Rajoni

Vjosa Osmani shkarkohet nga detyrat që kishte në LDK, Mustafa: Nënkryetar do jetë Hoti. Kryetarja e Kuvendit: Më përjashtuat se jam grua, ju pres në zgjedhje

Vjosa Osmani shkarkohet nga kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe humbet postin e nënkryetares. Pas vendimit të Këshillit të Përgjithshëm, ka reaguar Isa Mustafa dhe shkruan se postin e nënkryetarit do ta mbajë Avdullah Hoti. Nga ana tjetër Vjosa Osmani e ka quajtur vendimin e sotëm si një përpjashtim dhe ata që kanë votuar kundër saj, i pret në zgjedhje.
Featured image of article: Vjosa Osmani shkarkohet nga detyrat që kishte në LDK, Mustafa: Nënkryetar do jetë Hoti. Kryetarja e Kuvendit: Më përjashtuat se jam grua, ju pres në zgjedhje

KOSOVË- Lidhja Demokratike e Kosovës ka vendosur sot që të shkarkojë Vjosa Osmanin nga postet e saj në këtë parti. Pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm është vendosur që Osmani të largohet nga kryesia e LDK-së dhe të mos jetë më nënkryetare.

Lajmin është bërë publik nga deputeti deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, i cili e cilëson vendimin skandaloz. Ai shton se votimi është bërë me e-mail dhe hedh dyshime se mund të ketë pasur manipulime.

“Vendimi i skandaloz për kinse shkarkimin permes Email të Vjosa Osmanit nga organet drejtuese të LDK-së, i inicuar nga njerzit pa legjitimitet qytetar, paraqet vetem një manipulim interneti e asgje më shumë. Votimi i përmes email është një vendim mashtrues dhe frigacak si gjithmonë i disa njerzëve që skanë guxim qytetar të maten e thirren si pronarë të LDK-së. Këta se kanë problem edhe ti manipulojnë rezultatet. Egziston mundesia që rezultatet i ketij sondazhi Online mund te jenë manipuluar prandaj ska vlerë as juridike as obligativ për askënd. Ne dhe secili aktivistë i LDK-së do e konsiderojnë këtë vetëm si nje sondazh pavlerë derisa ky vendim të mos mirret konform rregullave demokratike”, shkruan Avdyli.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Pas publikimit të lajmit ka ardhur një reagim dhe nga Isa Mustafa, i cili shkruan se Vjosa Osmani është liruar nga të gjitha detyrat e saj në parti. Më tej Mustafa shprehet se nënëkryetar i partisë tani do jetë Avdullah Hoti. Një reagim ka ardhur dhe nga Osmani, e cila shkruan se ajo tashmë është përjashtuar nga LDK-ja, por të gjithë ata që kanë votuar për largimin e saj i prej në zgjedhje përball qytetarëve. 

Shkarkimi nga të gjitha detyrat në Lidhjen Demokratike, për Vjosa Osmanin, është kërkuar nga Isa Mustafa. Ai kërkoi sot takimin e Këshillit Politik dhe tashmë nënkryetar nuk do të jetë më Vjosa Osmani, por Avdullah Hoti. Këto ndryshime të propozuara nga Mustafa, vijnë pas qëndrimeve kundra që ka mbajtur Osmani për prishjen e koalicionit me LVV-në.

(A.B. Dosja.al)

  • 22:14

    Osmani: Po përjashtohem se jam grua, ju pres në zgjedhje e të shohim kush do fitojë

    Vjosa Osmani, kryetarja e Parlamentit të Kosovës ka reaguar pas shkarkimit nga detyrat e saj në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Në një reagim në mediat sociale, Osmani shkruan se është përjashtuar nga partia, pasi ka thënë se nuk mund të qeveriset me të korruptuarit e se në Kosovë do sillte ndryshim. 

    Në reagimin e saj të parë, e çlruar nga detyrat partiake, Osmani shprehet se e kanë larguar se është grua, pasi në postin e nënkryetarit gjithmonë ka pasur burra. Më tej Osmani shprehet se falenderoj 53 anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm që nuk u bënë pjesë e diferencimit politik. Në fund ajo thotë se me të tjerët pret përballjen në zgjedhje, të dalim para qytetarëve dhe të shihet se kush do fitojë. 

    REAGIMI I PLOTË

    Po përjashtohem e diferencohem sepse: Thashë kurrë me të korruptuarit, dhe ashtu mbeti; Thashë do t’i sjellim Kosovës ndryshimin e jo mendësinë e vjetër në pushtet, dhe ashtu mbeti; Thashë se nuk do ta përkrahë asnjë tregtar të kufijve e të sovranitetit, dhe ashtu mbeti. Thashë për Kosovën do të kërkojmë barazi nëpërmjet reciprocitetit, dhe ashtu mbeti; Thashë se askujt nuk do t’i punojmë pas shpine, dhe ashtu mbeti; Pra, u diferencova e shkarkova sepse e mbajta fjalen. U diferencova edhe për shkak se jam grua, sepse asnjë nënkryetar burrë në të kaluarën, edhe kur kanë kundershtuar e vepruar kundër vendimeve të partisë, nuk janë përjashtuar.

