Aktualitet

Mbyllen hetimet për vrasjen e Klodian Rashës: Viktima dhe efektivi Nevaldo Hajdëraj nuk njiheshin me njëri-tjetrin, pistoleta “Zoraki” nuk i përket asnjërit, dosja e saj do të hetohet veçmas

Prokuroria ka vendosur ka përfunduar verifikimet për mundësinë e një njohje të mëparshme mes Klodian Rashës, 25 vjeçarit që u vra në orët e para të 8 dhjetorit 2020 nga Policia, dhe efektivit të Shqiponjave Nevaldo Hajdaraj.
Featured image of article: Mbyllen hetimet për vrasjen e Klodian Rashës: Viktima dhe efektivi Nevaldo Hajdëraj nuk njiheshin me njëri-tjetrin, pistoleta “Zoraki” nuk i përket asnjërit, dosja e saj do të hetohet veçmas Klodian Rasha dhe Nevaldo Hajdëraj
Përditësuar:

TIRANË– Mbyllen hetimet për vrasjen e Klodian Rashës! Burime nga Prokuroria kanë bërë me dije për Dosja.al se organi i akuzës ka dalë në pëfundimin se viktima Klodian Rasha dhe autori, ish-efektivi Nevaldo Hajdaraj, nuk njiheshin me njëri-tjetrin, duke rrëzuar kështu hipotezën se vrasja kishte ardhur si ‘hakmarrje personale’ .

Gjithashtu, Dosja.al ka mësuar se Prokuroria ka veçuar dosjen për pistoletën tip “Zoraki” që u gjet pak metra larg vendit të krimit dhe u aludua se ishte e viktimës Rasha.

Nga akti i ekspertimit të ADN-së, ku janë krahasur profilet gjenetike të viktimës, Klodian Rrasha, policit Nevaldo Hajdaraj me profilet gjenetike, të gjetura e sekuestruara në pistoletën “Zoraki”, nuk është nxjerrë asnjë rezultat konkret se kujt i përket arma në fjalë.

Në pistoletë nuk ekziston asnjë gjurmë AND-je mbi personin që e ka mbajtur pistoletën mesnatën e 8 dhjetorit 2020 dhe më pas e ka hedhur në pellgun me ujë, gati 80 metra larg trupit të pajetë të Klodian Rrashës, kështu që ajo dosje do të hetohet veçmas, në Shqipëri, nga laboratori i kriminalistikës. Efektivi Nevaldo Hajdaraj tashmë do të hetohet për veprën penale “vrasje me dashje”.

Si ndodhi krimi

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Mesnatën e 8 dhjetorit, kur Klodian Rasha, 25 vjeç kishte thyer rregullat e orës policore, do të pikasej nga dy efektivë të forcave “Shqiponja”. Nevaldo Hajdëraj, një efektiv 26-vjeçar u përplas me Rashën dhe përfundoi duke e vrarë atë me një plumb në shpatull.

Vetë efektivi që ndodhet tashmë pas hekurave ka rrëfyer se situata i ka dalë nga kontrolli pasi kishte menduar se 25-vjeçari kishte armë. Edhe kolegu i tij, që ishte me të në momentin e patrullimit tregoi se dëgjuan një zhurmë si mbushje arme dhe për këtë arsye qëlloi. Plumbi në shpatull dhe rënia në tokë duke dëmtuar kokën, i morën jetën të riut.

Kjo ngjarje revoltoi të gjithë Shqipërinë dhe për ditë me radhë pati protesta ku u kërkua dorëheqja e Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj. Edhe pse pse kjo kërkesë u plotësua, protestuesit kërkuan kokën e Ardi Veliut, kërkesë që kryeministri Edi Rama ua preu shkurt, kur tha se edhe nëse do të dilnin 500 mijë vetë në shesh, nuk mund të ndodhë.

(a.b;f.m/dosja.al)

Shto Koment