Aktualitet

Dështimi i marrëveshjes për Teatrin, reagon Kastriot Çipi: Ulërimat e idiotëve të padobishëm tani duhet të heshtin…

Regjisori Kastriot Çipi është shprehur se lufta nuk ka mbaruar ende por ka hyrë në një fazë të re, pasi ata që ai i quan si Diktatori (qeveria) dhe Qeni i tij i Sulmit do të jenë të detyruar t’i rikthehen debatit publik fillestar.
Featured image of article: Dështimi i marrëveshjes për Teatrin, reagon Kastriot Çipi: Ulërimat e idiotëve të padobishëm tani duhet të heshtin… Kastriot Çipi

TIRANË– Regjisori Kastriot Çipi ka reaguar pasi Bashkia e Tiranës është tërhequr zyrtarisht nga projekti i parë që do ndërtonte godinën e re të Teatrit në bashkëpunim me kompaninë Fusha.

Në reagimin e tij, Çipi është shprehur se lufta nuk ka mbaruar ende por ka hyrë në një fazë të re, pasi ata që ai i quan si Diktatori (qeveria) dhe Qeni i tij i Sulmit do të jenë të detyruar t’i rikthehen debatit publik fillestar.

“Tani është koha që ulurimat e idiotëve të padobishëm, për marrjen me sulm të Ministrisë së Brendshme brenda gjysmë ore, për përshtatjen e taktikave mbrojtëse të Skënderbeut dhe kthimin e Teatrit Kombëtar në një kështjellë të dytë të Krujës, të heshtin dhe t’ua lenë vendin zërave intelektualë, të arkitektëve, urbanistëve, artistëve dhe aktivistëve civilë, që dinë të argumentojnë dhe të fitojnë debatin publik për restaurimin dhe shpalljen monument kulture të Teatrit Kombëtar,”-shkruan ndër të tjera Çipi.

REAGIMI I PLOTË:

 Më në fund, Bashkia Tiranë, njoftoi me pesë muaj vonesë, se “tenderi” për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar, në zbatim të ligjit special “Fusha shpk”, ka dështuar. Në deklaratën e djeshme për mediat, Bashkia Tiranë njoftonte, se do t’i propozojë Qeverisë ndërtimin me fonde publike, nënkupto edhe me procedurë ligjore standarde.  Me fjalë të tjera, Fusha shpk nuk është në gjendje të ndërtojë një teatër, që kushton 30 milion euro, për të fituar të drejtën të ndërtojë më pas gjashtë kulla, në gjysmën e truallit, që aktualisht kanë dy teatrot kombëtarë, plus 1700 m2 në pronësi të Bashkisë Tiranë.

Tashmë, ligji special, që pritet të shqyrtohet edhe nga Gjykata Kushtetuese, pas padisë së Presidentit, është një i vdekur, i pavarrosur ende. Nuk është çudi, që shumica rilindase, ta shfuqizojë ligjin, para shqyrtimit të tij nga Gjykata Kushtetuese, me po atë servilizëm të neveritshëm ndaj diktatorit, me të cilin e miratoi. Nuk do të ishte aspak çudi, që edhe ata 65 artistë, që nënshkruan peticionin drejtuar Presidentit, në mbështetje të ligjit special, t’i thonë Erionit “Faleminderit që i mbrojte si duhet kërkesat tona”.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

E vërteta është se opinioni i mbi 130 artistëve dhe mijëra qytetarëve nuk është përfillur aspak. Ata protestojnë prej më shumë se dy vjetësh për shpalljen monument kulture dhe restaurimin e plotë të ndërtesës historike të Teatrit Kombëtar, jo thjesht kundër “Fusha” shpk. Për të gjithë ata, lufta nuk ka mbaruar ende. Ajo thjesht ka hyrë në një fazë të re.

Në deklaratën e saj, Bashkia Tiranë njofton se ndërtimi i Teatrit Kombëtar do të fillojë brenda vitit, gjë që nënkupton se ajo do të tentojë të ndërtojë, me fonde publike, pse jo edhe në bashkëpunim me “Fusha” shpk, të njëjtin projekt, të kërkuar në mënyrë të paligjshme nga diktatori Edvin dhe të realizuar nga i njëjti arkitekt i korruptuar, danezi Bjarke.  Por edhe nëse Bashkia Tiranë dhe Qeveria heqin dorë nga të gjitha praktikat anti-ligjore të ndjekura deri tani; edhe nëse për Teatrin e ri shpallet një konkurs ndërkombëtar, për projektin dhe realizimin, edhe nëse e gjithë procedura është transparente, ligjore dhe e ndershme deri në detaje, thelbi anti-shqiptar i kësaj nisme mbetet i njëjtë: shkatërrimi i pakthyeshëm i një pasurie të jashtëzakonshme të historisë dhe kulturës shqiptare!

Diktatori dhe Qeni i tij i Sulmit, do të jenë të detyruar t’i rikthehen debatit publik fillestar, atij debati që e shmangën me çdo mënyrë në pranverën e vitit 2018: a duhet ruajtur historia, apo jo? Dhe këtu, përvoja e hidhur me Stadiumin Kombëtar nuk do të jetë alibi për globalistin neoliberal Edvin dhe Qenin e tij të Sulmit, por akuzë.  Dhe në këtë debat, të gjithë artistët që u rreshtuan pas tyre, vijnë më të dobët se më parë, pasi janë përdorur dhe flakur tutje nga ata që i përdorën.

Së fundi, dështimi i ligjit special, provon se të gjitha alarmet false, të gjashtë muajve të fundit, për gjoja aksione policore natën, për pushtimin e teatrit dhe shembjen e tij me dhunë policore, pa pritur përfundimin e procedurave ligjore, ishin thjesht thashetheme të fabrikuara në oborrin e Teatrit, nga një grusht njerëzish, që u munduan ta projektojnë veten si heronj shpëtimtarë. Tani është koha që ulurimat e idiotëve të padobishëm, për marrjen me sulm të Ministrisë së Brendshme brenda gjysmë ore, për përshtatjen e taktikave mbrojtëse të Skënderbeut dhe kthimin e Teatrit Kombëtar në një kështjellë të dytë të Krujës, të heshtin dhe t’ua lenë vendin zërave intelektualë, të arkitektëve, urbanistëve, artistëve dhe aktivistëve civilë, që dinë të argumentojnë dhe të fitojnë debatin publik për restaurimin dhe shpalljen monument kulture të Teatrit Kombëtar.

Bashkia e Tiranës, njoftoi se është tërhequr nga projekti i parë që do ndërtonte godinën e re me partneritet publik privat dhe tashmë ndërtimi do bëhet me buxhetin e bashkisë. Në një njoftim për mediat bashkia bën me dije se TK do të ndërtohet me fonde publike dhe godina e re do plotësojë të gjitha kërkesat teknike të artistëve për vënien në skenë të shfaqjeve.   

(k.m/dosja.al)

Shto Koment