Aktualitet

‘Kokainën e përdor burri’/I biri vrau Dritan Haxhollin, flet nëna e Bledar Toçit: Është pa shtëpi, s’i dilte rroga në Tiranë. Ka punuar tek Presidenti

Si nënë, ajo ka frikë se e gjithë “zhurma” mbi Bledarin dhe rolin e tij në ngjarje mund të ndikojë për keq në shëndetin e të birit.
Featured image of article: ‘Kokainën e përdor burri’/I biri vrau Dritan Haxhollin, flet nëna e Bledar Toçit: Është pa shtëpi, s’i dilte rroga në Tiranë. Ka punuar tek Presidenti Fatmira Toçi

Nëna e Bledar Toçit rrëfen në një intervistë për Top Channel prapaskenat e ngjarjes që tronditi një javë më parë Kavajën; kontrollin policor, dozat e kokainës që u gjendën në apartament dhe marrëdhënien e të birit me viktimën dhe Marsidën që u shndërrua në protagoniste të një ngjarjeje ende me shumë pikëpyetje. Disa prej të cilave i ngre dhe vetë Fatbardha Toçi, dy djemtë e së cilës janë nën arrest.

Si nënë, ajo ka frikë se e gjithë “zhurma” mbi Bledarin dhe rolin e tij në ngjarje mund të ndikojë për keq në shëndetin e të birit.

“Them se mund të kalojë në depresion me këto që po i vejnë. Nuk na lejojnë ta takojmë përditë po të dhënat i kemi marrë nga mjeku që është më mirë. Tani e kanë dërguar në QSUT te Spitali i Burgut, ndërsa djali i vogël është në Peqin. As me të nuk kemi folur”, shprehet nëna e Bledarit.

Jehonën e gjerë dhe debatet e shumta që zgjoi ngjarja e trajtuar fillimisht si një krim pasioni e më pas si vepër e një grupi të strukturuar kriminal, Fatbardha e lidh me një sulm politik ndaj të birit si pjesë e strukturës shtetërore, ndërsa  foton e Bledarit me viktimën e konsideron një montazh, një manipulim mediatik, pasi ata, sipas saj, nuk e njihnin njëri-tjetrin.

“Si nënë nuk e besoj që kjo të jetë e vërtetë, them se u bë kaq mediatike për arsye politike. Meqë ka detyrën si person publik i shtetit. Këtu sulmohen gjithmonë ata që janë në punë dhe jo ata që rrinë nëpër rrugë. Nuk e besoj që Bledari të ketë foto me viktimën. Është një montazh, një bashkim fotosh për të bërë lidhjen mes tyre. Ai ka qenë person i dënuar”, thotë ajo.

Lidhur me gjetjen e dozave të kokainës në apartamentin e tyre, ajo i qëndron deklaratës së bërë nga avokati i djemve se ato përdoreshin nga bashkëshorti për arsye shëndetësore.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

“Në shtëpi u gjendën 7 doza të vogla që i përdor burri im si qetësues për dhembjen e kokës. Ai i ka siguruar vetë ato diku në Laprakë. Tani vonë i ka filluar se nuk po i duronte dot dhembjet e kokës. Ka pësuar një aksident të rëndë dhe e ka jetë të dytë këtë”, tregon Fatbardha.

Që nga dita kur ndodhi ngjarja Fatbardha nuk ka dalë më nga shtëpia. Ndjehet nën presion ndaj i bën thirrje medias të presin përfundimin e hetimeve, para se të aludojnë dhe të përflasin familjen e saj.

Me lot në sy, ajo ngre pyetjen pse policia nuk e kapi më parë viktimën, një person problematik dhe në kërkim, po lejoi që të ndodhte ngjarja e rëndë, teksa shpreh bindjen se i biri e kreu vrasjen në kushtet e vetëmbrojtjes.

“Dihet kush është ai që u vra. Le ta merrte policia në dorë. Pse e la atë?! Pse e akuzojnë Bledarin pse e vrave?! Po vetëmbrojtje është. Kushdo që ka përballë një që do ta gjuajë si do të reagojë?! Do të mbrosh veten përballë një krimineli. … Ne nuk e kemi pasur e as do ta kemi këtë traditë të vrasjes. Ishte aksidentale. Ai u mbrojt”, shprehet nëna e policit.

Marrë nga Top Channel

(k.m/dosja.al)

Shto Koment