Editorial

Kjo fitore e Albin Kurtit nuk mund të jetë fitore e Kosovës

Grupet ekonomike që kontrollojnë në të vërtetë pushtetin në Kosovë, janë duke punuar më shumë se partitë që të ketë një qeveri pa Vetëvendosjen, të shmangin Albin Kurtin dhe të vazhdojnë të kontrollojnë ekonominë dhe financat publike. Vetë Albin Kurti po flet për planin B...
Featured image of article: Kjo fitore e Albin Kurtit nuk mund të jetë fitore e Kosovës

Fitorja e Vetëvendosjes në zgjedhjet e 6 tetorit, është quajtur si fitore e Kosovës. Entuziazmi dhe ndoshta dëshira për të ndodhur fitorja e Kosovës, i kanë dhënë rezultatit elektoral të VV, një përmasë që nuk është e vërtetë. Sot, kur dehja postzgjedhore ka dalë, dhimbja e kokës ka rifilluar, sepse rezultati është ai që mbetet kur entuziazmi ikën.

Kjo nuk do të thotë se Lëvizja e Albin Kurtit nuk arriti një fitore të rëndësishme. Përçarja që solli krijimin e PSD, ishte sprova e parë që kaloi VV këto zgjedhje. Grupi i kundërshtarëve të Albin Kurtit, “Judat” që e shkëmbyen idealin me paranë, “derrat e kënaqur” që dolën kundër  “sokratëve të vuajtur”, dështuan në zgjedhje. 26 për qind e votuesve ashtu si në zgjedhjet e para, edhe këtë herë, zgjodhën antististemin.

Treguan që paraja nuk mund të blejë gjithçka, që pavarësisht mjeteve që mund të përdorin oligarkët, pavarësisht investimit për shkatërrimin e lëvizjes që i rrezikonte, ata dolën më të fortë. Kjo është fitorja e Vetëvendosjes, një fitore që ndoshta nuk Iomjafton Kosovës. 

Nuk është hera e parë që VV del partia më e madhe nga zgjedhjet. Të njëjtat shifra ishin në zgjedhjet e kaluara. Ndryshimi i vetëm është se këtë herë Albin Kurti do të ketë i pari shansin për të formuar një koalicion qeverisës. Shpallja e kësaj mundësie si një fitore historike zgjati vetëm pak orë.

Takimi LVV-LDK nuk u realizua dot të hënën dhe skemat për të krijuar një koalicion tjetër, duke shfrytëzuar votën e minoriteteve, po bëhen çdo orë më prezente.

Grupet ekonomike që kontrollojnë në të vërtetë pushtetin në Kosovë, janë duke punuar më shumë se partitë që të ketë një qeveri pa Vetëvendosjen, të shmangin Albin Kurtin dhe të vazhdojnë të kontrollojnë ekonominë dhe financat publike.

Vetë Albin Kurti po flet për planin B, madje për zgjedhje të reja. Në këto kushte nuk mund të thuhet se në zgjedhjet e 6 tetorit fitoi Kosova. Fitoi se bëri zgjedhje model, fitoi se rezultati u shpall brenda natës, fitoi se tregoi që është një shoqëri që i ruan normat bazë të demokracisë, por nuk arriti të fitonte përmbysjen. Rezultati i mirë i Vetëvendosjes ishte vetëm fasada e një rezultati që nuk dha zgjidhje.

Vetëm 26 për qind e shqiptarëve në Kosovë, votuan kundër kastës hajdute, kundër korrupsionit galopant, zotërimit të ekonomisë nga oligarkët dhe sekserët e tyre që shfaqen herë si politikanë e herë si gazetarë.

Ashtu si në Shqipëri, edhe në Kosovë shqiptarët votuan partitë mëkatare, ato që nga paslufta e deri sot, prej 20 vjetësh ngrenë flamurin Kuqezi apo Bluverdhë për të mbuluar grabitjen massive, plaçkitjen pa dhunë, shkatërrimin pa shpresë të shoqërisë. Votuan ata që po i bëjnë Kosovës atë që nuk ia bëri as Serbia gjatë pushtimit 80 – vjeçar, po e zbrazin më keq se në 1999, po e plaçkisin dhe dhunojnë njësoj.

Vetëm 26 për qind, vetëm 31 deputetë ka prodhuar reagimi ndaj padrejtësisë. Për të bërë ndryshimin e premtuar, Vetëvendosja duhet të futet në koalicion me një nga partitë përgjegjëse për situatën, të krijojë një qeveri gjysmë të pastër, gjysmë-kundërshtare të sistemit, një qeveri me dy gjysma që punojnë kundër njëra-tjetrës.

Ky është skenari më i mirë për Vetëvendojen që gjithashtu e kompromenton mundësinë që fitorja e saj të jetë fitore e Kosovës. Sepse shqiptarët në të dyja anët e kufirit, me apo pa zgjedhje të lira, nuk kanë zgjedhur përmbysjen, janë bërë pjesë e korrupsionit politik njësoj si politikanët.

Në vend të pragmatizmit kanë zgjedhur tifozerinë partiake, në vend të zgjidhjes për veten dhe vendin, kanë zgjedhur luftën partiake, në vend të dritës në fund të tunelit kanë zgjedhur verbërinë e nacionalizmit të maskarenjve.

Ndërsa pranonin rezultatin e zgjedhjeve, asnjë nga kryetarët e partive nuk e dha dorëheqjen. Shenja më e qartë se Kosova nuk fitoi.

Kryetarët e gjithë partive po shtrëngojnë më shumë se kurrë karriget dhe po gjuajnë koalicionet që të dalin përsëri të fituar kundër Kosovës.

Të marrin copën e tyre të tortës. Ndërsa ata do ta rindajnë përsëri vendin në copa, qytetarët do të marrin rrugën e emigracionit.

Kur nuk e bën dot gjen një atdhe të gatshëm. Fundja vetë votuan që ky të jetë atdheu i hajdutëve.

Shto Koment