    Por, të dashur qytetarë të Kosovës, sistemet që themelin mbi të cilin qëndrojnë e kanë diferencimin, janë gjithnjë të destinuara të dështojnë. Kështu ka qenë në të kaluarën, e kështu do të jetë edhe tash e tutje, të jeni të bindur. Prandaj po e përsëris atë që e kam thënë në Kuvend më 25 mars:

    Në politikë, sikur edhe në jetë, ndonjëherë duhet ta paguash çmimin e të qenit parimor. Unë e kam provuar në lëkurën time më shumë se njëherë. Por, parimësia tregon udhën e vërtetë, edhe kur ajo është e mbushur përplot gjemba. E, unë nuk përtoj t’u rrekem këtyre pengesave për ta bërë të dukshme dritën, edhe nëse kjo nuk kuptohet nga disa mendjeshkurtër që sot votuan për përjashtimin e diferencimin tim. Por është një udhë që unë e kam ndjekur këto 20 vjet e ajo është udha që ta shtron besimi qytetarë dhe asaj nuk e kam ndërmend t’i ndahem kurrë. Në secilën betejë, do të jem me qytetarët, deri në fund.

    I falenderoj 53 anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm që nuk u bënë pjesë e këtij diferencimi politik. Ndërsa për diferencuesit e sotëm, shihemi në garën zgjedhore së shpejti. E aty do ta shohim se kush do të fitojë kur të dalim para qytetarëve. Gara e vërtetë është para qytetarëve, edhe pse shumica dërmuese prej jush diferencues, jeni aq frikacakë sa nuk do të guxoni të dilni në atë përballje, por sërish do të fshiheni prapa dikujt tjetër. Por përballja e madhe do të ndodhë. Mua më ka ngritur populli dhe vetëm ai do të mund të më rrëzojë. Bring it on! 💪🏼

  • 22:03

    Isa Mustafa: Nënkryetar do jetë Avdullah Hoti, mori 99 vota

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas shkarkimit të Vjosa Osmanit. Një letër të publikuar në mediat sociale, Isa Mustafa shkruan se u drejtohet të gjithë anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm dhe njofton se Avdullah Hoti të zgjedhet nënkryetar i LDK-së, ndësa Vjosa Osmani të lirohet nga pozita e nënkryetares së LDK-së dhe anëtares së Kryesisë.

    Isa Mustafa, kreu i LDK

    Të nderuar anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së. Ju falënderoj për shprehjen e qëndrimit tuaj në letrën që ua përcolla sot më dt. 20 qershor 2020. Kam nderin tu njoftoj se deri në përfundim të afatit të shprehjes së qëndrimit tuaj, më 20 qershor 2020 në ora 19:00, pyetjeve: A e përkrahni propozimin që z. Avdullah Hoti të jetë nënkryetar i LDK-së, nga 123 anëtarë aktual të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së janë përgjigjur 99 anëtarë, prej tyre 92 janë shprehur për (Po); 3 janë shprehur kundër (Jo), 4 kanë abstenuar dhe 24 nuk janë përgjigjur, s’kanë marrë pjesë në votim

    Ndërsa për sa i përket propozimit për lirimin e znj. Vjosa Osmani nga pozita e nënkryetares dhe nga Kryesia e LDK-së, nga 123 anëtarë aktual të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së janë përgjigjur 95 anëtarë, prej tyre 70 janë shprehur për (Po); 16 janë shprehur kundër (Jo), 9 kanë abstenuar dhe 28 nuk janë përgjigjur, s’kanë marrë pjesë në votim. Në bazë të kësaj, si Kryetar i LDK-së konstatoj se Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës VENDOSI që: z. Avdullah Hoti të zgjedhet nënkryetar i LDK-së; znj. Vjosa Osmani të lirohet nga pozita e nënkryetares së LDK-së dhe anëtares së Kryesisë”, shkruan Musfata në letrën e bërë publike nga LDK-ja.

  • 21:23

    Zbulohen EMRAT, ja kush votoi kundër shkarkimit të Vjosa Osmanit nga detyrat në LDK

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka shkarkuar sot nga detyrat në parti Vjosa Osmanin. Mediat në Kosovë kanë publikuar dhe merat e atyre që kanë votuar kundër shkarkimit të Osmanit.

    Kryesia e LDK (Foto ilustruese)

    Mësohet se disa nga anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së që votuan kundër shkarkimit të Vjosa Osmanit nga pozitat e saj në LDK janë: Valentina Bunjaku, Anton Quni, Haxhi Avdyli, Ardian Shala, Avdi Pireva, Lumir Abdixhiku, Xhafer Tahiri. Gjithashtu bëhet me dije se anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së nuk e dinë rezultatin për shkarkimin e Vjosa Osmanit.

Shto Koment