Bota

KE i jep dritën jeshile për negociatat: Do të rishikojmë vendimin, të paktën për Maqedoninë e Veriut

Komisioneri grek gjithashtu beson se kanalet e komunikimit me Ankaranë duhet të qëndrojnë të hapura, një temë për të cilën ai thotë se e ka diskutuar në bisedimet e javës së kaluar me Presidentin turk, Rexhep Tajip Erdogan.
Featured image of article: KE i jep dritën jeshile për negociatat: Do të rishikojmë vendimin, të paktën për Maqedoninë e Veriut Margaritis Schinas, nënkryetari i ri i Komisionit Europian

KE– Margaritis Schinas është nënkryetari i ri i Komisionit Europian. Schinas ka përjetuar disa nga momentet më të rëndësishme nëpër të cilat Greqia ka kaluar kohët e fundit dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në to. Ai ka qenë pjesë e vendimmarrjes në zemër të institucioneve europiane për vite me radhë. Në këtë intervistë për “Kathimerini”-n, ai flet për negociatat pas referendumit të kontrovers të vitit 2015-s dhe situatës së Greqisë që shkoi deri afër daljes nga Greqia dhe u përgjigjet pyetjeve në lidhje me temën kritike dhe të ndjeshme të krizës së migracionit.

Ai gjithashtu u referohet marrëdhënieve me Shkupin dhe vë në dukje nevojën që Greqia të marrë një rol qendror në rajon, si “Real Madridi i Ballkanit”, thotë ai, duke iu referuar skuadrës spanjolle të futbollit.

Komisioneri grek gjithashtu beson se kanalet e komunikimit me Ankaranë duhet të qëndrojnë të hapura, një temë për të cilën ai thotë se e ka diskutuar në bisedimet e javës së kaluar me Presidentin turk, Rexhep Tajip Erdogan.

Si ndiheni duke e ditur se jeni i pari grek që emërohet nënkryetar i Komisionit Evropian.

Ndiej një përzierje krenarie dhe përgjegjësie, sepse në të vërtetë është një nder i madh dhe i paparë. Jam i sigurt se mund t’u shërbej qëllimeve të këtij pozicioni mirë, por surpriza e emërimit më ka dhënë përgjegjësinë e shtuar që të shkoj përtej asaj që di se mund ta arrij, duke dhënë edhe më shumë sesa kërkohet.

Në rolin tuaj si zëdhënës i Komisionit Evropian, keni qenë afër vijës së parë në shumë momente thelbësore për krizën greke. Cili ka qenë incidenti që ka spikatur më shumë, që ju frikëson më shumë, si grek?

Ishte fundjava pas shpalljes së referendumit në korrik 2015. U njoftua vonë të premten, në mesnatë dhe fundjava ishte një makth i plotë. Ne patëm përshtypjen se Greqia dhe Eurozona ishin në buzë të humnerës. Ne atëherë dhamë një mesazh – e mbaj mend edhe sot – që i dha popullit grek një shpjegim shumë të nevojshëm dhe u botua të dielën në mëngjes – ajo deklaratë për shtyp kishte numrin më të madh të lexuesve ndonjëherë. Ky ishte një moment tërheqës, siç ishte e hëna në vijim, kur Presidenti i atëhershëm i Komisionit Jean-Claude Juncker mbajti një konferencë për shtyp që përfundoi me thirrjen e tij dramatike se “Greqia është Evropë dhe Evropa është Greqi”.

A pati një moment kur menduat vërtet se Grexit mund të ndodhte?

Po, natën e referendumit pasi u shpall rezultati, dhe hera e dytë ishte në samitin e 13 korrikut, kur rreth orës 4.30-5:00 të mëngjesit pashë Juncker-in të dilte nga salla e konferencave, pa çehre, dhe tha: Toujours rien  – Akoma asgjë. Në atë moment mendova se nuk kishte kthim mbrapsht dhe u përgatitëm për më të keqen.

Duke qenë se keni punuar kaq ngushtë me Juncker-in, a mund të na tregoni se sa shërbeu ai si katalizator në krizën greke?

