Aktualitet

KLP/ Ibrahimi: Në fund të shtatorit del lista për PP, trupa e SPAK edhe me më pak se 10 prokurorë (VD)

Gent Ibrahimi, kryetar i KLP ka thënë sot se brenda muajit shtator do të miratohet lista e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm. Ibrahimi tha se SPAK mund të ngrihet edhe me më pak se 10 anëtarë.

TIRANË– Drejtuesi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, njoftoi sot se muaji shtator është vendimtar për ngritjen e SPAK, ose siç njihet ndryshe prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion. Gent Ibrahimi, tha sot se KLP ka kaluar një anëtar në Komisionin që do të bëjë zgjedhjen e prokurorëve që iu duhet mbrojtje fizike. Ai foli edhe për procesin, ndërkohë që gazetarët e pyetën dhe për skenarin nëse kandidatët e kualifikuar të SPAK digjen nga Vettingu. Ibrahimi tha se trupa e SPAK mund të jetë edhe me më pak se 10 anëtarë, pavarësisht se kushtetuta e parashtron ndryshe.

Biseda e Gent Ibrahimit me gazetarët

Gent Ibrahimi: Ligji ofron një mbrojtje të posaçme për prokurorët. Rastet konkrete duhen shqyrtuar nga një kuorum, i cili duhet të arrijë në një përfundim nëse duhet një mbrojtje posaçme fizike. Shpresoj të mos jetë një problem me të cilin KLP të përballet shpesh që prokurorët të kenë mbrojtje. Por ne e bëmë të mundur që anëtari i Këshillit të jetë edhe në këtë Komision. Është Komisioni që vendos nëse prokurori ka nevojë apo jo për mbrojtje të posaçme.

Çfarë do të bëhet me SPAK, u tha se shtatori do të ishte muaj final?

Gent Ibrahimi: Jemi në hapat e fundit të një procesi të gjatë. Kemi analizuar kandidatët, mund të emërohen në çdo çast. Kemi 15 kandidatë, vetëm 5 kanë kaluar Vettingun, kemi dhe 7 që janë në faza të tjera të procesit. 3 të tjerë janë në fazën finale.

Do të prisnit derisa të mbyllet Vettingu apo KLP do të veprojë më herët?

Gent Ibrahimi: KLP e ka diskutuar këtë opsion, pra që SPAK të ngrihet edhe me më pak se 10 anëtarë. Por ky është vetëm një diskutim. Na duhet të marrim një vendim formal, më shumë se 5. Këshilli mendon se me 5 nuk është e mjaftueshme. Duhen më shumë.

Vakanca e Gent Osmanit në KLP, këta dy kandidatët e rinj, cila do të jetë procedura?

Gent Ibrahimi: Në lidhje me këtë çështje, s’kemi asnjë rol. Është çështje që zgjidhet nga prokurorët, ne e mirëpresim në këshill.

A ka përfunduar Vettingu për kandidatin që është avokat?

Gent Ibrahimi: Vettingu me korrespondencë ka përfunduar. Duhet të merret vendimi. Ne duam të kemi një listë zyrtare. Duam të 4 kandidatët të shohim do e kenë kaluar apo jo. Javën e fundit do të miratojmë listën për Prokuror të Përgjithshëm. Shpresojmë të jenë të katërt kandidatët. Mund të jenë edhe 3 dhe 2.

Kushtetuta thotë për SPAK jo më pak se 10. A do jeni në shkelje të kushtetutës, nëse ka më pak? Dhe në dijeninë tuaj sa prokurorë kanë truproja për shkak të detyrës?

Gent Ibrahimi: Po nis nga pyetja e dytë. Sot përfshihemi në këtë rol në garantimin e mbrojtjes për prokurorët, ndaj të dhënat si disponojmë. Në një kohë të dytë do t’ju japë përgjigjie. Unë s’paragjykoj vendimet e Këshillit. Këshilli do e miratojë, listën. Ne do shprehim edhe qëndrimin tonë për këtë klauzolë të kushtetutës që thotë se SPAK s’mund të veprojë me më pak se 10 prokurorë.

(F.g/dosja.al)

Shto Koment