sapo më ka firmosur z.Meta, unë kam hyrë në fuqi, pavarësisht se kur më bënin fotografi për të më nxjerrë tej vitrina e quajtur "Fletore Zyrtare"…

Shto Koment