Blog

Kartën e identitetit?

Dhe Zoe vijon: “Shumë njerëz janë duke ri-skulpturuar tërësisht fytyrat e tyre dhe po bën që të gjithë njerëzit të duken njësoj, që për mua është turp. Gjithkush është unik por dhe ndryshe në mënyrën e tyre, dhe unë mendoj që ajo është një gjë shumë e bukur. Make-up duhet përdorur vetëm për të nxjerrë në pah pikërisht këto vlera”.
Featured image of article: Kartën e identitetit? Foto Ilustruese

Sa herë shoh diku idenë e drejtpardrejtë apo të nënkuptuar që ‘pamja e jashtme nuk ka rëndësi’, më vjen keq sa e pavërtetë është. Për mua është e pashëndetshme se sa shumë rëndësi ka pamja e jashtme, po të vërtetën nuk e zgjedhim dot, dhe ajo është që ka shumë, shumë rëndësi. Dhe këtë dëshirë për të kënaqur syrin para se të kënaqë shumëçka tjetër, njeriu nuk e shfaq vetëm duke dashur të ketë pranë vetes njerëz të bukur: si specje paguajmë për kafshë race, rrisim buxhetin për detin sa më blu për pushime, dhe kemi në mend estetikën e makinës para funksionit.

E unë kam ca kohë që e mendoja po nuk dija si ta shprehja pa tingëlluar si dikush që kritikon çdo gjë bashkëkohore vetëm pse përton të jetë pjesë e saj. E kam fjalën për modën dhe trendet e këtij dhjetëvjeçari në lidhje me paraqitjen fizike të kryesisht femrave, edhe pse meshkujt kanë përparuar shumë!

Këto trende e moda falë shkencës kanë shkuar më larg se “outfit”-s, make-up dhe flokë e mjekër. Siç edhe jemi dëshmitarë dita-ditës, moda ndërhyn në strukturën e fytyrës dhe trupit të gjithkujt, vetëm a ke para në bankë (edhe poshtë dyshekut bën) dhe këllqe të futesh në narkozë të plotë.

Fillova të alarmohem kur arrita në pikën që nuk po dalloja më artistet shqiptare nga njëra tjetra: femrat  të gjitha me mollëza, buzë, vetulla identike, dhe meshkujt nga mjekra hipster apo man-bun (topuz për çuna). Këtë shqetësim ma artikuloi thjesht, pastër pa gabime, jo më larg se aktorja Zoe Isabella Kravitz –  vajza e Lenny Kravitz dhe Lisa Bonet, dy ikona të viteve 90’. [Zoe është edhe protagoniste në serialin e HBO “Big Little Lies” – përkthyer pak a shumë në “Gënjeshtra të mëdha të vogla”, së bashku me Nicole Kidman, Reese Witherspoon dhe Maryl Streep. E rekomandoj fort, aq më fort për çifte apo prindër të vetëm që kanë fëmijë të vegjël.]

Dhe Zoe vijon: “Shumë njerëz janë duke ri-skulpturuar tërësisht fytyrat e tyre dhe po bën që të gjithë njerëzit të duken njësoj, që për mua është turp. Gjithkush është unik por dhe ndryshe në mënyrën e tyre, dhe unë mendoj që ajo është një gjë shumë e bukur. Make-up duhet përdorur vetëm për të nxjerrë në pah pikërisht këto vlera”.

Duke mos dashur asnjë moment të hedh poshtë risitë dhe mundësitë e sotshme, propozoj ta marrim pak ç’po ndodh sot dhe ç’ka ndodhur më parë, duke dashur të nxjerrim më të mirat e secilës epokë për t’i përdorur sa më mirë në funksion të paraqitjes personale.

Sot: Gjithë kjo kirurgji estetike (në fakt, shpesh edhe pa ndërhyrje kirurgjike) i jep mundësinë shumë njerëzve që nuk janë rehat me një apo disa nga tiparet e veta. Fundja gjenetika është shpesh e pamëshirshme, dhe jo të gjithë lindim të bukur si Zoe. Kështu që nëse daja mund të ndihmojë të kesh hundën e ëndrrave, pse jo?  Por… A ke disiplinën të ndalesh, se! Se kemi parë hundë më të vogla se të djalit tim të porsalindur në një fytyrë me ballë të gjerë natyralisht. Dhe të gjithë e shohim që ka një gjë që nuk shkon; po personi në fjalë është pak e verbër duke qenë se ka hyrë shumë thellë në vallen e kirurgjisë.

Make-up-i ka avancuar njësoj si kirurgjia kur vjen puna për të “skulpturuar” fytyrën. (Hidhi një sy në Instagram kinezes Yuyamika për t’u shokuar sesi me thjesht fuqinë e makeup, ajo shndërrohet në Johnny Depp ose Taylor Swift). Lojërat e ndryshme të konturit bëjnë që të fsheshësh ato që nuk do të tregosh, dhe të nxjerrësh në pah ato që do. Po edhe këtu, duke u lëshuar dora pa karar, po shohim në rrugë dhjetëra ‘repilca-s’ të Kim Kardashian në çdo cep, se jo për gjë po konturimi e bën dhë ngjyrën e lëkurës si ta duash ti.

Burrat kanë filluar të kujdesen shumë më shumë për paraqitjen e tyre. Në rrugët tona sheh këmisha më ngjyra, tiranda, pantallona me lloj lloj stampimesh, mjekra të stër-kuruara e balluke ku është hedhur para për produkte. Në perëndim, këta meshkuj vënë dhe makeup. E para se të shash, po të them që jo me patjetër janë LBGT (po edhe po të jenë!) dhe ti as e di që kanë vënë, aq finë janë. Personalisht, këtë gjë e pëlqej. Në shumicën e specjeve të tjera, është mashkulli ai që përpiqet që të duket më bukur për të tërhequr femrën!  (Kujto: luani, dreri, zogjtë ekzotikë). Dhe e dyta, më pëlqen shumë të thyejmë stereotipet e meshkujve më higjenë minimale, me thonj të paprerë, kokën e rruar zero, mjekrën si vegjetacioni i Llogarasë.

Një herë e një kohë:
Këtu përfshihen shumë dhjetëvjeçarë por sa i përket të kaluarës, do ndalem vetëm te një argument: Sharon Stone nuk dukej si Mariah Carey dhe pastaj Whitney Houston nuk dukej si Aaliyah. Vërtetë makeup-i sidomos në fund të viteve 80’ dhe fillim 90’ ishte një vizatim i 3-vjeçarit tim –  vetulla fije peri, pudër blu deri te fija e perit, laps buzësh lejla, e buzë rozë. Por askush nuk kishte maninë të dukej identik si të tjerët.

Meryl Streep dhe Uma Thurman tërë jetën kanë pranuar shaka për hundët e tyre!

Cuna goca, burra, gra, trans e LGBT, propozoj të shfrytëzojmë gjithë shkencën dhe teknikat e sotshme në më të mirën e paraqitjes sonë tërësisht unike, duke e ruajtur atë siç ruan UNESCO Beratin.

Marrë nga Laralarablog

Shto Koment