
ITALI– Italia dyshohet se ka mashtruar Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për gatishmërinë e saj për t’u përballur me një pandemi më pak se tre javë para se të konfirmohej rasti i parë i koronavirusit i transmetuar në vend.
Çdo vit, vendeve të lidhura me Rregulloret Ndërkombëtare të Shëndetit (IHR), një traktat ndërkombëtar për të luftuar përhapjen globale të sëmundjes, u kërkohet të paraqesin një raport të vetëvlerësimit në OBSH për statusin e gatishmërisë së tyre për një urgjencë shëndetësore.
Italia ndërmori raportin e saj të fundit të vetëvlerësimit në 4 Shkurt 2020. Në pjesën C8 të raportit, parë nga Guardian, ku vendet duhet të vlerësojnë gatishmërinë e tyre të përgjithshme për t’iu përgjigjur një emergjence të shëndetit publik, autori shënon Italinë në “nivelin 5” , i cili është statusi më i lartë i gatishmërisë.
Kategoria shprehet se mekanizmi i koordinimit të përgjigjes ndaj emergjencave të sektorit shëndetësor dhe sistemi i menaxhimit të incidenteve të lidhur me një qendër kombëtare të operacionit të urgjencës janë testuar dhe azhornuar rregullisht.
Sidoqoftë, vitin e kaluar doli që Italia nuk kishte azhornuar planin e saj kombëtar të pandemisë që nga viti 2006, një faktor që mund të ketë kontribuar në të paktën 10,000 vdekje Covid-19 gjatë valës së parë dhe që është një element kryesor në një hetim i cili po kryhet nga autoritetet në Bergamo, provinca e Lombardisë që u prek rëndë në fazën e hershme të pandemisë.
Prokurorët e Bergamos vitin e kaluar morën në pyetje Giuseppe Conte, i cili deri në fillim të këtij muaji ishte kryeministër, Roberto Speranzën, ministri i shëndetësisë, Luciana Lamorgese, ministrja e brendshme, dhe Attilio Fontana, president i rajonit të Lombardisë, si pjesë e hetimeve të tyre. Ata gjithashtu morën në pyetje Giuseppe Ruocco, sekretarin aktual të përgjithshëm për ministrinë e shëndetësisë dhe një drejtor të përgjithshëm të shëndetit nga 2012-2014.
Në një analizë të dokumentit të vetëvlerësimit të përpiluar nga Pier Paolo Lunelli, një gjeneral në pension i ushtrisë, 60 nga 70 përgjigjet e dhëna nga Italia u gjykuan si të pabazuara. Lunelli shkroi në analizën e tij, e cila u është dhënë prokurorëve, se dokumenti përbën një kështjellë provash që vërteton nivelin e papërgatitjes me të cilën u gjend Italia gjatë pandemisë.
(d.a/dosja.al)