
GREQI– Polica greke ka dhënë disa sqarime për të gjitha veprimet që duhet të ndërmarrin shtetasit shqiptarë në mënyrë që të mos penalizohen për tejkalimin e afatit 90-ditor në zonën Shengen. Sipas njoftimit të Drejtorisë së Emigracionit dhe Kufijve të policisë greke, shtetasit shqiptarë që mbyllja e kufijve i gjeti brenda zonës Shengen, duhet të paraqiten në drejtoritë e emigracionit të drejtorive vendore të policisë, të shoqëruar prej personit, i cili do të marrë përsipër t’u sigurojë atyre banesën dhe shpenzimet e qëndrimit.
Personi i interesuar duhet të ketë me vete:
- Pasaportë të vlefshme
- Dy fotokopje të pasaportës
- Dy fotografi tip pasaporte
- Kërkesën për shtyrje afati të qëndrimit në zonën Shengen (plotësohet pranë sportelit)
- Deklaratë e personit që siguron strehim (plotësohet pranë sportelit)
- Lejen e qëndrimit dhe pasaportën, ose kartën greke të identitetit të personit që garanton shpenzimet.
- Vleren monetare prej 50 euro për ditë qëndrimi të personit të interesuar (vlera e parave vetëm tregohet dhe nuk përbën garanci dhe nuk mbahet në asnjë rrethanë prej autoriteteve).
- Dokument që vërteton vendin e banimit të garantuesit (fletën e zyrës së financës E3).
- Sigurim shëndeti në udhëtim (pranohet edhe në email).
- Një numër telefoni ose email për kontakt emergjence.
Sipas policisë të gjitha rastet verifikohen një nga një ndërsa personi i interesuar njoftohet prej autoriteve direkt ose brenda 24 orëve për ecurinë e kërkesës së tij. Ndërkohë, autoritetet greke besojnë se ndodhen të izoluar dhe pa mundësi të largohen, më shumë se 5000 shtetas shqiptarë.
Ndërkohë, ditët e fundit janë riatdhesuar dhjetëra shqiptarë që kanë kthyer nga Greqi. Disa falë ndihmës së biznesmenëve, ndërsa të tjerët me shpenzimet e tyre.
(f.m/dosja.al)