Aktualitet

COVID-19, Kisha Katolike pezullon aktivitetet: Meshat të bëhen online në rrjetet sociale

Në dekretin e firmosur sot bëhet me dije se  janë pezulluar gjitha kremtimet liturgjike, përfshirë Meshën e Shenjtë  e katekizmit për fëmijë e të rritur, por ashtu janë pezulluar dhe të gjitha aktivitetet e tjera të programuara, dioqezane dhe famullitare, me fëmijët dhe të rriturit.
Featured image of article: COVID-19, Kisha Katolike pezullon aktivitetet: Meshat të bëhen online në rrjetet sociale Vendimi dhe Kisha Katolike

TIRANË- Situata e koronavirusit ka prekur dhe Kishën Katolike. Në një njoftim për mediat Kisha bën me dije se ka mbyllur disa aktivitete të cilat çojnë në grumbullim njerëzish. Në dekretin e firmosur sot bëhet me dije se  janë pezulluar gjitha kremtimet liturgjike, përfshirë Meshën e Shenjtë  e katekizmit për fëmijë e të rritur, por ashtu janë pezulluar dhe të gjitha aktivitetet e tjera të programuara, dioqezane dhe famullitare, me fëmijët dhe të rriturit.

NJOFTIMI I PLOTË

Fort të dashur meshtarë, rregulltarë dhe rregulltare, besimtarë, Duke vlerësuar situatën e ditëve të fundit e krijuar nga Covid-19 në Shqipëri, duke pasur parasysh urdhëresën nr. 132, datë 08.03.2020, të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Mbrojtjes Sociale, po ashtu Letrën e Konferencës Ipeshkvore të datës datës 29 shkurt 2020, duke vlerësuar përvojën e kishave simotra në vende të tjera, pas konsultimit me specialistë të fushës e duke i thirrur sensit të përgjegjësisë si Ipeshkëvinj të Kishës Katolike në Shqipëri:

Dekretojmë: Pezullimin e të gjithë aktiviteteve dioqezane dhe famullitare në Kishën Katolike në Shqipëri në të cilat parashikohet pjesmarrja dhe grumbullimi i popullit deri me datë 3 prill 2020 e që konkretisht do të thotë: Pezullimin e të gjitha kremtimeve liturgjike, përfshirë Meshën e Shenjtë; Pezullimin e katekizmit, për fëmijë e të rritur; Pezullimin e të gjitha aktiviteteve të tjera të programuara, dioqezane dhe famullitare, me fëmijët dhe të rriturit; Pezullimin e të gjitha kurseve të formimit pranë qëndrave tona komunitare.

Ndërkohë, ftojmë famullitarët që: të kremtojnë Meshën në kapelat e tyre, duke e transmetuar atë edhe online nëpërmjet rrjeteve sociale; të garantojnë rrëfimin personal duke ruajtur distancat e duhura e duke garantuar edhe sekretin e bisedës; të garantojnë marrjen e Kungimit për të sëmurët që e kërkojnë në shtëpi dhe për ata të pranishëm, gjithmonë duke ruajtur rregullat e vendosura nga organet e shëndetësisë; të garantohet Sakramenti i Vajimit për të sëmurët në rastet kur kërkohet, duke ndjekur rregullat e duhura higjenike;  të garantohen funeralet duke shmangur mbledhjen e popullit, por duke bërë lutjen në momentin e mbylljes së arkivolit dhe në momentin e vendosjes në varr; kishat të rrinë të hapura për lutjen personale gjatë ditës, duke informuar dhe këshilluar njerëzit që të mbajnë distancën e duhur nga njëri-tjetri.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Po ashtu ftojmë të gjithë besimtarët katolikë që të jenë të vëmendshëm dhe të dëgjueshëm ndaj rregullave dhe udhëzimeve të nxjerra nga organet përkatëse për përballimin e situatës. Të jemi të vetëdijshëm për sakrificën që duhet të bëjmë të gjithë bashkë për të mirën e njerëzve dhe shëndetit të tyre. Të vazhdojmë, të dashur besimtarë t’i lutemi Hyjit në familjet dhe në shtëpitë tona për këtë situatë që të kalojë sa më shpejt në vendin tonë dhe në të gjithë botën. Ky dekret do të hyjë në fuqi nesër, e premte, 13 mars. Dhënë nga Selia e Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, me datë 12 mars 2020

COVID-19 në Shqipëri ka infektuar 15 persona, ku një prej tyre ka gjetur vdekjen. Ministria e Shëndetësisë konfirmoi dje viktimën e parë, që ishte pacientja e moshuar në Durrës. Në Tiranë janë 13 pacientë, ndërkohë që hara e të prekurve është zgjeruar dhe në Lushnje. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të ruajnë qetësinë, ndërkohë ata që kanë udhëtuar nga vende të prekura dhe ndiejnë simptoma të ngjashme me gripin, të telefonojnë në 127 dhe të mos shkojnë direkt në spitale, por të izolohen në banesat e tyre për 14 ditë. Qeveria ka marrë një sërë marash shtrënguese kundër koronavirusit, duke mbyllur shkolla e universitetet, pube-t, palestrat dhe ka ndaluar të gjitha grumbullimet masive si konferenca, aktivitete sportive e kulturore. Po ashtu është pezulluar dhe transporti publik në Tiranë e Durrës, janë shtuar fondet për përballimin e situatës dhe janë marrë një sërë vendimesh.

(A.B. Dosja.al)

Shto Koment