Blog

Kërkoi të hante misrat e derrave, si u dënua me 15 vite burg Bedriu, gruaja iu martua dhe ngeli fillikat

Agim Xhafka tregon historinë e Bedriut që humbi gjithçka vetëm se kërkoi të hante misrin e derrave.
Featured image of article: Kërkoi të hante misrat e derrave, si u dënua me 15 vite burg Bedriu, gruaja iu martua dhe ngeli fillikat

Shqipëri- Bedriu thuajse ka 30 vjet që nuk e fut mishin e derrit në gojë. Jo nga që është fetar,por sepse derrat i sjellin ndër mend pjesën më të madhe të jetës. Atë më të përvuajturën.
Ja se si është historia e tij për plot çerek shekulli.
Bashkë me Vjosën,gruan e tij,punonin në stallën e derrave të kooperativës. Sapo ishin martuar dhe kur shiheshin me dashuri skuqeshin se i kapte turpi prej kafshëve. Mbarështim shkencor quhej ato mote rritja e derrave,por në fakt i ushqenin veç me misër të thërrmuar,kripë,ujë,kaq. Bashkë me Vjosën merreshin edhe me pastrimin e kapanonit të madh. Derrat shtonin peshë çdo ditë dhe kur mbushnin afër 100 kg vinin nga qyteti me makinë,i merrnin dhe pasi i thernin një pjesë ua ndanin me tallon familjarëve. Dhjamërat bëheshin konserva dhe kockat i çonin në konvikte për supra e gjellë të ndryshme.
Vitin e parë për ushqim përdorej misri hamullor,ai që mbillej pasi korrej gruri. Rritej shpejt ndaj kishte pak vlera ushqyese. U pa që shtimi në peshë me këtë lloj misri ecte ngadalë,jo siç donte qeveria. Ndaj u dha urdhri i prerë të përdorej misri me kalli të plotë,ai i pjekuri mirë dhe që kishte plot vlera dhe shumë vitamina. Ndërsa misri pa kalori që ishte si kashtë e tharë të bëhej bukë për fshatin.Kështu dy vite deri sa një ditë…
Nëntor ishte kur u bë një mbledhje në fshat. U renditën plot arritje e plot begati në atë sallë ku shumica e njerëzve ishin me çizme llastiku dhe me pantallona të andruara në dy-tre vende. Një pjesë me dhëmbë të rrëzuar dhe rinia e vrenjtur,i kishte marrë arratinë buzëqeshja.
Në fund foli Bedriu. Iu duk se do bënte një propozim të goditur.E nisi me fjalët:
-Siç e dini ne në fshat gjithë vitin hamë bukë misri.
-E dimë,e dimë,-i thanë ata që drejtonin mbledhjen.
-Ndaj dua të propozoj. Si ne,si derrat ushqehemi me misër. Por ata e kanë misër prej vërteti,ndërsa ne e kemi si bar të thatë,nga ai që kokrrat në kalli i ka si dhëmbët e xha Saniut.
-E ç’propozon?
-Propozoj që atë misrin e derrave ta hamë ne njerëzit dhe misrin tonë t’ua japim derrave!
Drejtuesit të mbledhjes iu ngrit damari i ballit. Iu skuq surrati e klithi:
-Sabotator,dashke të na ngordhësh derrat,mor hajvan!
Pas gjysmë ore erdhi në fshat GAZ-i i degës dhe e përfshiu Bedriun. Ca muaj gjoja hetime,e dënuan me 15 vjet burg si armik i popullit dhe atdheut. I bëri kokërr më kokërr në Spaç e Ballsh. Kur doli nga dënimi Vjosa qe martuar me dikë nga Opari, kishte shtatë fëmijë,prindërit vdiqën e nuk i varrosi dot,vëllezërit e motrat e harruan se u hidhej në erë jeta e tyre. Tani rri te shtëpia gjysmë e rrënuar aty në fshat. Ka ca pula e një copë tokë. Punon dhe sikur harrohet. Ndonjëherë e merr malli për të parë stallën ku punoi po sa i shton asaj fjalën derr heq dorë. I kujtohet burgu dhe jeta që iu shkel nga derrat me dy këmbë. Madje tani nuk mbjell as misër. Ka fiksim se mos ia marrin e ushqejnë derrat. I dhimbet çdo orë që kalon. Se deri tani jetoi keq,shumë keq. As si derrat nuk e mbylli qoftë edhe një ditë…

Shto Koment