Editorial

Kakofonia e ndërkombëtarëve, kujt i duhet besuar?

Në 18 qershor vendimi për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë do të merret nga krerët e vendeve anëtare. Dhe vetëm atëherë do të kuptohet përfundimisht se cilat nga argumentet që gëlojnë sot në treg duhej besuar: ato për histori suksesi, apo ato për një ngelje të përsëritur në klasë.
Featured image of article: Kakofonia e ndërkombëtarëve, kujt i duhet besuar? Andi Bushati

Eksportimi i krizës shqiptare në rangjet e larta  europiane dhe rikthimi i saj tek ne në formën e deklaratave kundërthënëse, po krijon një trubullirë të madhe për publikun.

Palët politike të bindura se e kanë humbur krejtësisht legjitimitetin brenda vendit po përpiqen të luftojnë me njëra tjetrën përmeës mesazheve që vijnë nga Brukseli apo Berlini, Parisi apo Haga.

Sapo njëri krah përmend zyrtarët e BE-së, tjetri popmpon deputetët e bundestagut, sapo i pari përdor ndonjë politikan qefli në moshë të thyer, i dyti i kundërpërgjigjet me ndonjë pensioniste që vetëm në Tiranë i kushtohet vëmendje.

Në këtë kakofoni, një konsumues i zakonshëm i politikës e ka të vështirë të kuptojë se kujt prej atyre, që për një kohë të gjatë i kemi konsideruar si “arbitra të paanshëm”, duhet ti besojë.

A është real Progres Raporti i komisionit që i shkon për shtat qeverisë Rama, apo mos vallë është më i saktë qëndrimi i shumicës parlamentare gjermane, që pretendon se Shqipëria nuk ka plotësuar asnjë nga kushtet që iu vunë një vit më parë?

A duhen përtypur symbyllurazi deklaratat e Mogherinit, që e shet reformën në drejtësi si një histori suksesi, apo duhet lexuar me vëmendje qëndrimi i Bundestagut për gjykata jo funksionale.

A të flemë të qetë se morëm edhe njëherë reagim pozitiv për hapjen e negociatave, apo të besojmë ato që thonë njerëzit e afërt të presidentit francez Macron, se ai nuk do të lejojë as këtë vit ndezjen e dritës jeshile për Shqipërinë?

Përpara se të vendosim rend në këtë kullë të vërtetë Babiloni është mirë të shpjegojmë disa gjëra të thjeshta. Vendimi i Brukselit që i propozon vendeve anëtare një rekomandim pozitiv për Shqipërinë, nuk ishte një surprizë. Kjo “Po” e shitur në qershorin e shkuar për më shumë sesa ishte, na qe dhuruar që vjet. Dhe me përjashtim të ndonjë katastrofe, Komisioni Europian nuk i tërheq mbrapsht rekomandimet e veta. Shembulli më i prekshëm për këtë është ai i fqinjit tonë lindor, Maqedonisë, që megjithëse lëngoi gjatë nën regjimin despotik të Nikola Gruevskit, Brukseli, pasi ia dha, nuk ia tërhoqi më pas viston për hapjen e negociatave.

Por, në shumë raste, ndryshe gjykojnë burokratët e Brukselit dhe krejt ndryshe vendet e fuqishme anëtare që procesojne edhe infot që u vijnë nga shërbimet sekrete, policitë lokale dhe skanimi që ata i bëjnë vetë qeverisjes së Tiranës.

Eshtë pikërisht kjo anë tjetër e medalies që që e ka shtyrë partinë e Anxhela Merkelit të trishtohet për moshetimin e politikanëve të implikuar në blerjen e votave dhe në abuzime financiare.

Eshtë pikërisht kjo që e yshti, trashigimtarin e partisë, sot opozitare, të Nikola Sarkozisë të fliste për pamundësinë e përparimit të një vendi të korruptuar drejt BE-së.

Eshtë pikërisht kjo që i detyroi deputetët holandezë të votonin masivisht rikthimin e vizave, nga frika e eksportimit të kriminalitetit shqiptar në vendin e tyre.

Dhe fatkeqësisht, për aktin final të hapjes së negociatave nuk vendosin as Frederika Mogherini dhe as Hanes Han, por vendet anëtare të BE-së, disa prej anëtarëve themelues të së cilës kanë shpërehur rezerva therrëse për qeverinë e Tiranës.

Për të gjithë ata që e njohin procesin, janë këta të fundit që duhen dëgjuar dhe argumentat e tyre që duhen mbajtur vathë në vesh.

Ndërsa për të tjerët, të përhumburit me vetëdije në kakofoninë e qëndrimeve ndërkombëtare që bëjnë rikoshet në Tiranë, ka vetëm një mundësi për tu kthjelluar.

Ata duhet të bëjnë durim. Ata duhet të presin edhe tre javë.

Në 18 qershor vendimi për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë do të merret nga krerët e vendeve anëtare. Dhe vetëm atëherë do të kuptohet përfundimisht se cilat nga argumentat që gëlojnë sot në treg duhej besuar: ato për histori suksesi, apo ato për një ngelje të përsëritur në klasë.

Marrë nga Lapsi.al 

Shto Koment