Sport

Juves nuk i duhen Zidane e Guardiola, te Pirlo ka gjetur trajnerin model

“Zonja e Vjetër” beson se Pirlo mund ta ketë suksesin e Zinedine Zidanet te Real Madridi, apo të Pep Guardiolas.
Featured image of article: Juves nuk i duhen Zidane e Guardiola, te Pirlo ka gjetur trajnerin model Andrea Pirlo, trajner i Juventus

ITALI- Andrea Pirlos i është besuar pozita e trajnerit te Juventusi. Ish-mesfushori italian do ta nisë aventurën e tij si trajner te Juventusi. Me largimin e Maurizio Sarrit, drejtuesit e klubit të Juventusit vendosën që vetëm një javë pasi emëruan Pirlon, trajner tek U-23, t’ia besojnë timonin e ekipit të parë. Krerët e klubit italian e shohin Pirlon si një mundësi të mirë që klubi ta fitojë Ligën e Kampionëve, që klubit torinez i ka munguar që nga viti 1996.

Përkundër investimeve të mëdha, Juventusi fitoi vetëm Serie A, derisa u eliminua nga Liga e Kampionëve. “Zonja e Vjetër” beson se Pirlo mund ta ketë suksesin e Zinedine Zidanet te Real Madridi, apo të Pep Guardiolas.

Pirlo ishte pjesë e Juventusit nga viti 2011 deri në vitin 2015, duke arritur t’i fitojë katër tituj të Serie A. Në vitin 2017, mesfushori italian u largua nga Juventusi për t’u transferuar në kampionatin amerikan te skuadra e New York Cityt ku qëndroi për tre vjet. Në vitin 2018, Pirlo i dha fund futbollit profesionit dhe si 41-vjeçar ka arritur të marrë licencën A për trajner duke përfunduar kurset e nevojshme nga UEFA.

Edhe vetë Pirlo thotë se ka pranuar të bëhet trajner i Juves për të fituar trofe, në veçanti “Championsin”.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

“Gjatë gjithë këtyre viteve edhe pse nuk isha pjesë e klubit, kam mbajtur vazhdimisht kontaktet me drejtuesit e skuadrës. Kjo është një përgjegjësi e madhe për mua dhe sigurisht që është një sfidë e re. Shpresoj të arrij që edhe si trajner ta kem karrierën e njëjtë sikurse që kisha si futbollist aktiv”, u shpreh Pirlo, që si futbollist i Milanit e ka fituar trofeun e Ligës së Kampionëve.

Ish-futbollisti i Milanit dhe Juventusit ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me “Zonjën e Vjetër”, me mundësi vazhdimi. Për Pirlon, Juventusi do të jetë ekipi i parë si trajner.

(Marrë nga Koha Ditore)

Shto Koment