EditorialSport

Shënim: Kampionati shqiptar në krizë, edhe te sporti sytë t’i hedhim nga Kosova

Nëse je i çmendur, bëhu president i një klubi futbolli në Shqipëri. Shumë prej tyre kanë humbur gjithë pasurinë duke investuar në sport
Featured image of article: Shënim: Kampionati shqiptar në krizë, edhe te sporti sytë t’i hedhim nga Kosova

Kryeministri Edi Rama para pak ditësh tha me bindje të plotë, se nuk ka ndërmend t’i ndihmojë futbollistët në këtë periudhë të vështirë të koronavirusit, kur shumica e aktiviteteve njerëzore janë ngrirë pa afat. Ai i mëshoi faktit se në futbollin shqiptar ka evazion fiskal, gjë që është krejtësisht e vërtetë.

Ironi kur e thotë kryeministri, në fakt, sepse ai njëkohësisht akuzon vëllain e tij, Olsi Rama, drejtor të përgjithshëm të Partizanit, për evazion fiskal në klubin e kuq. Aty ka plot lojtarë, të cilët paguhen me shifra shumë herë më të ulëta se vlera reale që marrin nëpërmjet zarfeve. Partizani ka bërë edhe një “shpikje” tjetër interesante. Për të shmangur taksat, disa lojtarëve u jepen shpërblime, që praktikisht janë pjesë e pagës.

Por nuk është ky problemi më i madh i futbollit shqiptar. Gabimi i parë i kryeministrit është se FSHF nuk kërkoi pak mëshirë vetëm për kampionatin shqiptar, atë që gabimisht quhet Superliga shqiptare dhe në fakt nuk është një e tillë (ende). FSHF kërkoi një dorë edhe për lojtarët e kategorive inferiore, të cilët marrin paga krejt modeste. Pra, ata nuk fshehin dot të ardhurat e tyre, se nuk ka mbetur ndonjë gjë e madhe për t’u fshehur. Ajo pagë që marrin nga futbolli është i vetmi mjet për të siguruar jetesën.

Problemi i dytë, ndërkohë, dhe më i madhi, është fakti që presidentët e klubeve shqiptare nuk i japin rrogat në kohë. Madje, i mbajnë stok me muaj të tërë dhe askush nuk flet.

Partizani, për shembull, ka muaj që i paguan lojtarët me rregull, pastaj kalon 2-3 muaj pa asnjë bisedë apo informim të ndershëm me stafin. Kjo po ndodh këtë sezon, kur skuadra ka të paktën dy muaj pa marrë pagat. Lojtarët kanë edhe një problem me klubin. Atyre u është premtuar shpërblim që vjet për fitimin e kampionatit dhe ai shpërblim nuk ka kaluar akoma në llogaritë e tyre (dhe as në xhepa me zarfe), kur tani që po shkruajmë jemi në prill 2020!

Kukësi, ndërkohë, është klub rekordesh. Atje futbollistët nuk paguhen që nga fillimi i vitit dhe drejtuesit i gjobitin lojtarët, kur nuk arrijnë rezultate pozitive. Me një llogaritje të thjeshtë, i bie që lojtarët kuksianë të mos paguhen për këtë vit, nëse kampionati mbyllet me kaq. Klubi zakonisht nuk u jep dy pagat e fundit lojtarëve, kur këta të fundit nuk fitojnë titullin. Shto këtu edhe një apo dy muajt e karantinës, llogaria del që viti 2020 nuk sjell asnjë të ardhur për ta.

Sikur të mos mjaftonte gjobitja e lojtarëve, te Kukësi gjobitet edhe punonjësi më i thjeshtë i klubit, kur skuadra nuk fiton rregullisht. Pra, ti mund të jesh pastrues, zëdhënës, avokat apo punëtor i stadiumut dhe nuk e merr rrogën, nëse 11 djemtë që luajnë në fushë zgjohen një ditë keq dhe nuk fitojnë. Punonjësit e klubit verilindor luten natë për natë, që skuadra të fitojë. Puna e tyre e përditshme nuk mjafton për të marrë rrogën. Duhet edhe tabela e renditjes të jetë aty ku duhet.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Te Flamurtari dhe Luftëtari, futbollistët kanë muaj pa u paguar. Ata e kanë nisur sezonin pa marrë rrogat dhe vijojnë në të njëjtat kushte. Askush nuk flet, sepse duke u ankuar lojtari humbet edhe shansin më minimal – qoftë edhe 0,01% – që një ditë të ketë fatin për të marrë paratë e djersës që derdh në fushë gjatë një sezoni.

Tirana këtë sezon ka qenë klub mjaft korrekt me pagat, sidomos për faktin se është në vitin që synon titullin e munguar prej vitesh. Vllaznia, ndërkohë, si klub bashkie, zakonisht nuk ka patur probleme me rrogat, me përjashtim të këtij sezoni, kur ende po pritet mbledhja e këshillit bashkiak për të përcaktuar buxhetin. Lojtarët bardheblu kanë marrë për herë të fundit rrogat e janarit. Një klub tjetër i kampionatit shqiptar, Bylisi, ka vazhdimisht probleme me pagat. Vonesat shkojnë më shumë se tre muaj, por drejtuesit gjithnjë e kanë mbajtur situatën nën kontroll me lojtarët e tyre.

Përfundimi është i thjeshtë. Shumica e skuadrave të kampionatit shqiptar kanë probleme serioze me pagat. Kjo situatë përsëritet vit pas viti dhe lojtarët janë praktikisht në mëshirë të fatit. Kosova është shumë herë më korrekte se Shqipëria në këtë aspekt dhe kjo është arsyeja pse vitet e fundit ka patur mjaft lëvizje nga Superliga shqiptare në Kosovë.

FSHF ka bërë vazhdimisht thirrje për ndihmë nga qeveria me një paketë për sportin, gjë që Kosova e ka bërë tashmë. Bëhet fjalë për të reduktuar deri në 30% taksat e bizneseve, të cilat investojnë në sport. Kryeministri Rama e premtoi një reformë të tillë, por deri tani asgjë nuk është bërë. Sigurisht, konferenca e drejtpërdrejtë me shumë të ftuar dhe gazetarë është kryer mirë dhe bukur. Problemi është vetëm ajo që shqiptarëve u ka munguar ndër dekada: realizimi.

Nëse je i çmendur, bëhu president i një klubi futbolli në Shqipëri. Shumë prej tyre kanë humbur gjithë pasurinë duke investuar në sport. Ato investime nuk kthehen kurrë me këtë sistem që po degradon jetën sportive të vendit prej vitesh. Kur sheh Kosovën me hapa galopantë, të vjen akoma edhe më keq.

Dosja.al

Shto Koment