Bota

Joe Biden paraqet plan për vaksinën e koronavirusit, kundërpërgjigjet Donald Trump

Duke folur me gazetarët më pas gjatë ditës në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Trump tha se kundërshtari i tij në zgjedhje nuk duhet të paraqesë një plan për shpërndarjen e një vaksine të zhvilluar nën presidencën e tij.
Featured image of article: Joe Biden paraqet plan për vaksinën e koronavirusit, kundërpërgjigjet Donald Trump Joe Biden

SHBA– Kandidati demokrat për president, Joe Biden bëri thirrje të mërkurën që një bord i jashtëm shkencëtarësh, jo Presidenti Donald Trump, të përcaktojë nëse një vaksinë për koronavirusin është e sigurt dhe efektive.

“Unë kam besim tek vaksinat. Unë kam besim te shkencëtarët. Por nuk kam besim te Donald Trump-i. Dhe në këto momente, as populli amerikan nuk mundet”, tha ish-nënpresidenti në Wilmington, Delaware.

Duke folur në një kinema në qendër të qytetit para një grupi gazetarësh, zoti Biden paraqiti planin e tij për shpërndarjen e vaksinës, që parashikon se kur amerikanët duhet të presin të marrin një vaksinë pasi të vihet në dispozicion, ofron udhëzim se cilët duhet të kenë përparësi për vaksinimin, shpjegon mekanizmat për transportin dhe ruajtjen e vaksinës, dhe detajon përgjegjësinë në procesin në çdo nivel të qeverisjes.

“Përparimet shkencore nuk ndjekin kalendarin, ashtu si edhe virusi. Dhe sigurisht që nuk ndjekin ciklet zgjedhore. Dhe fazat e tyre, miratimi i tyre dhe shpërndarja nuk duhet të ndikohen kurrë, nga konsideratat politike”, tha zoti Biden.

Duke folur me gazetarët më pas gjatë ditës në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Trump tha se kundërshtari i tij në zgjedhje nuk duhet të paraqesë një plan për shpërndarjen e një vaksine të zhvilluar nën presidencën e tij.

“Ne e shpikëm atë vaksinë. Do të njoftohet shumë shpejt për të,” tha presidenti, duke parashikuar që vaksina e parë COVID-19 mund të ishte gati muajin e ardhshëm dhe duke thënë se qeveria amerikane është e gatshme të shpërndajë të paktën 100 milion doza deri në fund të vitit.

Megjithatë Drejtori i Qendrave për Kontrollin e Sëmundjeve Robert Redfield, u tha senatorëve amerikanë më herët të mërkurën se një vaksinë mund të jetë e disponueshme për publikun e gjerë amerikan në tremujorin e dytë ose të tretë të vitit të ardhshëm dhe se më të rrezikuarit, siç janë të moshuarit dhe ata me probleme ekzistuese shëndetësore, si edhe punonjësit e kujdesit shëndetësor, do të kenë përparësi për vaksinim.

Zoti Trump e bëri të qartë në konferencën e tij për shtyp pasdite pakënaqësinë me faktin që zoti Redfield kishte paraqitur një afat kohor më të përmbajtur.

“Unë mendoj se ai gaboi kur e tha një gjë të tillë. Ky është thjesht informacion i pasaktë,” u tha Trump gazetarëve. “Në asnjë rrethanë nuk do të dalë aq vonë sa tha dr. Redfield.

Në një diskutim me votues në Filadelfia të martën mbrëma të organizuar nga ABC News, Trump sugjeroi që “një mentalitet turme” mund të bëjë që koronavirusi të zhduket pa një vaksinë.

Kjo mesa duket ishte ishte një referencë ndaj imunitetit të turmës, teoria sipas së cilës një virus mund të zhduket pasi një përqindje e lartë e popullatës infektohet, duke tkurrur kështu aftësinë e tij për t’u përhapur.

Profesori i Universitetit Vanderbilt, William Schaffner, një specialist i sëmundjeve infektive, i tha Zërit të Amerikës se mënyra e vetme për të arritur imunitetin e turmës pa një vaksinë “është që virusi të bëjë gjithçka vetvetiu.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

“Kështu virusi do të infektonte shumë, shumë njerëz dhe do të sëmurte shumë, shumë njerëz, do të çonte shumë prej tyre në spital, dhe do të kishte shumë vdekje të njerëzve të të gjitha moshave, fëmijëve, të rinjve dhe natyrisht, shumë të moshuarve dhe njerëzve me sëmundje kronike “, tha ai. “Jo, ne nuk do ta dëshironim këtë.”

Të mërkurën, shefi i personelit të Shtëpisë së Bardhë, Mark Meadows u tha gazetarëve se imuniteti i turmës “nuk ka qenë kurrë një strategji” e administratës Trump.

“Mund të them që disa njerëz kanë përmendur imunitetin e turmës – pasi të merren antitrupat – dhe pak a shumë e sheh këtë në Nju Jork, pasi atje ka një shkallë më të ulët të infektimit, pasi përjetuan më parë një numër aq të lartë. Por ata humbën kaq shumë jetë dhe Shtëpia e Bardhë nuk zgjodhi këtë aletrnativë”, tha zoti Meadows.

Ai vuri gjithashtu në dukje se “ka një numër njerëzish që besojnë se në fund të fundit kjo nuk zgjidhet derisa të arrijmë imunitetit e turmës. Edhe disa nga mjekët më të njohur kanë sugjeruar që kjo mund të jetë përgjigjja.”

Më herët të mërkurën, Departamenti Amerikan i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore dhe Departamenti i Mbrojtjes lëshuan strategjinë e administratës Trump për të ofruar doza vaksinash për COVID-19 për publikun amerikan. Por sondazhet në Shtetet e Bashkuara tregojnë se testet e shpejta të vaksinave të mundshme mbi mijëra vullnetarë që po kryhen në disa vende, i kanë bërë humë amerikanë skeptikë nëse një masë parandaluese e miratuar do të jetë e sigurt.

Sipas një sondazhi të agjencisë Associated Press, një ndër pesë amerikanë thanë se nuk do të merrnin një vaksinë të koronavirusit dhe 31% thanë se nuk ishin të sigurt nëse do ta bënin. Nga ata që thanë se nuk do të vaksinoheshin, shumica dërrmuese thanë se ishin të shqetësuar për sigurinë e saj.

Zyrtarët shëndetësorë thonë se për të mbrojtur Shtetet e Bashkuara nga koronavirusi, rreth 70% ose duhet të vaksinohen ose të kenë antitrupa kundër sëmundjes.

Rreth 196,000 amerikanë kanë vdekur nga koronavirusi dhe 6.6 milion të tjerë janë infektuar, sipas Universitetit Johns Hopkins, i cili po ndjek rastet në të gjithë botën. Të dyja shifrat janë më të lartat mes të gjitha vendeve.

Korrespondentët e Zërit të Amerikës Patsy Widakuswara dhe Ken Bredemeier kontribuan për këtë artikull nga Uashingtoni.

Marrë nga: VOA 

(A.K.dosja.al)

Shto Koment