
TORINO-Juventusi i këtij sezoni e ka të vështirë t’i bëjë dy fitore rresht në Serie A. Pa Cristiano Ronaldon kampionët e Italisë nuk janë e njëjta skuadër si me portugezin në fushë dhe mungesa e CR7, u ndje edhe në transfertën jugore ndaj Beneventos, ku bardhezinjtë nuk shkuan më shumë se një barazim 1-1. Golit të bukur të Moratës pas 21 minutash lojë, iu kundërpërgjigj Letizia në sekondat e fundit të shtesës së pjesës së parë. Në fund të ndeshjes trajneri Andrea Pirlo ka folur në lidhje me atë barazim.
“E menaxhuam mirë pjesën e parë, morëm epërsinë edhe mund ta mbyllnim ndeshjen. Në vend të kësaj, pësuam një gol për naivitetin tonë, duhet të rritemi shpejt sepse ndeshjet nuk janë të gjitha njësoj dhe duhet të menaxhohen ndryshe” Andrea Pirlo analizon kështu barazimin e Juventusit ndaj Beneventos.
“Edhe në finalizim na duhej më shumë qartësi për t’u përpjekur të shënonim gola. Ne duhet të vazhdojmë të punojmë, të rritemi dhe t’i kuptojmë ndeshjet. Kur na mungojnë lojtarë ekspertë dhe të rëndësishëm, ne luftojmë.” Për mungesën e Cristiano Ronaldos: “Tashmë të mërkurën në Champions League ai kishte një problem dhe vendosi të pushojë sepse ishte i lodhur. Na mungon pak personaliteti dhe në këtë duhet të përmirësohemi.” Përfundon Andrea Pirlo.
E.Ç (Dosja.al)