Politike

“Katet pa leje në kohë të Lulit”, Ina Zhupa përgënjeshtron Veliajn: U ndërtua në kohën e Ramës, ja dokumenti

Në një reagim në Facebook, Zhupa është shprehur se Veliaj ka gënjyer sërish sot qytetarët, pasi sipas saj leja për godinën është dhënë nga Edi Rama.
Featured image of article: “Katet pa leje në kohë të Lulit”, Ina Zhupa përgënjeshtron Veliajn: U ndërtua në kohën e Ramës, ja dokumenti Erion Veliaj dhe Ina Zhupa

TIRANË- Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar pas akuzave të Erion Veliajt se ndërtesa që u shemb sot para “Arenës Kombëtare” ishte ndërtuar në kohën kur Lulzim Basha ishte në krye të Bashkisë Tiranë.

Në një reagim në Facebook, Zhupa është shprehur se Veliaj ka gënjyer sërish sot qytetarët, pasi sipas saj leja për godinën është dhënë nga Edi Rama. Për të vërtetuar këtë gjë, ajo ka publikuar dhe dy dokumente ku shihet se leja për objektin është firmosur nga Rama në Vitin 2002.

POSTIMI I PLOTË

Kryemashtruesi Erion Veliaj që nuk kursen as jetën e femijëve për para, mashtroi edhe sot për të fshehur një aferë tjetër korruptive. Lejen për ndërtimin e godinës në sheshin Italia, e ka firmosur Edi Rama 17 vjet më parë, kur drejtonte Bashkinë e Tiranës dhe Veliaj e di më mirë se kushdo këtë gjë.

Kjo leje, e dhënë nga Edi Rama, tani do t’u kushtojë shqiptarëve miliona euro kompensim financar. Vetem 4 muaj më parë, Rama dhe Veliaj, edhe pse e dinin se godina do të prishej, e legalizuan. Madje dy punonjës të ALUIZNIT u shkarkuan vetem sepse nuk pranuan legalizimin.

Pyetja eshte se kush është përfituesi i vërtetë i kompensimit financiar që do të bëhet për këtë godinë? Rama? Veliaj? Apo të dy? Për të mbuluar të vërtetën dhe skandalin pas këtyre pyetjeve, Erjon Veliaj zgjedh të bëjë atë që di më mirë, mashtruesin.

Propaganda bajate nuk e mbulon dot të vërtetën se Erion Veliaj është bashkëpunëtor në pastrimin e parave të krimit nëpërmjet betonizimit të Tiranës. Kjo është një nga arsyet pse qytetarët e Tiranës refuzuan drejtimin e qytetit prej tij, njësoj siç refuzojnë qeverisjen e Edi Ramës. Ai do të jape shpejt llogari para drejtesise se pakapur dhe para qytetarëve shqiptare për çdo aferë kriminale, nga Teatri Kombetar dhe zhvendosja e Lanës, tek vrasja e Ardit Gjoklaj. Bashkëngjitur janë dy dokumente: 1. leja e firmosur nga Edi Rama në 2002.

Ditën e sotme, Bashkia Tiranë dhe IKMT kanë shembur godinën tek Arena Kombëtare, stadium që po shkon drejtë përfundimit. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, tha se kjo ndërtesë biznesi i ka marrë “frymën”, Arenës.  Ndërkohë që pas shembjes së kësaj godine, Dosja.al ka mësuar se në këtë hapësirë është planifikuar të jetë parkim privat, që do t’u shërbejë të gjithë tifozëve që do të zgjedhin të shohin ndeshjet nga “Arena Kombëtare”.

(A.B. Dosja.al)

Shto Koment