Aktualitet

EMRAT/ 3 biznesmenët që u rropën nga “Bajrajt” në Shkodër, paguanin çdo muaj ‘haraç’ tek “Djemtë e Dobraçit”

  • Dragana Ceka mori provimet, Jorida Murati mori pagë fiktive në spital
  • Mikja e Behar Bajrit vetëm ditën e prezantimit në punë. Shefi i shërbimit Halluni:“...do ia bëjmë dhe do ia japim pagën, përgjegjësinë e mbaj unë...”
    Featured image of article: EMRAT/ 3 biznesmenët që u rropën nga “Bajrajt” në Shkodër, paguanin çdo muaj ‘haraç’ tek “Djemtë e Dobraçit” Safet Bajri,Asmer Bilali, Behar Bajri dhe Spitali i Shkodrës

    SHKODËR- Zbulohen emrat e tre personave në Shkodër që janë kanosur me jetë nga anëtarët e grupit Bajri, duke i marë shuma të konsiderueshme në euro dhe lek. Një pronar restoranti në Shirokë Ardi Vajushi, një pronar agjensie udhëtimi në Shkodër Arjet Miloti dhe biznesmeni Ardjan Kiri, sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda janë personat që në periudha të caktuara janë shantazhuar dhe kërcënuar me jetë, me qëllim dhënien e shumave financiare për llogari të anëtarëve të grupit “Bajri” ose siç njihen ndryshe në Shkodër me emrin “Djemtë e Dobraçit”. Këtyre tre personave u janë marë çdo muaj një sasi e konsiderueshme euro. Edhe pse ata janë marë në pyetje në prokurori dhe kanë deklaruar se nuk i kanë dhënë para anëtarëve të grupit “Bajri”, përgjimet telefonike të kryera nga prokuroria e Krimeve të Rënda, kanë nxjerë të kundërtën e asaj që kanë pretenduar tre biznesmenët në Shkodër. Grupi i strukturuar kriminal “Bajri” që drejtohej nga Safet dhe Behar Bajri, të njohur në Shkodër për shkak të veprimtarisë kriminale, të shtrirë në një periudhë të gjatë kohore në qytetin e Shkodrës, kishte përfshirë një numër të konsiderueshëm dhe kishte arritur të krijonte një situatë frike te banorët e qytetit në funksion të realizimit të qëllimeve të tyre kriminale, sa vetëm përmendja e emrit, të një prej drejtuesve të tij, ishte e mjaftueshme për t’i vendosur nën presion tre biznesmenët, të cilëve u drejtohej. Si rezultat i kësaj veprimtarie, grupi i strukturuar ka arritur të përfitojë padrejtësisht sasi monetare duke vendosur nën presion psikologjik Arjet Miloti, Ardi Vajushi dhe Ardjan Kiri.

    Tre biznesmenët të trembur, mohojnë dhënien e parave

    Të ndodhur nën efektet e dhunës psikologjike edhe gjatë pyetjes së tyre në prokurori, viktimat nga këto vepra penale kanë mohuar që të jenë nën “shtrëngim”, duke përdorur shpjegime joreale, që bien në kundërshtim me të dhënat e përftuara nga përgjimet telefonike të komunikimeve. Po ashtu thotë prokuroria, nuk provohet ndonjë marrëdhënie financiare apo tregtare mes tre personave Arjet Miloti, Ardi Vajushi e Ardjan Kiri dhe anëtarëve të grupit “Bajri”. Ndërkohë, përveç veprës penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, për të përfituar sasi monetare, anëtarë të grupit të strukturuar ishin të përfshirë edhe në veprimtarinë e “prodhimit ose mbajtjes së lëndës narkotike”.

    Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

    Mikja e Behar Bajri vetëm 1 ditë në punë,kur u prezantua

    Duke zgjeruar territorin për shkak të “emrit” dhe veprave kriminale me rrezikshmëri të lartë shoqërore, grup i strukturuar kriminal, i fuqizuar edhe nga përfitimet materiale prej veprimtarive të paligjshme, ka arritur të ndikojë edhe në institucione shtetërore, sa drejtuesit e tij mund të marrin përsipër emërimin në punë, marrjen e provimeve në shkollë të dikujt ose të ndikojnë për t’u punësuar anëtarët e tyre. Më konkretisht është ndërhyrë në mënyrë të paligjshme për marjen e provimeve për Dragana Çeka dhe kanë ndikuar punësimin si infermiere të shtetases Jorida Murati. E hetuara Jorida Murati është punësuar, për shkak të lidhjeve me grupin kriminal, në detyrën e infermieres në spitalin e Shkodrës në sektorin e planifikimit familjar, vetëm për të përfituar vlera monetare, pa pasur qëllim për të kryer detyrën e saj. Sipas hetimeve të prokurorisë Murati është paraqitur në punë vetëm 1 ditë, pikërisht kur dhe është bërë prezantimi i saj dhe më pas nuk ka shërbyer asnjë ditë si infermiere. Mirëpo edhe pse nuk është paraqitur në punë, ajo është paguar rregullisht me ndihmën e shefit të shërbimit në spitalin e Shkodrës, mjekut, Senad Halluni, kryeinfermieres Florine Hoxha dhe financieres Mira Nikaj, që të gjithë në dijeni se nënshkrimi i listëprezencave për pagesën e plotë të së hetuarës Murati ishte fiktiv. Nga dita e prezantimit, Jorida nuk është paraqitur më dhe në lidhje me prezencën e saj, ajo ka kontaktuar me shefin e shërbimit Senad Halluni, i cili përpos kërkesës së saj për të sqaruar pozicionin e Joridës, i ka thënë se:“…do ia bëjmë dhe do ia japim pagën, përgjegjësinë e mbaj unë…”.Kjo situatë dhe marrëdhënie mes tyre është përsëritur edhe muajt e tjerë, kur ajo vazhdonte të mos ishte prezente dhe në çdo rast shefi i shërbimit Senad Halluni ka insistuar që për shtetasen në fjalë, ditët e punës të ishin të plota, situatë e cila ka vazhduar deri në ditët e para të muajit nëntor, kur Florina ka refuzuar vazhdimin e mëtejshëm të kësaj situate.

    (Dosja.al)

    Shto Koment