Kulture

2 javë në krye të ASH, Skënder Gjinushi shpërndan çmimet për ‘kërkimet shkencore’, triumfon themeluesi Luan Omari

Themeluesi i Akademisë së Shkencave, Luan Omari u vlerësua sot me çmimin e karrierës, gjatë ceremonisë së ndarjes së Çmimeve Shkencore Kombëtare Vjetore për vitin 2018.

TIRANË- Akademia e Shkencave e Shqipërisë organizoi sot edicionin e III-të të ceremonisë së ndarjes së Çmimeve Shkencore Kombëtare Vjetore për vitin 2018, vetëm dy javë, pasi në krye të këtij institucioni u zgjodh, Skënder Gjinushi. Ceremonia u hap me muzikë klasike, pjesë të luajtur nga opera “Vivaldi”.

Në këtë event, i cili u prezantua nga gazetarja e njohur Beti Njuma, morën pjesë akademikë dhe figura të politikës, ku u ndanë 4 çmime për studiuesit e kërkimit shkencor:  

-Çmimi i “Karrierës akademike”;

-Çmimi “Eqerem Çabej” për shkencat shoqërore dhe albanologjike;

-Çmimi “Petrit Radovicka” për shkencat natyrore dhe teknike;

-Çmimi për “Kërkuesin e ri më të suksesshëm”.

 

 

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Çmimi i “Karrierës” iu dha akademikut të nderuar, themeluesit Luan Omari nga vetë kryetari i Akademisë Shkencave, Skënder Gjinushi, i cili e falenderoi këtë të fundit për kontributin e shquar në fushën e kërkimit shkëncor, duke i dhuaruar dhe një çek prej 500 mijë lekësh. Akademiku Omari pas marrjes së çmimit tha se ndihet mjaft i vlerësuar që mori këtë çmim në fund të karrierës së tij, duke shtuar se do vazhdojë të kontribuojë me aq forca sa i kanë mbetur.

“Jetën time të gjatë, kohën më të madhe e kam kaluar në institucionet shkencore. Kam pas fat të madh të jem pranë njerëzve të shquar, si Eqrem Çabej, Aleks Buda, etj. Është kënaqësi e madhe që të marrë këtë çmim, në fund të karrierës sime. Do të mundohem, që forcat që më kanë mbetur t’ja kushtoj akademisë sonë”, u shpreh akademiku Luan Omari.

Një tjetër çmim iu dha studiueses Belisa Muka dhe studiuesit italian, Giuseppe Lepore, të cilët morën çmimin “Kërkuesi më i ri i sukseshëm”, për shkencat shoqërore dhe albanologjike, të cilin ua dorëzoi ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila tha se bashkëpunimi shqiptaro-italian ka dhënë frytet e dukshme në këtë fushë.

Është shpresëdhënëse që të gjithë të rinjtë t’i hynë rrugës kërkimore, edhe të mos ngelin në sipërfaqen të kërkimit. Serioziteti i tyre na vë edhe më shumë para përgjegjësisë, që të jemi mbështetës”, u shpreh Margariti.

Me çmimin “Petrit Radovicka”  u vlerësua akademiku Jani Vangjeli, të cilit iu dha çeku prej 1 milionë lekësh të vjetra, si falenderim për punën e palodhur dhe kontributin e tij në fushën e kërkimit shkencor, e cila kërkon mjaft kohë për të realizuar objektivat e saj.

Çmimi i fundit, “Eqerem Çabej”, shkoi për për veprën më cilësore origjinale monografike në shkencat shoqërore dhe albanologjike, “Historia e shqiptarëve gjatë shek. XX”, nga një grup autorësh, të cilëve iu dha çeku prej 1 milionë lekësh të vjetra.

Ndërsa, juria për ndarjen e çmimeve përbëhej nga 10 anëtarë, përfaqësues të institucioneve të ndryshme kërkimore me kryetar profesor Etem Lika.

(a.m & a.s/dosja.al)

Shto Koment