Aktualitet

KED ngre grupin e punës për emërimet në “Kushtetuese”, Saida Dollani dhe Xhaferllari “përveshin mëngët”

KED vendosi që të ngrejë një grup pune, i kryesuar nga Saida Dollani dhe anëtarja zëvendësuese Marsida Xhaferllari, të cilat do të merren me plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese. 
Featured image of article: KED ngre grupin e punës për emërimet në “Kushtetuese”, Saida Dollani dhe Xhaferllari “përveshin mëngët” Foto ilustruese

TIRANË– Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka ngritur grupin e punës për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, bazuar në rekomandimet e Komisionit të Venecias. Pas takimit të sotëm të presidentit Ilir Meta me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi dhe pas “zbarkimit” në zyrë të dy ambasadorëve Yuri Kim dhe Luigi Soreca, KED ka nisur nga puna. 

Siç edhe njoftohet zyrtaisht, KED vendosi që të ngrejë një grup pune, i kryesuar nga Saida Dollani dhe anëtarja zëvendësuese Marsida Xhaferllari, të cilat do të merren me plotësimin e vendeve vakante. 

“Dy nga vakancat e përkohëshme që i takojnë institucionit të Presidentit të Republikës dhe Kuvendit të Shqipërisë, janë përgatitur plotësisht dhe në një kohë sa më të afërt do t’u përcillen kandidaturave përkatëse. Lidhur me vakancën e tretë që i takon Presidentit të Republikës, nuk është përfunduar ende i gjithë procesi standard i verifikimit,”-bëhet me dije në njoftimin e mbledhjes së sotme.

VENDIMET E MBLEDHJES SË SOTME: 

1.Diskutime dhe vlerësime në lidhje me rekomandimet e bëra nga Komisioni i Venecias në Opinionin nr.978/2020, datë 19 qershor 2020 “Për Emërimin e Gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese” përsa i takon veprimtarisë së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

2.Të tjera që lidhen me vijimësinë e përgatitjes së çështjeve të shortuara.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Përpara nisjes së diskutimeve në respektim të këtij rendi dite, anëtarët e KED duhet të miratonin edhe procesverbalet e mbledhjeve të kaluara të datave 3, 5 dhe 6 shkurt 2020. Për miratimin e këtyre procesverbaleve u vendos që të procedohet në mbledhjen e radhës së KED, pasi ato t’i përcillen Avokatit të Popullit për t’u njohur më përmbajtjen e tyre.

Sa i takon pikës së parë të rendit të ditës, KED vendosi të ngrihet një grup pune i përbërë nga anëtarja e KED Znj. Saida Dollani dhe anëtarja zëvendësuese Znj. Marsida Xhaferllari, të cilat do të punojnë intensivisht mbi pasqyrimin e rekomandimeve të bëra nga Komisioni i Venecias në Opinionin nr.978/2020, datë 19 qershor 2020 “Për Emërimin e Gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese” përsa i takon veprimtarisë së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Këto rekomandime do të pasqyrohen në aktet rregullatore të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, për të bërë të mundur vijimin e procesit në tërësi mbi përzgjedhjen e kandidaturave për vendet vakante.

Në lidhje me vijimësinë e përgatitjes së çështjeve të shortuara u bë me dije nga anëtarët relatorë se dy nga vakancat e përkohëshme që i takojnë institucionit të Presidentit të Republikës dhe Kuvendit të Shqipërisë, janë përgatitur plotësisht dhe në një kohë sa më të afërt do t’u përcillen kandidaturave përkatëse. Lidhur me vakancën e tretë që i takon Presidentit të Republikës, nuk është përfunduar ende i gjithë procesi standard i verifikimit.

Gjykata Kushtetuese është ende në ngërç për shkak të shkarkimeve nga procesi i Vettingut. Aktualisht në garë për t’u bërë pjesë e saj janë 23 kandidatë, të cilët do të konkurrojnë për 3 vendet vakante në këtë gjykatë, por lista ka “ngrirë” në KED. Komisioni i Venecias në opinionin e publikuar kërkoi rifillimin e punës për plotësimin e vendeve bosh, për të plotësuar edhe një prej kushteve të vendosura për çeljen e negociatave me Shqipërinë. 

(k.m/dosja.al)

Shto Koment