Sport

Kapiteni Berisha: “Ne jemi më të mirë, besoj se do të fitojmë me Kazakistanin”

“Kanë ardhur edhe disa lojtarë me eksperiencë dhe kualiteti rritet. Kur duhen pikët duhet të bëhemi bashkë dhe të bëjmë më të mirën e mundshme”
Featured image of article: Kapiteni Berisha: “Ne jemi më të mirë, besoj se do të fitojmë me Kazakistanin”
Përditësuar:

TIRANE – Të dielën, në orën 18:00, Shqipëria do të zbresë në “Air Albania Stadium”, për të luajtur ndaj Kazakistanit, një ndeshje delikate dhe ku tri pikët janë detyrim për kuqezinjtë. Kapiteni i Kombëtares, “gardiani” Etrit Berisha, në konferencën e sotme për shtyp, ka deklaruar: “Në ndeshjen e parë ne shkuam që të marim më të mirën, luajtëm mirë, kishim edhe rastet tona, por nuk ia dolëm…”

Kosova? “Fitorja me Kosovën? Sigurisht që çdo fitore të jep besim dhe motivim për të fituar me Kazakistanin. Kosova kishte rëndësinë e vet, por jo sa këto dy ndeshjet e Nations League. Jemi të përqendruar te sfida e radhës. Me Kosovën pati rotacion dhe djemtë bënë një ndeshje të mirë. Në të ardhmen Reja mund të ketë më shumë vështirësi për formacionin. Jemi të kënaqur si grup dhe duam që të fitojmë sfidat e radhës”.

Gjendja në Kombëtare? “Kemi lojtarë me eksperiencë dhe të rinj. Ndeshja e fundit ishte e mirë. Kanë ardhur edhe disa lojtarë me eksperiencë dhe kualiteti rritet. Kur duhen pikët duhet të bëhemi bashkë dhe të bëjmë më të mirën e mundshme”.

Shiriti i kapitenit? “Nuk ndryshon gjë tek unë, gjithmonë mundohem të jap maksimumin”.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Kundërshtari? “Kazakistani është një ekip i organizuar në mbrojtje dhe kërkon të shfrytëzojë kundërsulmet. Ne e kemi përgatitur mirë këtë ndeshje dhe do përpiqemi që këtë herë ta kalojmë me fitore. Me siguri tashmë nuk do të ketë ndeshje të lehta dhe mendoj se çdo ndeshje ka rëndësinë e vet taktikisht dhe teknikisht. Kurse trajneri nga ana e vet përpiqet që të përgatisë ndeshjen në mënyrën sa më të mirë të mundur. Nuk kemi presion, është ndeshje e rëndësishme. Mendojmë se jemi një ekip më i mirë se Kazakistani dhe po e përgatisim ndeshjen në mënyrën më të mirë, ndaj nuk kemi presion. E njohim kundërshtarin dhe fakti që luajmë në shtëpi do na ndihmojë më shumë. Shpresojmë të mos kemi probleme”.

Ndeshja e parë? “Nuk mendoj se nuk u paraqitëm mirë në Kazakistan. Mund të fitonim edhe 2 apo me 3-0. I krijuam rastet, ishin të pastra për të shënuar. Po të finalizonim do flitej ndryshe. Ekipi reagoi mirë, sidomos në mbrojtje. Mungoi vetëm goli. Tani jemi në shtëpi, janë kthyer edhe disa lojtarë. Këtë herë duhet të tregohemi më konkretë. Kazakistani është ekip i organizuar në mbrojtje dhe luan me kundërsulme. Jemi të përgatitur mirë dhe do mundohemi të shfrytëzojmë mundësitë dhe gabimet e tyre”,- përfundoi Berisha, fjalët e tij para mediave, në prag të sfidës me Kazakistanin, mjaft e rëndësishme edhe për kuqezinjtë.

B.T (Dosja.al)

Shto Koment