Po, ishte katalitik kryesisht në lidhje me ndryshimin e mendimit që ishte krijuar dhe po përhapej në Berlin dhe Frankfurt, se një dalje greke nga Eurozona ishte e pashmangshme dhe se nuk ishte vetëm pjesë e eksperimenteve të Yanis Varoufakis (ish-ministri i Financave), por që qeveria e re kishte një plan të strukturuar për daljen. Juncker u mor për shumë kohë me ndryshimin e kësaj bindjeje. Filloi me fotografinë e famshme, ku ai shfaqet teksa “tërheq zvarrë” kryeministrin grek, Alexis Tsipras, në Berlaymont (ndërtesë e Komisionit të BE) në vizitën e tij të parë – duke i treguar atij se ai ishte gati të investonte te ai- dhe arriti kulmin me bisedat e shumta që ai pati me Tsipras në të njëjtën kohë, kundër reagimeve të forta nga Gjermania dhe Frankfurti, ku disa thoshin: “Mos u mërzit, nuk ke asnjë rol atje, nuk ke para atje, nuk është puna jote.” Por ai vazhdoi dhe kjo është ajo që bëri ndryshimin – së bashku me Francois Hollande (ish-presidenti francez) dhe, natyrisht, Mario Drgahi (ish-shefin e Bankës Qendrore Evropiane Mario) në përpjekjen e fundit – kur Draghi ishte i bindur se diçka kishte ndryshuar në Greqi.

Si i përgjigjeni mënyrës si e kanë pritur qytetarët krizën e migracionit? A është e justifikuar pakënaqësia?

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Unë u them atyre se Evropa ka bërë shumë për krizën e migracionit, por nuk ka bërë ende gjithçka. Aty ku jemi sot është padyshim më  mirë në krahasim me atë ku ishim kur shpërtheu kriza në verën e vitit 2015. Kemi Rojen Bregdetare Evropiane, sigurojmë burime të konsiderueshme, mund t’i dallojmë azilkërkuesit nga të tjerët, kemi dhënë shumë para në vendet e pritjes, kemi shpëtuar 700 000 jetë në Mesdhe – e gjithë kjo është bërë. Por nuk është gjithçka që duhet të bëhet. Ajo që ende na duhet është një mekanizëm solidariteti që do të marrë një pjesë të barrës jashtë vendeve të vijës së përparme dhe do ta shpërndajë atë me drejtësi te të tjerët. Ajo që ne e quajmë Dublin II, një ndryshim ii rregullave të Dublinit. Evropa ka dështuar në këtë front dhe ne duhet të kemi guximin ta pranojmë. Ne kemi një mundësi të re tani me Komisionin e ri. Ky është gjithashtu një nga elementët kryesorë të portofolit tim. Së bashku me komisaren përgjegjëse suedeze,Ylva Johansson, ne mund të ndërtojmë një fillim të ri, një fillim të ri agresiv, sepse vendet e vijës së përparme nuk mund të lihen vetëm. Për sa kohë që ky çekuilibër nuk është fiksuar, unë e kuptoj se njerëzit do të jenë të pakënaqur, dhe në mënyrë të justifikuar, me Evropën.

Qeveria greke kohët e fundit njoftoi një plan të ri veprimi për migracionin. Si ju duket?

Propozon lëvizje që janë në drejtimin e duhur. Kushdo që ka arsye të vendoset nën mbrojtje, duhet ta dijë se ata do ta gjejnë këtë në Evropë, sepse Evropa do të vazhdojë të jetë një destinacion azili, një pjesë e asaj që Europa përfaqëson para botës. Por gjithashtu duhet të bëhet e qartë se kushdo që nuk ka të drejtë mbrojtjeje, duhet të kthehet – dhe kjo duhet të ndodhë. Masat e qeverisë kanë për qëllim të bëjnë këtë ndryshim. Evropa do të vazhdojë të sigurojë mbështetje me mjete dhe burime. Dhe ka edhe një gjë tjetër që shumë njerëz nuk e dinë: se brenda disa muajsh, kufijtë e Evropës do të kontrollohen nga Roja Bregdetare Evropiane, e cila do të jetë agjencia e parë evropiane që do të armatoset dhe do të ketë anijet e veta. Të gjitha këto gjëra forcojnë besimin se ne po shkojmë drejt një realiteti të ri evropian në lidhje me migracionin.

Ka debate nëse Turqia po e përdor migracionin si një levë bilaterale, apo nëse kjo është pjesë e një negociimi më të gjerë me Evropën. Çfarë mendoni ju?

