Sport

Josa: “Një pikë nuk vlen me Partizanin, të gjithë jemi në provë deri në fund”

“Mua më intereson serioziteti i lojtarëve të mi. Nuk shikojmë nëse do i bëjmë keq një skuadre, apo mirë një skuadre tjetër”
Featured image of article: Josa: “Një pikë nuk vlen me Partizanin, të gjithë jemi në provë deri në fund”

TIRANE – Mirel Josa, trajneri i Kukësit, para ndeshjes me Partizanin, për javën e 29-të të Superiores, e cila do të luhet në “Air Albania” në orën 16:00, ka dalë para mediave dhe ka folur për shumë tema, mes tyre edhe për aleancat dhe motivimin e futbollistëve të tij.

Situata? “Kur luan kundër Partizanit normal që ndeshja është e vështirë. Nuk mund të bëjmë shumë diferencim midis ndeshjeve, pasi kemi gabuar edhe në ndeshje që në letër kanë qenë shumë të lehta. Duhet të kemi parasysh se si vijnë skuadrat në këtë ndeshje. Ne vijmë nga dy ndeshje deri diku të mira, ku kemi marrë pikë. Besoj te vazhdimësia e skuadrës, në mënyrë që edhe ne të jemi të qartë çfarë do të bëjmë për të ardhmen.”

Barazimi? “Nuk mund të thuhet para ndeshjes se do të jemi të kënaqur me një barazim. Të dyja skuadrat futen në fushë për të fituar ndeshjen, futbollistë janë të karikuar të triumfojnë. E njëjta pyetje m’u bë edhe para ndeshjes me Tiranën dhe një pikë nuk u bën punë fare skuadrave”.

Impenjimi? “Nuk bëhet fjalë, çdo lojtar do tregohet profesionist dhe do të japë maksimumin. Duhet të tregojë mundësitë e veta që ka për të luajtur futboll, mundësitë e veta që ka për të qenë pjesë e kësaj skuadre në vazhdimësi”.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Aleancat? “Kam qenë vetë në këto pozita përpara disa kampionateve. Mua më intereson serioziteti i lojtarëve të mi. Serioziteti individual i lojtarëve do të sjellë seriozitetin e skuadrës për sa i përket ndeshjeve në vazhdim. Nuk shikojmë nëse do i bëjmë keq një skuadre, apo mirë një skuadre tjetër. Nëse mendojmë kështu, atëherë nuk ka asnjë shenjë motivimi të futbollistëve në vazhdimësi”.

Të gjithë në provë? “Unë e vë veten në provë personalisht pas çdo ndeshjeje. E kam thënë edhe herë tjetër, që të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme për sa i përket qetësisë time dhe lojtarëve individualisht, për të vazhduar punën për ndeshjen tjetër. Futbolli kështu e ka, ndeshjet janë komplet prova që do të jepen për vazhdimësinë”.

B.T (Dosja.al)

Shto Koment