
TIRANË– Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka lancuar partinë e saj “Lëvizja për ndryshim”, me të cilën pritet që të garojë në zgjedhjet e 25 prillit. Në një intervistë për emisionin “Vizioni i Pasdites”, Topalli u shpreh se Partia Demokratike drejtohej nga një person me mentalitet enverist.
E pyetur nëse është konsultuar me Sali Berishën për partinë e re që krijoi, Topalli tha se me ish-kryeministrin ka komunikim të vazhdueshëm, por nuk i ka kërkuar mendim për vendimin e marrë për t’ju rikthyer politikës.
“Me zotin Berisha kam një komunikim të vazhdueshëm, por për vendimet që janë marrë gjatë kësaj periudhe nuk kam biseduar dhe nuk e kam ndarë me të. Ka qenë korrekt kur ka thënë që zgjedhja është thelbi i lirisë. Nuk them se më ka mbështetur, as të kundërtën, por ka qenë korrekt si njeri që e di se çfarë do të thotë pluralizëm,”- tha ish-kryeparlamentarja.