Unë nuk jam ekspert i Turqisë, por e di që Turqia ka pritur më shumë se 3.5 milionë sirianë në territorin e saj me konsistencë dhe dinjitet, dhe kjo është diçka që meriton mirënjohje, gjë që e merr rrallë. Ajo që është e vërtetë është se për sa kohë që paqartësitë në kontekstin më të gjerë të marrëdhënieve greko-turke vazhdojnë, çështja e migracionit do të jetë një valvul që më tepër shton sesa e çliron presionin. Është gjithashtu e vërtetë që ka një ndjenjë të pasigurisë strategjike në Turqi përballë Evropës, e cila përkthehet në veprime dhe retorikë që nuk e respektojnë bashkëpunimin që presim nga Turqia për migracionin. Mendimi im personal është që ne duhet të investojmë në rivendosjen e marrëdhënieve euro-turke për migracionin dhe për të gjitha çështjet e tjera, për të cilat pata mundësinë të flas sinqerisht me z. Erdogan të premten e kaluar. Unë mendoj se është më e dobishme të flasim me turqit, sesa t’i analizojmë turqit.

Turqia ka shfaqur sjellje që disa thonë se janë provokuese ndaj Qipros. Cila ka qenë përgjigjja e Evropës?

Nuk ka dyshim se praktika të tilla nga ana e Turqisë nuk e kanë ndihmuar Turqinë, apo marrëdhëniet euro-turke, ose kanë arritur qëllimet që Turqia i kishte shpallur. Këto lëvizje kanë të bëjnë më tepër me sensacionin dhe provokimin. Ka pasur një reagim evropian dhe do të ketë një reagim evropian sa herë që bën lëvizje të tilla “kauboji”. Në të njëjtën kohë, sidoqoftë, duhet të pranojmë se çështja e energjisë në Qipro do të zgjidhet një herë e përgjithmonë kur të kemi përparim në zgjidhjen e çështjes së Qipros. Sa më e gjatë të jetë koha pa parë perspektivat e një rezolute, aq më shumë do të intensifikohen taktikat e njëanshme, pa kontribuar në diçka specifike.

Lidershipi europian dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, investuan shumë në zgjidhjen e mosmarrëveshjes së emrit Athinë-Shkup dhe perspektivat e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore në Bashkimin Evropian. Kjo për momentin mbetet pezull. Para së gjithash, a mendoni se aderimi i dy vendeve mund të tërhiqet? Dhe gjithashtu, a do të kenë ndikim gjeopolitik këto zhvillime?

Do ta nis duke thënë se jam shumë i lumtur dhe i kënaqur kur shoh që përkundër të gjitha sforcimeve të Greqisë në vitet e kaluara, ndikimi ynë dhe fuqia e butë që ne ushtrojmë mbi të gjithë fqinjët tanë në Ballkan vazhdon njësoj dhe është intensifikuar. Ne vijojmë të përfaqësojmë një imazh për fqinjët tanë për atë që ata duan të jenë një ditë. Dhe ky kapital politik – i cili buron jo vetëm nga fakti se ne jemi e vetmja demokraci e plotë e BE-së në rajon, por edhe që nuk ua kemi kthyer shpinën fqinjëve tanë – është diçka që duhet ta ruajmë. Dhe sigurisht, moshapja e negociatave të pranimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nuk ka ndihmuar. Nuk ka dyshim se Evropa i ka zhvendosur në mënyrë efektive objektivat për këtë çështje dhe u ka bërë këtyre dy vendeve një padrejtësi.

Mendimi im është që një përpjekje e re duhet të bëhet vitin e ardhshëm gjatë presidencës kroate, e cila do të mbulojë në mënyrë ideale të dy vendet, mbase me një kornizë të re, të paktën për Maqedoninë e Veriut.

Duke qenë se origjina juaj është nga veriu i Greqisë, ku çështja e emrit me Shkupin ka ndjeshmëri më të lartë, duhet të keni dëgjuar shumë kritika për marrëveshjen e emrit. Si u përgjigjeni këtyre kritikëve?

Unë kam qenë gjithmonë i qëndrueshëm në bindjet e mia dhe besoj se Greqia duhet ta çlirojë veten nga fobi të tilla. Unë besoj se jemi më të fortë se sa mendojmë dhe besoj se për çështje të tilla të bashkëpunimit fqinjësor dhe rajonal nuk ka 15 rrugë të ndryshme, por vetëm një. Përsëris se, si lojtari më i fuqishëm, ne jemi Real Madridi i Ballkanit dhe nuk kemi pse të frikësohemi nga askush. Përkundrazi: Ne jemi një paradigmë për të tjerët dhe unë nuk e kam pasur problem t’i mbroj këto ide në Bruksel dhe Athinë, në Selanik dhe në Ballkan.

Marrë nga: Respublica

Shto Koment