
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka ankesa për qeverinë shqiptare dhe qasjen e saj në kushtet e pandemisë së COVID-19. Ndikimi i kësaj të fundit në futboll ka qenë shumë i madh dhe shteti nuk ka ndihmuar futbollin.
Në një intervistë për TV Scan, ai ka paralajmëruar se ajo do të shtyjë institucionin e futbollit që të ndërhyjë në buxhetet e viteve të tjera.
“Si çdo fushë e jetës, edhe futbolli është prekur. Gjithçka ka ndaluar dhe futbolli është prekur ekonomikisht dhe nga të gjitha drejtimet. Një dëm që nuk është lehtësisht i rikuperueshëm. Është akoma më i vështirë për t’u rikuperuar dëmi në futboll, se sa në fusha të tjera të ekonomisë, industrisë apo biznesit”, ka deklaruar Duka.
“Ne kemi paguar gjithë futbollistët, trajnerët apo punonjësit e klubeve, të cilët nuk kanë një të ardhur tjetër me një minimum. Kemi dhënë dy paga prej 30 mijë lekësh të reja në muaj. Kjo është gjë e pazakontë për federatat sportive, sepse duke qenë taksapagues, kjo duhet të ishte një gjë që duhet të bëhej nga buxheti i shtetit, për të cilin ata paguajnë taksa”.
“Ne këtë vështirësi nuk e mbyllim dot me buxhetin e vitit 2020, por do të detyrohemi ta paguajmë duke marrë hua nga bankat dhe ta paguajmë nga buxhetet e ardhshme në vitet në vazhdim”, ka shtuar Duka.
M.P. / Dosja.al