Aktualitet

Kamioni me 2.5 ton drogë/ Rrëfimi i biznesmenit në Lushnjë: Magazinën e dhashë me qira, më futën në kurth… “Shoku” e nxjerr blof, kujt grupi kriminal që i përket ‘pakoja’

Përparim Shurdhi pretendon se ishte futur në kurth pasi nuk e dinte çfarë do të futej në magjazinë, ndërsa Tabaku e hedh poshtë dëshminë e shokut me pretendimin se nuk ka qënë në asnjë takim, ndryshe nga çfarë pretendon biznesmeni.
Featured image of article: Kamioni me 2.5 ton drogë/ Rrëfimi i biznesmenit në Lushnjë: Magazinën e dhashë me qira, më futën në kurth… “Shoku” e nxjerr blof, kujt grupi kriminal që i përket ‘pakoja’ Përparim Shurdhi dhe Arlind Tabaku

TIRANË– Zbardhen dëshmitë e dy personave të arrestuar në Lushnjë, të cilët akuzohen si bashkëpunëtorë në skemën e trafikut ndërkombëtar të drogës brenda kamionit të mbushur me fruta dhe perime, i cili u kap në Mal të Zi. Gazetari Elton Qyno ka bërë publike detaje lidhur me dëshmitë e Përparim Shurdhit dhe Arlind Tabakut, të cilët kanë rrëfyer fill e për pe gjithë skemën dhe përgatitjet. Shurdhi, pronari i magazinës ku u ngarkua lënda narkotike, tregoi se kishte negociuar gjatë që ta merrte me qera me një çmim të arsyeshëm, në një vlerë që kishte kapur jo më shumë se 600 mijë lekë të vjetra. Negociatat kishin nisur që më 27 tetor 2020, ku të tre ishin ulur në një kafe së bashku për të diskutuar. Shurdhi pretendon se ishte futur në kurth pasi nuk e dinte çfarë do të futej në magjazinë, ndërsa Tabaku e hedh poshtë dëshminë e shokut me pretendimin se nuk ka qënë në asnjë takim, ndryshe nga çfarë pretendon biznesmeni.

Arlind Tabaku, pranon megjthatë se i ka këshilluar mikut të tij, Çalliku, që t’i marrë magazinën e Përparim Shurdhit. 

“…Unë e kam marrë në telefon Shurdhin dhe e kam pyetur nëse ishte i interesuar për ta dhënë magazinën me qira dhe ai më është përgjigjur se ishte i interesuar….”

Më tej Tabaku, sqaron se Shurdhi dhe Çalliku, mund të jenë takuar bashkë dhe kanë biseduar për çështjen e çmimit dhe kushtet e tjera, por Tabaku shton se në këto takime ai nuk ka qenë prezent. Ndërsa në dëshminë e tij Shurdhi thotë se në datën 27 tetor, gjashtë ditë para se të mbërrinte kamioni në magazinën e tij, e ka marrë në telefon një person, me të cilin është takuar tek “Rotondoja e Plugut” në Lushnjë. Në këtë takim ka qënë Tabaku dhe Ervis Çalliku, i cili ka shfaqur interes dhe i ka pohuar se do e mbante për rreth 1 vit magazinën.

Qëllimi i magazinës ka qenë për ta mbushur me fruta dhe perime, siç edhe ka ndodhur në ditën e parë, por më pas në të është shkarkuar droga, e cila më pas është futur në kamion dhe është nisur për në Mal të Zi. Gazetari Qyno shkruan se kamioni kishte një afat 11 orësh për të qëndruar tranzit në Shqipëri dhe se linja e lëvizjes së tij në Shqipëri ishte me segment direkt Kapshticë-Hani i Hotit në Shkodër.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Deri më tani nga burime brenda grupit hetimor është bërë me dije se sasia e drogës i përket një grupi shumë të fortë në qytetin e Lushnjës, por ende nuk dihet se ku është siguruar ajo, ndërkohë që nuk bëhet me dije as emri i grupit. Megjithatë dy personat e prangosur kanë mohuar në mënyrë kategorike që të kenë lidhje me ngarkesën e drogës, edhe pse dëshmitë e tyre kontradiktore tregojnë të kundërtën.

Droga u kap në Mal të Zi teksa ishte fshehur brenda një kamioni që ishte mbushur me fruta-perime. Kamioni kaloi ka asnjë problem në pikën kufitare të Kapshticës dhe më pas në Han të Hotit, por ishte pala malazeze ajo që kërkoi hapjen e tij duke gjetur edhe 2.6 ton kanabis. Në flagrancë u prangos shoferi 40-vjeçar i kamionit, Ervis Çalik.

Çalliku ishte një nga aksionerët e kompanisë “Joel Trans”, me kamionët e të cilës është bërë edhe transporti i lëndës narkotike. Çalliku është bashkë-aksioner me Shkëlqim Kojkun, gjithashtu biznesmen që operon në Durrës. Tabaku dhe Shurdhi janë lënë në masën ‘arrest me burg”. Gazetari Artan Hoxha deklaroi një ditë më parë se hetuesit po ‘gërmojnë’ edhe në Shijak. Trekëndëshi Lushnje-Fushë Krujë-Shijak, kjo është zona që mund të çojë tek porositësit e lëndës narkotike, apo dërguesit e saj.

(k.m/dosja.al)

Shto Koment