Aktualitet

Kërkesa për mbylljen e RTV Ora, Avokati i Popullit: Mbyllja e ekraneve është më e rëndë se pandemia

AP shkruan se propozimi për marrjen e masës së ndërprerjes së transmetimeve për televizionin Ora NeWs, përveç gjobave nuk flet për një qasje të ekuilibruar dhe konstruktive të autoriteteve tona ndaj media
Featured image of article: Kërkesa për mbylljen e RTV Ora, Avokati i Popullit: Mbyllja e ekraneve është më e rëndë se pandemia Foto e publikuar nga Avokati i Popullit

TIRANË- Avokati i Popullit ka reaguar sot pas kërkesës për së ISHSH për mbylljen e RTV Ora. Në një reagim për mediat, AP shkruan se propozimi për marrjen e masës së ndërprerjes së transmetimeve për televizionin Ora NeWs, përveç gjobave nuk flet për një qasje të ekuilibruar dhe konstruktive të autoriteteve tona ndaj medias.

Gjithashtu Avokati i Popullit ka kryer ditën e sotme një verifikim në mjediset e Komisariatit nr.1, pas ankesës së bërë në institucion se janë shoqëruar shtetasit Kastriot Çipi, Donald Dedja dhe Nderim Kurti pas pjesëmarrjes së tyre në një tubim paqësor në sheshin “Skënderbej”.

Avokati i Popullit është njohur përmes medias sot me lajmin se Ora News – një nga transmetuesit e rëndësishëm televizivë në vend – është gjobitur nga ISHSH, e më pas është kërkuar ndërprerja e transmetimit, për shkak të pretendimeve për mosrespektimin e disa rregullave të pranisë në studio të të ftuarve gjatë programeve të këtij televizioni. Avokati i Popullit së pari kërkon që masat e distancimit social për sa proporcionale me gjendjen që ka diktuar vendosjen e tyre, duhet të zbatohen e të respektohen nga të gjithë. Në të njëjtën kohë është e natyrshme se masat administrative duhet të jenë në përshkallëzim e assesi nuk mund të jenë qëllim në vetvete për institucionet përkatëse. Ato duhet të zbatohen sigurisht me proporcionalitet dhe kujdes në përputhje me ligjin dhe qëllimin e rëndësishëm që duhet të arrihet e që është ndërprerja e përhapjes së virusit. Propozimi për marrjen e masës së ndërprerjes së transmetimeve për televizionin Ora News, përveç gjobave nuk flet për një qasje të ekuilibruar dhe konstruktive të autoriteteve tona ndaj medias.

Fjala e lirë është një cilësi e cila edhe nëse nuk do të ekzistonte në shoqëri, do të duhej të ushqehej e të nxitej nga institucionet tona, pasi ajo i bën mirë shëndetit të demokracisë sonë për të cilën fjala e lirë ka efektin që do të kishte vaksina mbi coronavirusin. Edhe perceptimi se po gjurmohet çdo ngjarje anësore për t’u përdorur si pretekst për kufizimin e fjalës së lirë, si përmes gjobave ashtu edhe përmes njoftimit të mbylljes së transmetimeve, në optikën e Avokatit të Popullit përbën një rrezik më të madh se Pandemia. Avokati i Popullit vlerëson se në kushtet kur është e qartë se situata e coronavirusit në vendin tonë dhe kudo në Europë po shkon drejt qetësimit dhe masat po pësojnë një relaksim të përgjithshëm, rreptësia ekstreme që po tregohet ndaj rregullave të vendosura muaj më parë, është në shpërpjesëtim me panoramën e përgjithshme.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Gjithashtu, Avokati i Popullit ka kryer ditën e sotme një verifikim në mjediset e Komisariatit nr.1, pas ankesës së bërë në institucion se janë shoqëruar shtetasit Kastriot Çipi, Donald Dedja dhe Nderim Kurti pas pjesëmarrjes së tyre në një tubim paqësor në sheshin “Skënderbej”. Duhet pasur parasysh se mandati ligjor i Avokatit të Popullit në rastin e shoqërimit të qytetarëve ka të bëjë me verifikimin e procedurave të ndjekura gjatë shoqërimit dhe/ose arrestimit të qytetarëve dhe jo me vlerësimin nëse veprimet apo mosveprimet përbëjnë vepër penale. Përfaqësuesit e Avokatit të Popullit kanë zhvilluar takim me personat e shoqëruar dhe kanë marrë deklaratat e tyre. Sipas deklarimeve të të shoqëruarve, ndalimet janë bërë nga punonjës policie në disa raste të pa-pajisur me mjete identifikimi. Shtetasi Kastriot Çipi ka deklaruar se është shoqëruar ndërkohë që po kryente filmimin e ndalimit të qytetarit Altin Goxhaj dhe se punonjësit e policisë nuk kanë marrë parasysh kredencialet e tij si gazetar. Ai gjithashtu ka raportuar se vuan nga probleme shëndetësore dhe se në komisariat për disa orë nuk i është komunikuar karta e të drejtave dhe shkaku i shoqërimit, si dhe është privuar nga kontrolli mjekësor, medikamentet dhe qasja me avokatin.

Avokati i Popullit u tërheq vëmendjen autoriteteve ligjzbatuese që në ushtrimin e detyrës të ruajnë me çdo kusht kriteret e proporcionalitetit në çdo vendim dhe masë që ndërmarrin për shoqërimin e çdo qytetari që rezulton të mos ketë kuptim të qartë apo të njëjtë me atë të tyre në lidhje me masat kufizuese të vendosura në rastin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në vendin tonë. Qëllimi i këtyre masave s’mund të jetë heshtja e zërit ndryshe apo mospajtues me politikat e qeverisë. E kundërta është e vërtetë. Besimi i qytetarëve dhe më gjerë, se masat janë të duhurat dhe proporcionale dhe se zbatimi i tyre ka të vetmin qëllim, ruajtjen e të drejtës së jetës së tyre, është provuar të sjellë rezultat shumë më të mirë se dhjetëra apo qindra gjoba. Askush nuk mund të pajtohet me retorikën se masat ekstreme ndaj qytetarëve kanë qëllim fundor mbrojtjen e jetës së qytetarëve prej pandemisë, nëse gjatë zbatimit të këtyre masave, shëndeti, siguria, mirëqenia dhe garancia e jetës në një vend të lirë për qytetarët, cënohen po aq keq sa do të ishin cënuar edhe nga vetë prekja prej virusit pandemik.

(A.B. Dosja.al)

Shto Koment