Aktualitet

“Kemi të sëmurë, shteti nuk e vë ujin në zjarr”/ Me lopata në duar banorët hapin rrugën e fshatit në Fushë-Arrëz, thirrja: Shpresën e kemi tek gazetarët, dilni në terren dhe shikoni ç’po heqim

VIDEO
Banorët kërkojnë ndihmë nga shteti për rregullimin e rrugës. Ata shprehen se nuk kanë mundësi të shkojnë në spitale. Po kështu në fshatin e tyre nuk ka asnjë qendër shëndetësore.
Featured image of article: “Kemi të sëmurë, shteti nuk e vë ujin në zjarr”/ Me lopata në duar banorët hapin rrugën e fshatit në Fushë-Arrëz, thirrja: Shpresën e kemi tek gazetarët, dilni në terren dhe shikoni ç’po heqim Foto nga rruga e dëmtuar, banorët me lopata në duar.

FUSHË-ARRËZ/ Me lopata në duar, banorët e fshatit Porav në Fushë-Arrëz janë duke hapur rrugën, e cila është dëmtuar nga shirat e fundit. Prej ditësh fshati i tyre ndodhet në izolim, pasi makinat nuk mund të kalojnë në këtë rrugë.

Mes banorëve që po punojnë ndodhet edhe një 70-vjeçar, i cili bën thirrje pushtetit lokal dhe vendor që të mirëmbajë këtë rrugë. I moshuari teksa flet në emër të tyre, nuk i ndal akuzat për kreun e bashkisë së Fushë-Arrëz, Fran Tuci, ku thekson se nuk e ka vënë “ujin në zjarr” për këtë fshat.  Shqetësuese për të janë edhe të sëmurët, të cilët e kanë të pamundur të shkojnë në qytet për t’u mjekuar. Ai tregon më tej se në këtë fshat nuk ka as qendër shëndetësore.

“Për këtë fshat nuk e ka çarë kokën askush, që kur është ngitur bashkia në Fushë-Arrëz dhe deri më sot. Secili është shkatërrimtar, as për rrugë, as për shkollë, as për ambulancë, as për ujësjellësa, as për një lloj sendi, vetëm vetëm për të shkatërruar janë. Duke filluar që nga administratori që është hajduti më i madh dhe të kalosh tek kryetari i Bashkisë. Ju lutemi mediave shqiptare që të merren masa për këto zona të thella malore. Kemi edhe sëmundjen që po flet përditë qeveria, kemi të sëmurë, rrugët po prishen. Qendër shëndetësore nuk kemi. Në mënyrë absolute asnjë lloj ndihme nga bashkia. Do ju lutemi shumë vetëm përmes gazetarëve se tek ju kemi shpresën e fundit. Dilni në terren dhe e shikoni çfarë po heqim. Po dalin kalamajtë dhe po rregullojnë rrugën se janë të bllokuara. Bashkia dhe qendra administratice nuk i venë ujin në zjarr. Unë jam një plak 70-vjeçar, askusht nuk merr masa për këtë rrugë”, është shprehur i moshuari.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Ndërsa një tjetër banor shprehet: “Kemi takuar edhe nën/kryetarin e Bashkisë, më dha numrin e telefonit, por nuk na del. Tani po iu biem në qafë juve, hajdeni na fotografoni rrugën. Jemi me të sëmurë në shtëpi, njëherë në 15 ditë duhet t’i çoj në Tiranë për mjekim.”

Banorët janë detyruar që me mjete rrethanore të nivelojnë disi dherat që kanë mbuluar rrugën. Mes tyre ka edhe fëmijë, të cilët japin kontributin e tyre.

J.V/Dosja.al 

Shto Koment